E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, banorët e tërmetit refuzojnë çadrat kolektive

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Mijëra banorë të komunave Gjoricë e Shupenzë përjetojnë ditë të vështira pas tërmetit të pesë ditëve më parë. Njerëzit vazhdojnë të jetojnë jashtë për shkak të dëmtimit të shtëpive dhe frikës se tërmetet mund të përsëriten e jeta e tyre mund të vihet në rrezik. Pranë zyrave të komunës janë grumbulluar edhe ditën e djeshme banorë të fshatrave të komunës Gjoricë. Ata kundërshtojnë ngritjen e një kampingu me 5 çadra në qendër të fshatit dhe kërkojnë çadra për t'i vendosur pranë shtëpive të tyre të dëmtuara. "Nuk mund të qëndrojmë në fushë të hapur pa ujë, pa banja, në të ftohtë. Si mund të flemë burra, gra, fëmijë, madje dhe pa lidhje të gjithë në një vend. Ne duam çadrat t'i vendosim në oborret e shtëpive tona se kështu ruajmë dhe pasurinë e shtëpisë, edhe bagëtitë dhe nuk kemi frikë se mund ta ndodhë diçka e keqe", thotë Fatmir Dedja. Mehmet Leci, mësues në profesion shprehet për "Panorama" se është e pesta ditë që banorët jetojnë me ankth e frikë, jo vetëm për përsëritjen e mundshme të lëkundjeve të tërmetit, por se nuk kanë besim se shtëpitë e tyre do të ndërtohen apo riparohen me fonde nga buxheti i shtetit. Në bisedë me banorët e fisit dhe ata të lagjes, Leci thotë se banorët e prekur nga tërmeti nuk kishin nevojë për nga 1 kilogram fasule. "Ne prodhojmë fasule jo vetëm për nevojat tona, por ndoshta për gjithë zonën e veriut. Berishës duhet t'i kishin thënë se banorët e Gjoricës nuk kanë nevojë për 1 litër vaj, 1 kg fasule dhe 1 kg sheqer. Banorët presin financim për ringritjen e shtëpive të dëmtuara rëndë dhe riparimin e atyre që janë dëmtuar lehtë". Megjithëse në ditë të vështira për shkak se shumica e njerëzve flenë jashtë, madje dhe pa çadra, banorët e Gjoricës gjejnë kurajë të etiketojnë mjediset e ngritura me mjete rrethanore si "dhoma e gjumit", "dhoma e pritjes", "kuzhina", etj. Ylvie Muça, një grua rreth të 40-ve, e lodhur dhe e stresuar se gjashtë fëmijët e saj vazhdojnë të flenë në qiell të hapur, madje në kushte mjaft të rënda ekonomike, sapo e takon pyet: "Çfarë thonë për shtëpitë tona? A do të ketë fonde për ngritjen e tyre? Ne me lekët e ndihmës ekonomike që marrim në komunë as nuk mund të ushqehemi dhe jo më të ndërtojmë shtëpinë e re". Mes banorëve është dhe Jurgen Prethi, 5-vjeçari i lënduar nga tërmeti. Babai i tij thotë se Zoti ka bërë mrekulli, duke i shpëtuar fëmijën. "Një copë e madhe tavani i ka rënë natën e tërmetit djalit në kokë, por fatmirësisht është akoma gjallë. E gjeta të mbërthyer në rroba teksa qante. Ishte errësirë e plotë, arrita ta nxjerr jashtë dhe pastaj me ndihmën e një elektriku dore pashë se djali kishte rrjedhje të madhe gjaku. E dërguam në spital dhe jam i gëzuar që nuk ka probleme".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›