"Bulevardi", Berisha: Fillim historik i Tiranës
Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se projekti për bulevardin e kryeqyteti është një fillim historik për Tiranën e shekullit të ri. I pranishëm në ceremoninë e çeljes së konkursit për zgjatimin e Bulevardit të kryeqytetit, të organizuar nga Bashkia e Tiranës në sallën e Akademisë së Arteve, Berisha theksoi se qytetarët presin me padurim Tiranën e këtij shekulli në fuksion të qytetarit.
"Presim me padurim Tiranën e këtij shekulli, në fuksion të qytetari. Tiranën si një metropol të ri europian, që të harmonizojë të gjithë potencialin e saj dhe të vazhdojë të luajë rolin kryesor në zhvillimin e vendit. Ata të cilët studiojnë pozicionin e këtij qyteti do të gjejnë që është më unik që mund të kapë syri jo në rajon por edhe në kontinent dhe më gjerë. E vendosur rrëzë malesh të veshura me drurë e rrethuar nga një gjerdan kodrash ky kryeqytet meriton derdhjen e gjenive më të shquara krijuese dhe nxjerr në pah të gjithë madhështinë e veprave në të” theksoi Berisha.
Ai ka vlerësuar ndërtesat historike të Tiranës, duke shprehur keqardhje për fatkeqësinë e mëparshme në urbanistikën e këtij qyteti. “Tani Tirana pret këtë fillim, ka humbur disa vite duhet të jemi realistë dhe kjo jo për qytetarët por para së gjithash për mungesën e vizionit të paraardhësit tuaj zoti kryetar. Qeveria do t`u mbështesë fuqishëm në projektet ambicioze për Tiranën e këtij shekulli, por ajo do mbështeste çdo të votuar të qytetarëve të Tiranës në ambiciet e tij për t`i dhënë Tiranës dimensionin e munguar" tha Berisha.
Kryeministri Berisha shigjetoi edhe ish-kryetarin e Bashkisë Edi Rama duke e cilësuar si një piktor të dështuar që i mungonte vizioni. "Paraardhësi juaj ishte piktor i dështuar, jo se nuk i shiteshin veprat në treg, por nuk kuptonte se njerëzit kanë nevojë jo vetëm të shohin të ecin dhe kjo është urbanistika dhe kjo është dimensioni që ju i jipni me këto projekte, dimensioni që qyteti mezi pret. Le ta konsiderojmë këtë një fillim të madh premtues për Tiranën, metropol europian” ka theksuar më tej Berisha.
.