E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuhiu: Dua një fanellë kuqezi

 

Ishte njeriu i ndeshjes në përballjen e së mërkurës në Vjenë ndaj Shqipërisë "së vogël" të Artan Bushatit. Shënoi dy gola për vendasit, duke ndëshkuar sipas tij skuadrën për të cilën ai ëndërron të luaj, Shqipërinë. I lindur në Prishtinë, Atdhe Nuhiu ka pohuar disa herë në media se dëshiron të vishet kuqezi, por deri tani për FSHF-në ai është thjesht një i panjohur. "Ishte një ndeshje shumë e veçantë për mua. Isha tepër i emocionuar dhe nuk dija si të veproja. Mezi prisja sa të fillonte takimi që të paktën të çlirohesha nga ajo ndjenë emocionuese. E dija që do të ishte e vështirë për mua të luaja ndaj kombit tim të zemrës. Ndodhi që edhe shënova dy herë", është shprehur në një intervistë pas ndeshjes për albaniasoccer, sulmuesi shtatlartë i skuadrës U-21 të Austrisë. Futbollisti është takuar edhe me trajnerin e Shpresave, Artan Bushati, në fund të takimit si dhe me të gjithë lojtarët shqiptarë. "Në fund të ndeshjes ndërrova fanellën time me atë të Kombëtares shqiptare dhe do ta mbaj kujtim. Ishte mrekulli. Ndoshta së shpejti do të më realizohet dëshira që ta vesh edhe unë në fushë atë bluzë, që çdo ditë e më shumë e kam në zemër. Gjithashtu u takova me shumicën e lojtarëve shqiptarë dhe me trajnerin Bushati. I urova suksese dhe gjithashtu nuk munguan edhe nga ai fjalët e mira, komplimentet dhe urimet për suksese të mëtejshme", tregon i emocionuar Nuhiu. Sulmuesi u zëvendësua në pjesën e dytë nga trajneri austriak Herzog dhe menjëherë nga stadiumi nisën fërshëllimat nga shumë tifozë shqiptarë. "Kur u zëvendësova, hodha sytë rreth e qark tifozerisë dhe pashë më shumë tifozë shqiptarë sesa austriakë. U habita, për vetë faktin se u preka nga mënyra se si reaguan duke më fërshëllyer. Por i kuptoj fansat shqiptarë që reaguan në atë mënyrë, se për momentin po luaj vetëm me U-21 të Austrisë, ndërsa kur të vijë puna te Kombëtarja e madhe do të zgjedh veçse Shqipërinë", ka pohuar Nuhiu.                                  L.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›