Bulqizë, Raiffeisen Bank bllokon pagat e punonjësve
Këto ditë, punonjësit e ndërmarrjeve dhe ata buxhetorë, në Rrethin e Bulqizës, nuk kanë mundur të marrin pagat e tyre, pasi bankomati i vetëm i “Raiffeisen Bank” në qytetin e Bulqizës, të paktën që nga dita e hënë, ka qenë me defekt, jashtë përdorimit. Duke qenë e vetme, kjo degë e kësaj banke, me qendër në Burrel, në vazhdimësi ka nxjerrë mjaft probleme për likuidimin në kohë të pagave për punonjësit dhe administratën shtetërore të Rrethit të Bulqizës. Kjo edhe për faktin se marrja e pagave nga qytetarët, realizohet me anë të të vetmit bankomat të kësaj banke, i cili ndodhet në hyrje të saj, gjë që në vazhdimësi ka krijuar radhë të gjata për qytetarët. Por radhët me të cilat siç duket ne shqiptarët jemi mësuar, nuk janë i vetmi shqetësim për banorët e Bulqizës, pasi veç kësaj, shpeshherë bankomati rezulton të jetë edhe jashtë përdorimit, për arsye të ndryshme. Kështu ka ndodhur edhe me fillimin e kësaj jave, ku që nga dita e hënë, bankomati ka qenë jashtë funksionimit, përjashtuar vetëm të martën, kur ka punuar për pak orë, duke krijuar radhë sfilitëse për qytetarët. Ankesave të qytetarëve për defektet e shpeshta të bankomatit, nuk u përgjigjet asnjë nga drejtuesit e kësaj banke. Të pyetur për këtë problem, ata rrudhin krahët duke thënë: kemi njoftuar në Burrel dhe Tiranë, nga ku varet kjo degë banke. Ndërkohë zveniten dukshëm shpresat për zgjidhjen e këtij problemi në të ardhmen, pasi ngarkesa e të vetmit bankomat për zonën do të rritet më tepër. Kështu veç punonjësve të arsimit, shëndetësisë, minatorëve, administratës shtetërore të institucioneve dhe pushtetit lokal etj., në ditët në vazhdim edhe asistenca sociale dhe ndihma ekonomike për familjet në nevojë, me të ardhura të pakta dhe invalidët, do të tërhiqen nga kreditorët, nëpërmjet këtij bankomati.
#