E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri ka tagrin ta ndryshojë programin

Behar Gjoka*

Debati për letërsinë, pra për tekstin mësimor të kësaj lënde në shkollën e mesme, e ka zanafillën qysh nga viti i kaluar dhe lidhet me programin dhe tekstin e klasave 10, 11 dhe 12. Nga disa pedagogë të filologjisë, që janë edhe autorë tekstesh, është ngritur çështja e shkatërrimit të letërsisë, prej faktit se është futur lënda e integruar gjuhë dhe letërsi. Në pozicionin e studiuesit të letërsisë, jashtë rrjedhave zyrtare, mendoj se ka hapësirë për debat, por çfarëdo debati zgjidhjen do ta gjejë vetëm në institucionet që kanë tagrin që ta kryejnë këtë ndryshim thelbësor. Prandaj, besoj se zgjidhja duhet kërkuar dhe gjendet në morinë e hallkave, që kanë për detyrë ta zgjidhin këtë situatë, duke mos përjashtuar asnjë faktor. Me sa dimë, në shtetin ligjor, programimet dhe kurrikulat janë detyrë e Ministrisë së Arsimit dhe në rastet e moszbatimit të programeve, është po ky institucion që do të duhet të reagojë ndaj shkeljeve ose moszbatimit të programit dhe të linjave kryesore të politikës arsimore. Si institucioni i ngarkuar me programet lëndore, përveç hallkave të tjera brenda Ministrisë së Arsimit, është institucioni i kurrikulave. Nuk ka vlerë vendimmarrje, me gjithë të drejtën e debatit dhe të sugjerimeve të nevojshme, asnjë forum dhe institucion tjetër për ta ndryshuar situatën, sado i drejtë dhe parimor qoftë vendimi. Shtrimi i problemit nga pozicioni i mospranimit të programit, të hartuar nga dikasteri i arsimit, duke harruar ngarkesën mësimore, nivelin e teksteve të letërsisë që janë sot nëpër shkollat shqiptare, duke harruar se për këtë çështje ka edhe faktorë të tjerë, si komuniteti i mësueseve, i prindërve dhe nxënësve, të cilët në fund janë të interesuar për rezultatin, pra me çfarë teksti do t’i marrin shenjat dhe vlerat estetike, personalisht më duket me natyrë administrative. Mendoj se, debati do të ishte e udhës të shihej edhe në aspektet e pranisë së gjuhës dhe letërsisë, jo si të ndara si me thikë, e padyshim në këtë debat ka hapësirë edhe për gjuhëtarët, ku natyrshëm përplasen përvojat e zhvillimit të lëndëve si të ndara, të lidhura mekanikisht ose edhe si të integruara. Po ashtu, lidhja e debatit me historinë e letërsisë, në pikëpamje didaktike dhe metodike, duket e pavend, në kuptim e ngushtë të kësaj fjale, sepse teksti mësimor i shkollës së mesme, nuk mund ta marrë përsipër një hallkë që i përket specializimeve për letërsinë. Duhet ndarë aspirata e shkrimit të historisë së letërsisë shqipe, tashmë e shpallur nga Filologjiku, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Albshkenca, nga situata e programeve dhe teksteve për nxënësit e shkollës së mesme, të cilët marrin një nivel dije të programuar, në kuadrin e një reforme tërësore, si dhe të një kurrikule, që konsultohet me të gjithë faktorët, por që në fund vendimmarrja është atribut dhe detyrë e Ministrisë së Arsimit. Në këtë debat ka pak vlerë politika e strucit e dikasterit të arsimit, e cila vetëm ka heshtur dhe mbase është mjaftuar me deklaratën se po e zgjidh situatën duke i spostuar botuesit dhe duke vënë në qendër autorët e teksteve, pra pa iu qasur një problemi që është mirëfilli me pamje administrative dhe e politikës arsimore.

*shkrimtar, studiues letërsie

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›