E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgaria gati ta ndihmojë Kosovën në luftimin e korrupsionit

Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni dhe homologu i tij bullgar, Nikolay Mladenov, janë pajtuar gjatë një takimi në Prishtinë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE.

Dy ministrat kanë theksuar se vendet e rajonit duhet të ndihmojnë njëra- tjetrën në përpjekje për t’u integruar sa më parë në strukturat euro-atlantike.

Mladenov ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për ta ndihmuar Kosovën, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai ka shpalosur përvojat e shtetit bullgar për luftimin e këtyre dukurive negative dhe ka ftuar Prishtinën të ndjekë këta hapa, duke bërë reforma në gjyqësi dhe ndryshim në legjislacion, për ta dënuar korrupsionin.

“Është i dëmshëm, pa dyshim që po, fshehja e korrupsionit... Me ministrin kemi diskutuar që kemi nevojë për koncentrimin më të madh të forcave në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Mendoj që secili vetë duhet të mundohet ta luftojë krimin, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të hiqet reputacioni jo i mirë i ballkanasve”, ka thënë Mladenov, transmeton KosovaPress.

Nga ana e tij, shefi i diplomacisë kosovare e ka falënderuar Mladenovin për përkrahjen që Bullgaria i ka dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtet ndërtimit, gjatë luftës dhe sidomos në periudhën e rindërtimit pas luftës.

Hyseni ka vlerësuar se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet diplomatike, si një parakusht për bashkëpunim të frytshëm në shkallë të rajonit.

“U pajtuam që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në integrimet evropiane dhe u pajtuam po ashtu se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në këto përpjekje. Po ashtu biseduam edhe për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si një parakusht për bashkëpunim të frytshëm në shkallë të rajonit”, ka thënë Hyseni

Ai po ashtu ka shfaqur gatishmërinë e Kosovës për të marrë pjesë në konferencën e Sarajevës, në kushte dhe në një format të barabartë me të gjitha vendet e tjera.

Ministri i Jashtëm i Bullgarisë është pritur në takime të veçanta edhe nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa do të ketë takime edhe me drejtuesit e KFOR-it dhe ICO-s.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›