E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgaria, votë “pro” integrimit të Shqipërisë në BE

23-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret në një takim homologun bullgar, Boiko Borissov - nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve në arsim, shkencë dhe kulturë

Borissov: Bashkëpunimin për Korridorin e 8-të. Berisha: Opozita të votojë kriteret e statusit

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim homologun e Bullgarisë, Boiko Borisov dhe delegacionin që e shoqëronte atë. Pas një takimi kokë më kokë, të dy kryeministrat dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha vlerësoi bisedimet e hapura miqësore dhe të frytshme me kryeministrin Borisov. “Bullgaria është faktor paqeje e stabiliteti në rajon, për çka unë shpreha mirënjohje dhe falënderim të përzemërt. Vizita është një moment i rëndësishëm dhe kontribut i veçantë për marrëdhëniet tradicionale mes vendeve. Me Kryeministrin dhe delegacionin shqyrtuam zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në të gjitha fushat”, u shpreh Berisha. Njëkohësisht, pjesë e rëndësishme e bisedës, sipas Kryeministrit Berisha,  ishte pikërisht bashkëpunimi në fushën ekonomike. “Shprehën angazhimin tonë që  të mbështesim fuqishëm zhvillimin në fushën ekonomike, potencialet në këtë fushë janë të shumta. Ballkani ka potenciale të mëdha, por ajo që i mungon rajonit korridoret e gjëra të bashkëpunimit”, u shpreh Berisha.
Në këtë kuadër, bashkëpunimi përmes një korridori hekurudhor dhe kontributit për ndërtimin e Korridorit 8, ishin një tjetër temë e bisedës. Njëkohësisht ky bashkëpunim do të shtrihet dhe do të fuqizohet dhe më tej dhe në fusha të tjera si në atë të kulturës, arsimit, të mbrojtjes, bujqësisë rendit dhe në luftën kundër krimit të organizuar.
Gjatë bisedës me homologun e Bullgarisë, kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha ka marrë garancinë për mbështetje në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Garanci kjo e deklarua dhe në konferencën e përbashkët për shtyp nga ana e kryeministrit Borissov, i cili u shpreh se Bullgaria jep votën e saj “pro” dhënies së statusit kandidat. “Dua t’ju siguroj se zëri i Bullgarisë dëgjohet në Bruksel, do ndihmojnë edhe vendin tuaj siç bëmë me Kroacinë. Do t’ju japim kontribut për vendosjen e bisedimeve të aderimit me BE. Mund të shpresoni për votën tonë”, vuri në dukje Borissov.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha apeloi në adresë të opozitës parlamentare për të votuar kriteret e BE për marrjen në dhjetor të statusit. “Kërkesat janë në Kuvend dhe është duke u punuar për to dhe ne ofrojmë konsensusin më të madh të mundshëm brenda kuadrit kushtetues. Unë shpresoj se nuk ekziston pengesa për t’i votuar ato. Natyrisht qeveria s’ka 3/5 e votave për të miratuar këto ligje pasi 2 prej tyre janë ligje organike. Cilido që të jetë qëndrimi i opozitës kjo varet nga kryetari i opozitës. Gjatë Kongresit të PPE-së unë kam biseduar për problemin e integrimit për çdo kryetar qeverie që ndodhej në kongres. Natyrisht kërkesa ime ka qenë shumë korrekte dhe këtë iu paraqita edhe mikut tim, mbështetje nëse miratohen ligjet dhe nuk mund tu kërkojmë të tjerëve atë që nuk e bëjmë vetë, ky është dhe do mbetet qëndrimi im i ndershëm dhe i prerë. Qytetarët na kanë votuar që të votojmë në parlament dhe jo të bllokojmë dhe ky është një proces detyrimisht që kërkon gjithë-përfshirje. Ky është rregulli i integrimit”, u shpreh Berisha, gjatë fjalës së tij në këtë konferencë.
Por përveç mbështetjes në fushën ekonomike, kryeministri i Bullgarisë ka parashtruar për Kryeministrin Berisha dhe një kërkesë. “Ne mbështesim Shqipërinë për ndërtimin e HEC-eve. Njëkohësisht kemi një kërkesë për Shqipërinë që ajo të eksportojë bitum në Bullgari pasi ka rrugë që janë ndërtuar në vendin tonë me bitumin e ardhur nga Shqipëria. Jemi të gatshëm të marrim të gjithë sasinë që ka vendi juaj”, deklaroi kreu i qeverisë së Bullgarisë, Boiko Borissov.
Pas takimit mes dy kryeministrave dhe bisedimeve mes delegacioneve u nënshkruan tre marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve.

Kryeministrat Berisha dhe Borissov i përgjigjen interesit të medias

Zoti Borissov, cili do të jetë kontributi i Bullgarisë që Shqipëria të marrë në dhjetor statusin e vendit kandidat?
Do të filloj me vlerësimin që ka Komisioni Evropian. Dua t’ju siguroj se zëri i Bullgarisë do të dëgjohet në Bruksel. Ashtu siç e kemi ndihmuar Kroacinë, do të ndihmojmë edhe vendin tuaj. Ne mund t’i japim një kontribut të madh Shqipërisë në procesin e bisedimeve që do të vendosen midis shtetit tuaj dhe Bashkimit Evropian, bisedimet e aderimit, pasi ne mund t’ju ndihmojmë me përvojën tonë, edhe pozitive, edhe negative. Mund t’ju siguroj se në momentin kur do të vendoset votimi, mund të shpresoni për votën e Bullgarisë, Ju siguroj. 

