Skënderbeu i Aurel Plasarit
AGRON GJEKMARKAJ
Skënderbeu një histori politike, i Aurel Plasarit, ka qenë një libër i pritur që prej vargut të eseve të tij historike për heroin tonë kombëtar, të botuara prej më shumë se një dhjetëvjetëshi. Por, nga një anë tjetër, ka qenë edhe i papritur, sepse bëhej fjalë për një punim gati 15-vjeçar të një autori me personalitet nga më interesantët në kulturën e sotme shqiptare, të vështirë për tu inkuadruar në kornizën e ngushtë të mendësisë intelektuale të kohës sonë edhe nga lexuesit që ia njohin mirë punimet. Një njeri i krijimit dhe njëherësh i shkencës, pedant në gjykime, sa edhe i padisiplinuar, fantast po që po, pse jo edhe absurd ndonjëherë, jo rrallë iritues, intuitiv po aq sa dhe racional, impulsiv hera-herës deri në padrejtësi, natyrë që i gëzohet skandalit sa dhe u druhet pasojave, i përllogaritur dhe njëherësh i pakujdesshëm, që duket sikur nuk është bashkëkohor me shkrimtarët bashkëkohorë, gjithnjë me një stil që është vetëm i veti, ndonëse ngjan sikur diç ka trashëguar sa nga fuqia goditëse e Fishtës, aq dhe nga rafinimi inatçor i Konicës, gjithsesi pa u përfshirë në ndonjë formulë përfundimtare në kohë e sipër që pothuajse asgjë nga sa ka shkruar në këta 22 vjet nuk të lë indiferent, qoftë kur ka lavdëruar, qoftë kur ka denigruar. Pra një autor në dukje i papërshtatshëm për tiu përkushtuar një historie të Skënderbeut.
Tanimë, kur prej më se një viti Skënderbeu – një histori politike është në duart e lexuesve shqiptarë, mund të thuhet që në krye të herës se ke të bësh me librin e jetës të autorit, nëse mbahet parasysh koha biologjike e një jete të vetme njerëzore.
Skënderbeu i Plasarit, produkt i një pune 15-vjeçare, paraqitet si vepër sui generis në historiografinë shqiptare jo thjesht për nga kohështrirja e shkrimit të saj, por për një varg shkaqesh të tjera. Pikësëpari për vetë shkakun që duket se e ka nxitur ose përshpejtuar shkrimin e saj dhe që gjatë leximit del i nënkuptueshëm. Fillesat e këtij punimi prej gati 1000 faqesh i gjen në vitet e para të tranzicionit shqiptar, kur një urdi shkruesit iu vunë një fushate shkumëzuese kundër figurës së Skënderbeut. Troç: donin të çliroheshin nga pesha e tij si hero kombëtar për ta shpallur deri edhe tradhtar kombëtar. Fundin, ndërkaq, e pati kund ndonjë vit pas librit të palavdishëm të Schmitt-it, të cilit iu bë një propagandë e pazakontë publiciteti nga një tërësi mediash, duke përfshirë edhe historianë. Ka bërë përshtypje fakti që Plasari, i cili në atë kohë përgatiste botimin e punimit të vet shumëvjeçar, i qëndroi larg debatit Schmitt. Përballjen e tij me tezat që hidheshin e priteshin do ta bënte shkencërisht si historian dhe njëkohësisht si intelektual europianist në kontekstin shqiptar. Sot, duke pasur në duart tona librin Skënderbeu një histori politike, mund të themi se me të duhet ti bëjnë llogaritë mirë të gjitha kategoritë e detraktuesve të Skënderbeut. Pse jo, edhe adhuruesit e tij, të cilët do të mësojnë ta rindërtojnë portretin e heroit të tyre me një lëndë tanimë të ndryshme, produkt i parimeve bashkëkohore në shkencën e historiografisë.
Nga ana tjetër, me Skënderbeun e Plasarit historiografisë shqiptare i çelet rruga e lavrimit në një disipline të injoruar prej saj, ajo e historisë politike, një nga degët kryesore të hulumtimit në histori, që trajton faktet historike duke u dhënë përparësi atyre të historisë së shteteve dhe shtetarëve etj., sikurse vetë autori e ka sqaruar konceptin e saj bashkëkohor. Duhet tia njohim autorit meritën e kësaj risie dhe sidomos faktin që rruga kësaj disipline i çelet pikërisht me historinë politike të personazhit më të rëndësishëm të mbarë historisë shqiptare. Në bazë të kësaj zgjedhjeje disiplinore, Skënderbeu i Aurel Plasarit ndahet qartë me traditën e teksteve të modelit jeta dhe vepra, të cilat vuajnë gjithnjë riskun e përzierjes së dokumentit historik me elementin legjendar, të veprimtarisë politike e shtetare të personazhit me jetën e tij vetjake, deri edhe atë intime etj. Ndryshe nga çjemi mësuar, autori i kësaj historie politike e ka vendosur Skënderbeun dhe luftërat e tij në ujërat e veta, sa në kontekstin arbëror të shekujve XIV-XV, aq edhe në kontekstin europian të kohës në përballje me superfuqinë ushtarake të asaj kohe, atë osmane.
