E Diel, 1 Nëntor 2026

Për politikat shëndetësore nuk u tha asgjë!

TRITAN SHEU

Që në fillim të këtij shkrimi të shkurtër dëshiroj të shpreh kënaqësinë për faktin që përpjekjet për të nxitur një debat të gjerë për politikat shëndetësore po funksionojnë. Kjo është, veçse pozitive, edhe e frytshme. Pikërisht, duke menduar në këtë mënyrë, prita më interes ato që do të thoshte zoti Rama, kur të shpaloste linjat programore të partisë së tij për këtë sistem. Të them të drejtën, unë prisja disa elemente kulminante të kësaj shpalosjeje, shpalosje që ishte paraprirë me disa dalje të deputetëve të PS-së për këtë temë, më disa pozicionime të tyre deri në një farë forme, e disa herë me replika, qoftë edhe emocionale ndaj meje. Megjithëse kjo fazë përgatitore nuk dukej se ishte ndonjë terren pjellor, përsëri mendoja se mund të ndodhë ajo që thuhet e ëmbla në fund.
Por, të them të drejtën, ngela i befasuar nga gjithçka që u tha para dy ditësh nga kryetari i PS-së. Që në fillim dua të them se ajo mbledhje, në ide e programe ishte shumë e varfër. Kjo edhe po të krahasohet me vetë përmbajtjen e diskutimeve apo shkrimeve të deputetëve socialistë për këtë çështje disa ditë, apo javë më parë. Në realitet nuk u tha asgjë e qartë, nuk u hodh asnjë ide programore, nuk u dha asnjë linjë konkrete zhvillimi. Çdo gjë i ngjante një deklamimi populist e propagandistik pa substrat e pa të ardhme. Z.Rama, veçse kritikoi në linja të përgjithshme, kërkoi të anatemojë gjithçka, dukë filluar që nga sistemi. Premtoi se do të ndryshonte gjithçka për të na dhënë dhe yjet. Në realitet nuk tha asgjë konkrete për të sotmen e të ardhmen, nuk i dha përgjigje asnjë pyetjeje që dalin normalisht nga një mohim i tillë në bllok. Nuk dha asnjë rrugëzgjidhje, qoftë dhe për problemet që ai vetë ngriti, pavarësisht sa qëndronin ato. Gjithçka ngeli në nivelin e një deklamimi politik.
Për të qenë më i qartë, unë nuk them që sistemi ynë shëndetësor nuk ka probleme e dobësi, serioze këto, kjo do të ishte gënjeshtër. Nuk kam thënë e nuk them kurrë që nuk duhen ritme më të larta e të shpejta zhvillimi, veçanërisht në nivelet menaxheriale e politike të tij, për tia përshtatur plotësisht tipareve të ekonomisë së tregut. Por, nga ana tjetër, asnjë nuk mund ta mohojë se në këto vite është ecur në drejtimin e duhur, pavarësisht nga kritikat që mund të jenë, e çështjet e ndryshme që kanë nevojë për diskutim. Por, të thuash sot që unë me një të rënë të lapsit do ta shuaj këtë sistem, të pranuar e ndërtuar nga të gjithë ne për 20 vite, dhe mbi gërmadhat e tij do të ndërtoj një të ashtuquajtur sistem të ri, të duket sikur dëgjon nga thellësitë e së kaluarës tingujt e Internacionales. Ky është veçse një nihilizëm i thellë. Koncepti çdo gjë fillon me mua nga niveli zëro, pa vlerësuar asgjë të realizuar më përpara, pa argumentuar qartësisht nevojën për përmbysje e pa shprehur alternativa konkrete për nesër, është veçse bllokues.
Megjithatë, më e keqja vjen më poshtë, pa dyshim e lidhur kjo me këto që thashë. Kjo është mungesa e opsioneve konkrete politike apo menaxheriale mbi të ardhmen e sistemit, mbas mohimit që Rama u bëri politikave të ndjekura deri më sot. Dhe ato pak opsione të zbehta që u dhanë, në fakt të çojnë në kahen e gabuar. Pra, jo vetëm nuk u tha asgjë e qartë për të kuptuar vizionin zhvillues të PS-së në këtë perspektivë, por përkundrazi, edhe idetë e hedhura i takonin shoqërisë së centralizuar. Gjërat u prononcuan në atë mënyrë, sa, jam i detyruar ta përsëris, të duket sikur vazhdojnë të ushtojnë tingujt e Internacionales edhe kur u fol për një botë të re, ku askush nuk do të paguajë, gjithsekush do të japë aq sa ka mundësi dhe do të marrë aq sa ka nevojë. Për të përforcuar këtë ide u deklarua eliminimi i kontributeve direkte apo i pagesave direkte, asnjë fjalë nuk u tha për nivelin e partneritetit të privatit me publikun, financimin e tij, decentralizimin e sistemit, konceptin spitali publik-ndërmarrje, indekset e kostos, konceptin e tregut të shëndetit etj., kolona këto, pa të cilat nuk do të ketë zhvillim shëndetësor në shoqërinë ku jetojmë. A nuk i ngjan kjo tablo, që z. Rama e quajti mekanizmi universal, dogmave të komunizmit real? Dhe ky mekanizëm pa ingranazhe, totalisht i kontrolluar nga shteti, do të ndriçojë tërë sistemin shëndetësor, në çdo skutë, do të zhdukë korrupsionin, do të rrisë cilësinë e shërbimit, financimet etj., duke krijuar vetëm lumturi e shëndet të plotë për të gjithë!!!
