Bullgarët nxjerrin edhe shifra për minoritetin e pretenduar
Zehrudin Dokle, i shoqatës kulturore-arsimore “Ivan Vazov” thotë se Gora është terreni më i ruajtur bullgar në Shqipëri. Në një intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve “Focus News”, Dokle thotë se nuk mund të përcaktohet qartë numri i bullgarëve të Shqipërisë, pasi njerëzit kanë lëvizur në zonat sipas tij të populluara nga bullgarë, si Gora, Golloborda dhe Prespa e Vogël.
Por një numër për këtë popullsi e jep Georgi Stamenov, i shoqatës kulturore-arsimore “Ognishte”. Sipas tij, shtetasit shqiptarë me orgjinë bullgare janë të paktën 170 mijë. Por Stamenov është shumë i shqetësuar se “bullgarët” po konsiderohen si maqedonas, për shkak të një politike tepër agresive të Shkupit në këtë drejtim dhe një politike të mefshtë të Sofjes nga ana tjetër. “Ky është tjetërsimi më i madh kombëtar në historinë e botës”, thotë Stamenov për agjencinë “Focus News”, e cila po i mëshon përditë e më shumë ekzistencës së një minoriteti të madh bullgar në Shqipëri, në prag të regjistrimit të vitit 2011.
Në këtë kontekst, agjencia në fjalë ka biseduar edhe me Spas Pançev, politikan dhe nënkryetar i grupit të miqësisë Bullgari-Shqipëri. Sipas Pançevit, bullgarët e Shqipërisë po luftojnë për njohjen e tyre, por kjo nuk është e lehtë, për shkak të ndjeshmërisë që ka kjo çështje tek autoritetet shqiptare. Ai thotë se Agjencia e Bullgarëve Jashtë Vendit duhet të investohet në luftën e bullgarëve të Shqipërisë për të drejtën e tyre.
Përfaqësues organizatash dhe politikanë në bullgari kanë nisur të riaktivizohen për atë që ata e quajnë çështje e bullgarëve të Shqipërisë dhe po ushtrojnë presion tek autoritetet e Sofjes për të hedhur hapa konkretë në këtë drejtim.
Aktivizimi i bullgarëve erdhi pak kohë pasi Presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku, kërkoi shkoqur në Tiranë njohjen e arumunëve si pakicë kombëtare rumune. Deklarata e Baseskut u bë pak kohë pasi qeveria shqiptare njoftoi se në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në vitin 2011 qytetarët do të mund të shprehin me vullnet të lirë edhe origjinën dhe fenë e tyre.
Nga ky regjistrim po kërkojnë të përfitojë tashmë edhe Bullgaria, e cila duke qenë se është vend anëtar i BE-së dhe e përfshirë në zonën “Shengen” mund të gjejë njerëz që me “vullnet të lirë” të deklarojnë se janë bullgarë.
#