Duke rindërtuar Arbërinë e atyre shekujve me qytetet e saj dhe kështjellat e saj, me familjet e fisnikërisë arbre ose dyert e mëdha, me shqytet e tyre dhe diplomat e tyre të rreme a të vërteta, me krushqitë dhe njëkohësisht rivalitetet mes tyre, me marrëdhëniet sa mes vetë zotërve arbër aq dhe me fqinjët, me raportet e tyre me dy Kishat dhe kryesisht me atë të Romës, që paraqitej në ata shekuj si superfuqia politike e Europës, me qëndrimet e tyre jo gjithnjë lineare ndaj Turkut të Madh, përfshi edhe marrëdhëniet diplomatike e ushtarake me të tjerë udhëheqës e shtete europiane etj., Plasari ka dhënë fotografitë e kohës në lëvizje e sipër dhe, sidomos, frymën e saj. Kemi të bëjmë vërtet me heroin tonë, por jo me udhëheqësin e fshatarësisë, sikurse, për fat të keq, na e kanë pas portretizuar shpesh. Kemi të bëjmë vërtet me luftëtarë të krishterë, por jo më me bujq që braktisin parmendën në arë për të rrokur shpatën; luftëtarët me të cilët heroi ynë zhvilloi mbrojtjen e përgjakshme ndaj superfuqisë ushtarake që dyndej nga Azia janë tanimë kalorës të profesionit, me pagëtyrë 5 dukate ari në muaj, sipas burimeve papnore, ose qoftë edhe 4 dukate në muaj, sipas vetë Barletit. Nuk shfaqet më në këtë histori politike të Skënderbeut katundari që ta gjuajë Turkun e Madh me gurë nga mbrapa ferrave. Dhe, meqë u kujtua Barleti, gati 500 vjet pas tij, edhe për Plasarin Skënderbeu mbetet i Krishteri me K të madhe, ashtu siç ishte ai për latinishten e Barletit me Ch-në e madhe. Qëndresa dhe luftërat antiturke të Skënderbeut ngrenë peshë si për çi përket përfshirjes së tij në historinë e madhe të Europës, ashtu dhe për pozicionin ndërkombëtar në të cilin, në kapërcyellin e Mesjetës dhe Kohës së Re, ai e vendosi Arbërinë e tij, – shkruan autori në njërin nga përfundimet e tij. – Prej një kësi pozicioni ai vetë rezulton jo vetëm personaliteti më i madh politik e ushtarak i historisë së Arbërisë, jo vetëm figura arbërore më e spikatur e historisë së Europës së kohës së tij, por edhe heroi semantik i shqiptarëve të çdo kohë.
Të befason te Skënderbeu i Plasarit shumëllojshmëria e burimeve, gjerësia dhe thellësia e tyre, gati-gati se ke të bësh me një autor de omni re scibile përsa i përket historisë së Skënderbeut dhe me një libër që sot për sot arrin maksimumin e informacionit burimor. Falë këtij vëllimi, informacioni nuk mund të mos vihet re që, brenda të njëjtit libër, ndesh së paku edhe dy libra të tjerë, të cilët edhe mund të qëndronin më vete nëse autori do ti kishte gjetur të zgjidhura subjektet përkatëse në kulturën shqiptare dhe do të kishte shkapërcyer fluturimthi mbi to për tiu qasur vetëm e vetëm Skënderbeut: Arbrit dhe Arbëria politike përpara pushtimit osman (f. 46-169) dhe Ekspandimi turk në kontekstin europian-arbëror (f. 170-233). Nuk mund veçse të lavdërohet autori për këtë maksimum informacioni, qoftë ai ndonjëherë edhe i tepruar në dukje, në ballafaqim me invacionin e informacionit të semidoktëve që rrezikojnë të pushtojnë në këta njëzet vjetët e fundit, vetëm mbi bazën e hierarkisë temperamentale, arenën e kulturës shqiptare.
Por, aftësia e përdorimit të burimeve të shumëllojshme spikat në mënyrën se si autori i ka alternuar ato duke ballafaquar burimet bizantine, ato perëndimore europiane, ato osmane, ndonjëherë edhe sllave, njëkohësisht duke i heirarkizuar sipas parimeve bashkëkohore të shkencës së historisë. Përparësia u është dhënë atyre që u takon, burimeve dokumentare-arkivore, pastaj atyre tregimtare, por pa shpërfillur si burime me vlerë të gjithë të mundshmet, edhe ato në dukje më të parëndësishme. Nga një ballafaqim i tillë inteligjent ka dalë pikërisht ky rezultat: një Skënderbe me të vërtetë poet i politikës shqiptare, siç e quante Montanelli, dhe jo më një Skënderbe sipas osmanë