Zjarri në shina bllokon trenin 20 minuta
SHKODER - Një zjarr i rënë në mes të linjës hekurudhore Shkodër-Lezhë bllokon për 20 minuta trenin e mesditës. Flakët janë shfaqur në fshatin Baqel të Komunës Bilinisht, rrethi Lezhë. E favorizuar nga era, vatra e zjarrit është përhapur duke përfshirë rreth 4 hektarë shkurre e bimësi të thatë. Banorët e zonës ishin të parët që dhanë alarmin, nga frika se flakët do t'u afroheshin shtëpive të tyre. Por, kur zjarrfikësit kanë mbërritur në vend kanë konstatuar se zjarri po rrezikonte linjën hekurudhore, e vetmja që lidh veriun me pjesën tjetër të vendit. Veç bimësisë përreth flakët mbuluan dhe rreth 400 metër të segmentit hekurudhor, me rreth 160 copë traversa. Me urgjencë zjarrfikësit kanë vepruar, për të shuar flakët, që mund të përpinin plotësisht dërrasat. Në këtë kohë, treni i drekës, i nisur nga Tirana drejt Shkodrës është bllokuar në qytetin e Lezhës, rreth orës 15:00. Për rreth 20 minuta është mundësuar vënia nën kontroll e zjarrit dhe shuarja e plotë e tij. Sipas specialistëve të hekurudhës, flakët nuk kanë dëmtuar trasenë, duke bërë që të mos pengohet lëvizja e trenit. Hetimet kanë nisur për të verifikuar shkakun e rënies së zjarrit. Dyshohet se ndonjë bisht cigareje, hedhur nga vetë banorët e zonës, mund të ketë provokuar nisjen e zjarrit. r.d