E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, dita e 21-të e grevës,minatorët ftojnë Arvizun t'i takojë në galeri

BULQIZE - Është përkeqësuar më tej gjendja shëndetësore e minatorëve në nëntokën e Bulqizës në ditën e 21-të të grevës së urisë, ndërkohë që dje 13 të ngujuarve 1400 metra në thellësi iu është bashkangjitur dhe minatori Gentian Ndreu, i cili para disa ditësh, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore u detyrua të shkojë për ndihmë mjekësore në spital. Ndreu është futur në galeri, ku ndodhen grevistët në mënyrë të fshehtë, ndonëse mjekët ia kanë ndaluar një gjë të tillë.

Nisur nga dështimi i nënshkrimit të marrëveshjes me ACR-në, përfaqësia e grevistëve i ka bërë një thirrje publike ambasadorit amerikan në Tiranë, Z. Arvizu, që "si përfaqësues i vendit model të respektimit të të drejtave të njeriut, të vijë e të na shikojë në galeri, ku jemi në grevë urie prej 20 ditësh". 

Po dje minatorët konfirmuan përshkallëzimin e protestës, duke shtuar numrin e grevistëve të urisë dhe vendimin për bllokim të aksit nacional, nëse negocimi me ACR-në do të vonojë përtej ditës së hënë. Në orët e para të ditës së shtunë, minatorët e grevës së urisë i ka takuar deputeti i PD-së, Bedri Hoxha, duke u premtuar dhe mbështetjen e tij në mbledhjen e parë të parlamentit, në funksion të zgjidhjes së problemeve. "Gjendja shëndetësore e grevistëve është e rëndë, ndaj kërkohet që dialogu mes palëve dhe zgjidhja të mos vonojë. Unë do e bëj prezent shqetësimin e tyre duke kërkuar rrugët e zgjidhjes në mbledhjen më të afërt të parlamentit", - pohoi ai. Po ditën e shtunë, nëpërmjet deputetes Erisa Spiropali, lidhur me situatën e grevistëve ka reaguar dhe Partia Socialiste. "Mbështesim dialogun me ACR-në, por zgjidhja duhet e shpejtë", - shtoi ajo.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›