Gollobordasit kërkojnë rihapjen e gjimnazit në zonë
Zona e Gollobordës, me shtrirjen më të madhe gjeografike në rrethin e Bulqizës, ku veprojnë dy njësi administrative, përkatësisht komunat e Ostrenit dhe Trebishtit, në kufi me Maqedoninë, prej vitesh është përballur me mungesën e shkollës së mesme për arsimimin e fëmijëve. E njohur si zonë mjaft arsimdashëse, ku shkolla e parë shqipe daton në vitin 1914, ajo ka nxjerrë ndër vite njerëz të shkolluar në të gjitha fushat, që me punën e tyre kanë bërë emër. Kështu Golloborda ka mbetur e njohur jo vetëm për ndërtuesit e saj duarartë, por edhe për personalitete të spikatura në të gjitha fushat e jetës, madje edhe me tituj e grada shkencore. Në mungesë të një shkolle të mesme për fëmijët, banorët janë të detyruar të gjejnë rrugë e mundësi të ndryshme për shkollimin e tyre. Për këtë thonë banorët, kemi shfrytëzuar çdo mundësi, duke i dërguar fëmijët për të ndjekur gjimnazin te njerëzit tanë të afërt të larguar në zonat urbane të vendit dhe deri te zënia e shtëpive me qira në qytete të caktuara. Madje një numër i vogël fëmijësh kanë gjetur mundësi për t’u shkolluar edhe në shtetin fqinj të Maqedonisë. Prej vitesh në këtë zonë kufitare kanë vepruar e veprojnë shoqata të ndryshme pro maqedonase, që kanë dhënë e japin edhe bursa të larta studimi për fëmijë të zonës, kuptohet për interesa të tyre. Zona e Gollobordës, thotë Nazif Hoxha, drejtor i shkollës 9-vjeçare në Trebisht, ka pasur dy shkolla të mesme para vitit ’90, një në Trebisht dhe një në Ostren. Pas ’90-s këto shkolla u mbyllën për mungesë të numrit të nxënësve. Por, mendoj se ka ardhur momenti i duhur që të paktën një shkollë e mesme për gjithë zonën e Gollobordës të hapet, pasi në këtë vit në gjithë zonën e Gollobordës kanë dhënë provimet e lirimit 79 nxënës, që presin të nisin shkollën e mesme. Po të kemi parasysh se ndër vite një numër i caktuar nxënësish nuk kanë mundur të ndjekin arsimin e mesëm, pasi nuk kanë pasur kushtet e nevojshme, numri i nxënësve në pritje të hapjes së gjimnazit shkon në mbi 100, thotë drejtori i shkollës 9-vjeçare të Trebishtit. Ndaj, vijon të tregojë ai, kemi kërkuar pranë Zyrës Arsimore Bulqizë hapjen e gjimnazit për vitin shkollor 2010-2011. Duke marrë parasysh se edhe ministri aktual i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, është bir i kësaj krahine, pra bashkëfshatar yni, thonë banorët, mbetemi me shpresë se kërkesa jonë për hapjen e shkollës së mesme do të miratohet nga MASH-i, që fëmijët tanë të shpëtojnë njëherë e mirë nga kalvari i vuajtjeve për t’u shkolluar.
#