Zoti Berisha, sa optimist jeni që brenda 20 dhjetorit ne t’i kemi përmbushur tri detyrimet e caktuara lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat në BE?
Lidhur me pyetjen, të tre ligjet që kërkohen me shumë të drejtë nga Komisioni Evropian që të miratohen nga parlamenti shqiptar, janë tashmë në parlament. Ne kemi ofruar dhe ofrojmë për përmbajtjen e  tyre konsensusin më të madh të mundshëm, brenda kuadrit kushtetues. Unë shpresoj dhe vlerësoj se nuk ekziston pengesa për t’i votuar ato. Natyrisht, qeveria nuk ka 3/5-at e votave për votimin e tyre, pasi dy prej tyre janë ligje organike. Se cili do të jetë qëndrimi i opozitës, a do të përdorë ajo pakicën për të bllokuar votimin e tyre, apo do t’i votojë, kjo varet nga kryetari i opozitës. Me mikun tim Borissov, javën e kaluar, ne ishim në Kongresin e Partive Popullore Evropiane. Unë dua të informoj shqiptarët se gjatë atij Kongresi, unë kam biseduar për problemin e integrimin me pothuajse çdo kryetar qeverie që ndodhej i pranishëm aty. Natyrisht, kërkesa ime ka qenë shumë korrekte dhe po këtë kërkesë i shtrova edhe mikut tim këtu; mbështetjen e tyre, në rast se votohen ligjet nga parlamenti ynë. Por nuk mund t’u kërkojmë të tjerëve atë që nuk bëjmë vetë. Ky është dhe do të mbetet qëndrimi im i ndershëm, i hapur dhe i prerë. Qytetarët na kanë votuar që të votojmë në parlament dhe jo të bllokojmë. Ky është një proces që kërkon detyrimisht gjithë përfshirje. Ky është rregulli i integrimit.

A keni diskutuar për mundësinë e eksportit të energjisë elektrike nga Bullgaria për në Shqipëri dhe, nëse po, si do të realizohet kjo?
Kryeministri Borissov: Ju ndoshta e dini se ne, deri në këtë moment, eksportojmë për në Shqipëri, përmes Kosovës dhe gjithashtu kemi ndërmend të ndihmojmë Shqipërinë dhe të ofrojmë mbështetjen tonë në ndërtimin e hidrocentraleve. Unë kam një kërkesë për palën shqiptare; në qoftë se ka mundësi, Shqipëria të eksportojë bitum, një çështje kjo për të cilën u diskutua edhe gjatë bisedimeve midis dy delegacioneve. Ka rrugë në Bullgari që janë ndërtuar para shumë vitesh dhe janë aq të qëndrueshme dhe aq të mira, në sajë të bitumit të mirë shqiptar. Jemi të gatshëm të marrim tërë sasinë që disponon vendi juaj.
Kryeministri Berisha: Lidhur me këtë pyetje, sigurisht që bashkëpunimi në fushën e energjisë ka një rëndësi shumë të madhe dhe është parësor. Ne po bëjmë gjithçka për të zhvilluar lidhjet e interkonjeksionit me Maqedoninë dhe më pas me vendin tuaj. Po kështu edhe me Kosovën. Në Shqipëri janë në ndërtim e sipër dhjetëra e dhjetëra hidrocentrale. Janë shumë e shumë të tjerë që presin investitorë dhe jam i bindur se kjo vizitë e Kryeministrit Borissov do të jetë një inkurajim i madh për investitorët bullgarë, për të marrë pjesë në këtë proces. Është e vërtetë që bitumi i Shqipërisë është i cilësisë më të lartë, por, gjithashtu, ka një të dhënë tjetër të re shumë pozitive; rërat bituminoze të Shqipërisë janë të cilësisë më të lartë që mund të ekzistojnë, sipas studimeve që kanë bërë institutet shkencore të Milanos. Ato janë shumë më cilësore, sesa rërat kanadeze dhe të çdo vendi tjetër. Ato mjaftojnë për të shtruar të gjitha rrugët e Evropës. Unë sot pasdite, në forumin ekonomik dypalësh do të ftoj sipërmarrësit bullgarë që të vijnë e të investojnë në rërat bituminoze, si një material i shkëlqyer dhe me kosto të ulët të rrugëve.
Kryeministri Borissov: Së pari, me këtë rërë bituminoze dëshirojmë të bëjmë një rrugë shumë më të shkurtër mes dy kryeqyteteve.
Kryeministri Berisha: Me shumë kënaqësi  

Zoti kryeministër, a keni folur gjatë takimit tuaj, për ata shtetas shqiptarë që janë me origjinë bullgare, a do të kenë mundësi që të vetë-deklarohen si minoritarë bullgar dhe të kenë të drejta e liri si të tillë?
Unë mund t’ju garantoj se i përmbahem parimit se; në këtë vend, çdo qytetar i tij, të deklarojë lirshëm përkatësinë etnike që i përket dhe që e ndjen vetë. Unë besoj se ky është standardi që ne duhet të respektojmë. Nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë asnjë lloj kufizimi për qytetarët e këtij vendi, që të deklarojnë përkatësinë etnike që ndjejnë dhe dëshirojnë. Ne po luftojmë të gjithë që të ecim drejt një përkatësie sa më evropiane.

Marrëveshjet e nënshkruara dje midis qeverisë shqiptare dhe asaj bullgare

1. Marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës se Shqipërisë dhe Qeverise se Republikës se Bullgarisë
2. Protokolli ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës për periudhën 2013-2015
3. Protokolli ndërmjet Ministrisë se Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme në Republikës së Bullgarisë mbi zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›