E Diel, 1 Nëntor 2026

Zihen në lokal, thika 24-vjeçarit

Elbasan Policia kap autorin dy orë pas ngjarjes. Dyshohet se vrasja ka ndodhur për shkaqe banale

Një grindje banale në lokal i ka marrë jetën një 24-vjeçari nga Elbasani. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.00 të mbrëmjes së djeshme, në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit, në vendin e quajtur “Rruga për në Teqe”, fare pranë kodrave të Krastës. Ndërkohë që autori i dyshuar ka rënë në prangat e uniformave blu rreth orës 21.30, vetëm 200 metra larg vendit ku ndodhi ngjarja.
Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, dyshohet se 34-vjeçari Adriatik Menalla ka qëlluar dy herë me thikë në gjoks 24-vjeçarin Vladimir Rama. Autori i dyshuar dhe viktima kanë qenë të ulur në një lokal dhe papritur kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin. Tonet janë ngritur derisa të rinjtë kanë arritur në përleshje fizike, por askush nuk ka mundur të mësojë shkakun e sherrit që përfundoi në mënyrë tragjike. Në një moment Menalla dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar në drejtim të 24-vjeçarit. Pas kësaj, 34-vjeçari ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që i plagosuri është dërguar në spital nga dëshmitarë të rastësishëm. Ndërkaq, policia ka mbërritur shpejt në lokalin ku ka ndodhur plagosja, ku pas mbledhjes së dëshmive ka identifikuar në pak minuta autorin e kësaj ngjarje, duke nisur kërkimet për kapjen e tij. Në hyrjet dhe daljet e qytetit janë ngritur postblloqe policie për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar. Sipas ekspertëve të policisë, që kanë bërë këqyrjen e trupit të pajetë të 24-vjeçarit, kanë konstatuar se Rama ishte qëlluar me thikë dy herë në pjesën e përparme të gjoksit. Mjekët e spitalit kirurgjikal të Elbasanit pohuan se i riu ka mbërritur shpejt në urgjencë, por për shkak të plagëve të mëdha në gjoks dhe prekjes së zemrës nuk është bërë i mundur shpëtimi i tij. Rama është transportuar për në repartin e reanimacionit, por çdo tentativë ka qenë e kotë, pasi ai ka humbur jetën brenda pak minutave të mbërritjes së tij në spital. Ndërkohë policia ka bërë të mundur kapjen e 34-vjeçarit, në një rrugicë vetëm 200 metra larg lokalit ku ndodhi vrasja. Sakaq policia ka shoqëruar për në komisariat disa persona, që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimore, ndërkohë që është marrë në pyetje edhe pronari i lokalit ku janë grindur të rinjtë, protagonistë të kësaj ngjarje. Versioni paraprak i policisë për këtë vrasje, mbetet për motive banale deri në përfundim të hetimeve. Pas kapjes së autorit dhe marrjes së tij në pyetje, mund të zbardhet e plotë ngjarja që çoi në vdekjen e të riut 24-vjeçar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›