E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, Prifti: Masa për sigurinë e jetës së minatorit

Siguria e jetës së njerëzve dhe vendosja e kontrollit të plotë të shtetit mbi aktivitetin minerar janë dy shkaqet që 4 ministri kryesore kanë vendosur të ndërhyjnë në Bulqizë. Kështu ka deklaruar ministri i ekonomisë Dritan Prifti pas një inspektimi në minierat e kromit të këtij rajoni.

"Qëllimi kryesor i kësaj është sigurimi i jetës së njerëzve, mbi të gjitha ne kemi marrë këtë iniciativë për të garantuar dhe siguruar jetën e minatorëve dhe të njerëzve që punojnë këtu. E dyta, për të disiplinuar aktivitetin dhe për ta ligjëruar atë që është jo aktivitet i ligjshëm, të kalojë nëpërmjet institucioneve të shtetit, pagesës së taksave, cdo lloj aktiviteti që është këtu", u shpreh Dritan Prifti, ministër i Ekonomisë.

Në takimin me drejtues lokalë dhe përfaqësues të task forcës të ngritur nga qeveria ministri Prifti ka paralajmëruar një monitorim të vazhdueshëm të situatës. "Do të përqëndrohem këtu në mënyrë permanente deri në stabilizimin e plotë të situatës dhe në vazhdimin e normalitetit të situatës. Do ketë përfaqësues të përhershëm, ashtu sic jeni ju të përhershëm dhe do ta keni në vemendjen tuaj situatën", tha Prifti.

Zona minerare e Bulqizës është ndër zonat më të pasura me krom në rang botëror. Por shfrytëzimi i saj gjatë gjithë këtyre viteve është shoqëruar me probleme të mëdha deri në humbje jetësh të minatorëve.

Adi Darsi < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›