Ja pagat e reja për nëntë institucione të pavarura
• Qeveria ka përcaktuar dje strukturën e re të pagave për nëntë institucione të pavarura.Kështu nga vendimi për miratimin e strukturës dhe niveleve të pagave të nëpunësit civil, institucionet që do të preken janë Komisioni i Shërbimit Civil, Autoriteti i Konkurrencës, Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Enti Rregullator i Telekomunikacionit, Enti Rregullator i Energjisë, Enti Rregullator i sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit të përpunimit të ujërave të ndotura, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit dhe Avokati i Prokurimeve. Gazeta boton sot të plotë projektvendimin për strukturën e re të pagave për këto institucione të pavarura të miratuar dhe në mbledhjen e qeverisë. KriteretNë vendim, krahas pagës mujore për secilin nga titullarët e institucioneve janë miratuar edhe kriteret për përftimin e shtesës mbi pagën. Për nëpunësit civilë dhe nëpunësit kjo shtesë do të jepet në kushtet e përputhjes së kualifikimit, gradës apo titullit shkencor, me përshkrimin e pozicionit të punës, pas miratimit rast pas rasti nga njësitë e personelit. Në rastin kur nëpunësi civil apo nëpunësi ka kualifikim, gradë apo titull më të lartë se ai i përcaktuar për pozicionin e punës, ai përfiton vetëm shtesën e përcaktuar nga pozicioni. Ndërkohë, në rast se nëpunësi ka kualifikim, gradë apo titull më të ulët se ai i përcaktuar nga pozicioni i punës, ai përfiton shtesë në përputhje me kualifikimin, gradën apo titullin që ka. Gjithashtu për këto nëntë institucione të pavarura janë përcaktuar edhe pagat për drejtorin e kabinetit të titullarit të institucionit, këshilltarin, zëdhënësin si dhe sekretarin e titullarit dhe sekretarin e organit kolegjial drejtues. Për këto institucione, aplikimi i shtesës për kualifikim do të zbatohet konform rregullave dhe udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave dhe DAP-it. “’Specialistët’, ‘Përgjegjësit e sektorit’ apo ‘Drejtorët e drejtorive’, të cilët punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së administratës publike dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, arsimin e lartë, në degët ‘Inxhinieri elektronike’ apo ‘Informatikë’, përfitojnë një shtesë ‘Për kushte pune’, prej 15.000 lekësh mbi pagën mujore të kategorisë përkatëse, pas miratimit, rast pas rasti, nga njësitë e personelit të çdo institucioni”, thuhet më tej në këtë vendim. Ndërkohë, në relacionin e hartuar nga ministrat Nishani dhe Bode thuhet se, “ky projektvendim propozon pikërisht realizimin e detyrimit ligjor për rregullimin e pagave të nëpunësve civilë/nëpunësve, nëpunësve të kabineteve dhe punonjësve mbështetës, të këtyre institucioneve, pasi pagat e titullarëve apo anëtarëve të organeve kolegjiale me kohë të plotë, janë parashikuar në ligjin e sipërcituar, në raport me pagën e Presidentit të Republikës. Në të njëjtën kohë, në këtë projektvendim janë marrë parasysh, sipas relacionit, edhe shtesat mbi pagë që përfitojnë nëpunësit civilë në Kryeministri dhe ministritë e linjës. Ndërkohë shtesat për kualifikim shkencor dhe për punonjësit e IT-së do të miratohen rast pas rasti nga njësitë e personelit, për vetë faktin se institucionet që bëjnë pjesë në fushën e veprimit të këtij vendimi janë institucione të pavarura dhe zbatojnë legjislacionin e shërbimit civil.