E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgari fiton raundin e pare. Plevneliev president

Kandidati i partisë qeverisëse në Bullgari, Rosen Plevneliev ka fituar 39.8% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale e sipas gjasave, ai pritet të fitojë edhe balotazhin duke cimentuar në këtë mënyrë pushtetin e kryeministrit, Bojko Borisov. Biser Trojanov, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i tha agjencisë Reuters se nuk ka pasur parregullësi në mbajtjen e zgjedhjeve.

Rezultatet tregojnë se mbështetja për partinë e qendrës së djathtë që qeveris Bullgarinë, nuk ka ndryshuar prej zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës, pavarësisht betejës jo shumë të suksesshme për të vënë nën kontroll papunësinë, korrupsionin e përhapur gjerësisht dhe ankesat e minoriteteve etnike. Vendi disa herë gjatë fushatës u përfshi nga demostratat kundër minoritetit rom dhe korrupsionit.

OSBE, që monitori zgjedhjet ka nxjerrë një raport pozitiv në lidhje me zgjedhjet, por theksoi nevojën e vazhdimit të reformave, sidomos sa i takon fenomenit të përsëritur të blerjes së votave. 

"Ne nuk kemi prova të gjalla për këtë fenomen, por pavarësisht sesa mund t’i verifikojmë ato, fati që akuzat mbeten të përsëritura dhe të përhapura, na shqetëson, pasi minon besimin e publikut tek zgjedhjet”, tha kreu i vëzhguesve të OSBE-së Vadim Zhdanovich. Sipas tij, qeveria nuk ka arritur asnjë sukses në përpjekjet e saj për të frenuar fenomenin.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›