E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Kosovës merr në mbrojtje manastiret serbe

Kundërshton Beogradi: KFOR të mos i braktisë monumentet

Qeveria në Serbi dhe serbët e Kosovës kanë kundërshtuar një hap të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, për t'i dorëzuar përgjegjësinë për ruajtjen e objekteve fetare dhe kulturore serbe policisë së Kosovës. Ministria serbe për Kosovën përmes një komunikate për shtyp e ka cilësuar të gabuar këtë vendim me të cilin “krijohet dyshim në qëllimin e sinqertë për të ruajtur dhe mbrojtur përherë monumentet historike, të cilat janë të një rëndësie kulturore për popullin serb”. Zyrtarë të KFOR-it kanë thënë se ky hap reflekton besimin që NATO-ja dhe kombet e saj kontribuuese partnere në KFOR, kanë në aftësinë e Policisë së Kosovës në kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme. Prej së enjtes, monumenti historik i Gazimestanit në dalje të Prishtinës, nuk do të mbrohet më nga forcat paqeruajtëse të NATO-s. Policia e Kosovës tashmë është përgatitur që të mbrojë dhe ruajë këtë objekt, në të cilin, çdo vit, në muajin qershor, serbët mblidhen për të përkujtuar Betejën e Kosovës të shekullit XIV. Vendimi për bartjen e përgjegjësisë për mbrojtjen e objekteve kulturore e fetare serbe është marrë nga Këshilli Veri Atlantik pas konsultimeve me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë, udhëheqësit vendorë dhe Policinë e Kosovës. Ky hap vjen në kohën kur misioni i NATO-s në Kosovë është pakësuar në numër dhe është ristrukturuar, duke iu përshtatur përmirësimit të situatës së sigurisë në terren. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, konfirmoi se pas monumentit të Gazimestanit, brenda pak ditësh policia do të marrë përgjegjësisë edhe mbi objektet tjera të trashëgimisë kulturore e fetare serbe. “Monumenti i Gazimestanit është i pari, përgjegjësia për të cilin bartet tek Policia e Kosovës, por shumë shpejt edhe objekte tjera do të barten në përgjegjësinë tonë”, tha zoti Kelani.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›