Të tilla slogane u artikuluan atë ditë, së bashku dhe me shumë konstatime të tjera aspak të vërteta, për disa prej të cilave dua të them: Së pari, në vendin tonë kopertura sigurative është zgjeruar ndjeshëm dhe jo siç u deklarua të premten. Në fakt, problemi real i yni në këtë pikë, që duhet korrigjuar, është e kundërta. Kontributet direkte vazhdojnë të ngelin shumë të ulëta. Ndërsa Z. Rama nga njëra anë, më të drejtë, kërkon forcimin e solidaritetit qytetar në tërësi për shëndetësinë, nga ana tjetër deklaron paradoksalisht se do të zhdukë krejt kontributet direkte. Në fakt, këto janë format më të spikatura të këtij solidariteti. Së dyti, shtresat në nevojë te ne, si fëmijët, nxënësit e studentët, të paaftët fizikisht, të papunët, ata më asistencë etj., janë përshirë në skemën e sigurimeve automatikisht, me fondet e buxhetit. Pra, politikat sociale në këtë pikë janë shumë aktive, krejt ndryshe nga sa tha z. Rama. Së treti, ai foli për cilësinë e medikamenteve në qarkullim, duke e vënë në dyshim këtë, gjë që nuk është absolutisht e vërtetë, veçanërisht mbas implementimit të ndryshimeve ligjore. Në lidhje me këtë, dua të theksoj së të tilla deklarata pa fakte apo propozime konkrete, mund të gjenerojnë një lojë tepër të rrezikshme. Në qoftë se z. Rama do të donte realisht të premtonte diçka të dobishme në këtë fushë, ai p.sh. duhet të deklaronte se sa mendon ta zgjerojë listën e medikamenteve të rimbursuara, që sot është rreth 410 dhe që ka nevojë të rritët. Ose mund të prononcohej nëse mendon të zgjerojë koperturën sigurative drejt stomatologjisë, dhimbjes kronike, debistimit periodik etj., elemente këto të dobishme, qoftë dhe vetëm për diskutim. Së katërti, ai deklaron së do ta zhdukë korrupsionin, do të përmirësojë me disa herë cilësinë e shërbimit, pa thënë asnjë fjalë se si do ti realizojë këto ndryshime, qoftë në planin financiar, qoftë në atë menaxherial apo organizativ. Ai, siç thashë, nuk flet asnjë fjalë për tregun e shëndetit, konkurrencën midis institucioneve shëndetësorë, nivelin e privatizimit etj., koncepte këto themelore për këtë gjë. Së gjashti, ai deklaron se do të shumëfishojë financimet për shëndetësinë. Ndërkaq, insiston për eliminimin e të gjitha formave të pjesëmarrjes direkte të popullsisë në këtë proces, pa thënë asnjë fjalë konkrete se si dhe sa për qind e GDP-së mendon ai se duhet të kalojnë nga buxheti për këtë sektor. Më poshtë, në mënyrë abuzive e ireale, hidhet ideja se blerësi i vetëm i tërë shërbimeve shëndetësorë do të jetë shteti, duke shkatërruar kështu tregun e sigurimeve, centralizuar gjithçka e na kthyer në një çast 20 vite mbrapa. Sidoqoftë, me këtë analizë mund të vazhdohet gjatë, sepse të përmendësh të gjitha ato që nuk u thanë atë ditë, do të duhej shumë kohë dhe jo një artikull i shkurtër. Kjo sepse në realitet u thanë shumë pak elemente konkrete dhe reale. U bë shumë demagogji. Kjo është dhe arsyeja që edhe unë në këtë shkrim të shkurtër ndoshta u detyrova disa herë të largohem nga diskutimi konkret dhe të kaloj në forma retorike.
Sidoqoftë, përpara së ta mbyll këtë shkrim, dua përsëri të theksoj dhe një herë se e vlerësoj pozitivisht vetë faktin e një debati të tillë dhe asnjëherë personalisht nuk i shmangëm atij. Megjithatë, mendoj se kolegët e majtë duhet të jenë më racionalë, realistë e konkretë në idetë e aq më shumë, në platformat e tyre, sidomos kur këto shpallën si programe zyrtare të asaj force p

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›