Ankesat e të pavarurve për pagat e rinovuara
• Disa prej institucioneve të pavarura nuk e kanë pritur mirë projektvendimin e qeverisë, duke bërë edhe sugjerimet e tyre, shumica e të cilave nuk është marrë parasysh.Kështu, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka kërkuar që pagat e këtij institucioni të përcaktohen duke iu referuar Bankës së Shqipërisë. Por ky sugjerim nuk është pranuar nga Bode e Nishani, sipas të cilëve ky institucion është pjesë e ligjit të vitit 2006 dhe pagat e nëpunësve civilë, nëpunësve të kabinetit dhe punonjësve mbështetës të referohen me pagat e ministrive të linjës. Në të njëjtën kohë AMF-ja ka kërkuar që pozicionet “specialist”, “përgjegjës sektori” dhe “drejtor drejtorie” që kanë mbaruar arsimin e lartë në degët “akuaristikë” apo “matematikë”, të kenë një shtesë për kushte pune prej 15 mijë lekësh të reja, por edhe ky sugjerim nuk është marrë parasysh. Ndërkohë edhe ILDKP-ja ka bërë vërejtje për kategoritë “inspektor i lartë dhe “ndihmësinspektor i lartë” në ILDKP. Sipas këtij institucioni, ILDKP-ja ka buxhetin e saj të caktuar nga Kuvendi, i cili vendos numrin dhe pagat e punonjësve të tij. Në ligjin e vitit 2003, sipas ILDKP-së, inspektorët janë të përcaktuar në kategorinë I-a dhe ndihmësinspektorët e lartë në kategorinë II-a. Ndërsa Enti Rregullator i Energjisë ka kërkuar që pagat e punonjësve mbështetës të mos përfshihen në këtë vendim, pasi ata kanë paga të larta. Por kjo vërejte nuk është marrë parasysh. Përveç institucioneve të pavarura vërejtje ka pasur edhe Ministria e Drejtësisë, sipas së cilës duhet të rishikohen pozicionet “drejtor kabineti”, “këshilltar” dhe “zëdhënës”, me argumentin se këto institucione nuk prodhojnë politikë. Por, sipas Bodes e Nishanit, këto emërtesa janë të parashikuara të jenë në përbërje të institucioneve që bëjnë pjesë në fushën e veprimit të ligjit të vitit 2007.