Patos, thikë në zemër një 17-vjeçari
Vritet me thika një 17-vjeçar në qendër të qytetit të Patosit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21.20 të mbrëmjes së djeshme, kur viktima Daniel Rrapushi, 17 vjeç, banues në Patos ka qenë në një lokal, në vendin e quajtur “6-katëshi”. Sipas burimeve paraprake nga policia, mësohet se viktima është grindur me disa të rinj të tjerë, të cilët kanë qenë klientë në të njëjtin lokal ku ishte edhe 17-vjeçari. Pas grindjes me fjalë, të rinjtë ia kanë lënë vendin përplasjes fizike, që ka përfunduar me plagosjen e adoleshentit. Pas ngjarjes autorët janë larguar, ndërsa i riu është dërguar me urgjencë për në spitalin e qytetit. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, i riu ka humbur jetën, vetëm pak minuta pasi ka mbërritur në spital. Ai ishte qëlluar dy herë në trup dhe tehu i thikës i ka prekur zemrën, gjë që ka shkaktuar edhe vdekjen. Policia dyshon se autorë të ngjarjes janë tre vëllezër dhe për momentin janë ndaluar vetëm dy prej tyre. Policia nuk jep asnjë detaj tjetër për autorët apo shkaqet që çuan në vrasjen e adoleshentit, vetëm pohon se po punohet në disa pista hetimi, ku nuk përjashtohet përfshirja në afera kriminale.
#