E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, ekzekutohet me armë zjarri roja i fabrikës së mermerit

BULQIZE Ekzekutohet me dy plumba roja i fabrikës së mermerit Guri i Kuq, Kovashicë, në rrethin e Bulqizës. Petrit Leka, lindur e banues në fshatin Zogje, komuna Shupencë e Bulqizës, është gjetur dje në mëngjes i pajetë, në afërsi të vendit të punës. Burime policore bëjnë të ditur se 55-vjeçari u gjet nga punëtorët e fabrikës. Policia bëri me dije se shumë shpejt ka mbërritur në vendin e ngjarjes grupi hetimor dhe nën drejtimin e prokurorëve të rrethit gjyqësor Dibër kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga hetimet paraprake janë hedhur dy pista dyshimi për vrasjen e babait të tre fëmijëve. Pista e parë e hetimit ka të bëjë me përpjekjen e disa grabitësve për të vjedhur mermer ose materiale të tjera në brendësi të fabrikës dhe pista e dytë lidhet me mundësinë e një konflikti për vendin e punës. Nga këqyrja e kryer mbi kufomën, atij i janë gjetur dy plumba në gjoks, shkaktuar nga një armë automatike. Pavarësisht krismave të automatikut, asnjë nga banorët e zonës nuk ka dyshuar për ngjarjen, duke menduar se po festohej për kandidatin fitues, i shpallur pas zgjedhjeve të 8 majit në komunë. Vetëm kur punëtorët e fabrikës së mermerit kanë shkuar në punë, në orët e para të mëngjesit, kanë pikasur trupin e rojës së fabrikës pa asnjë shenjë jete. Menjëherë kanë lajmëruar policinë, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes, duke konstatuar faktin se bëhej fjalë për një krim. Aty janë gjetur dy gëzhojat e armës automatike, por asnjë shenjë të autorëve. Pas vënies së alarmit për krimin është kryer kontroll në të gjithë zonën, megjithatë, deri në mbrëmjen e djeshme autorët vazhdonin të ishin të paidentifikuar nga policia.                                h.p

Pistat e krimit të 55-vjeçarit

Dy pista ka ngritur policia për vrasjen e rojës 55-vjeçar Petrit Leka. Njëra prej tyre është ajo e krimit nga persona që kanë tentuar të vjedhin brenda në fabrikë. Ndërsa tjetra, ajo e një konflikti personal të vetë viktimës apo familjarëve të tij. Policia po punon për të dyja rastet, me qëllim nxjerrjen e motiveve dhe identifikimin e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›