E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, grevistët kërkojnë ekip të specializuar mjekësh

Shëndeti i 16 grevistëve në minierën e Bulqizës është rënduar dhe ata kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë një ekip të specializuar mjekësh. Ka qenë përfaqësuesi i tyre, Taf Koleci, i cili nëpërmjet mikrofonit të “ORA NEWS”, e cila transmeton live nga Bulqiza grevën e minatorëve, ka kërkuar dialog me krereët e “ACR” dhe ekip të specializuar mjekësh.

“I kërkojmë Ministrisë së Shëndetësisë të dërgojë ekip të specializuar mjekësh, sepse gjendja është tepër e rëndë. Nëse firma kërkon vdekje, atëherë është gjë tjetër. Ne kërkojmë të ulemi për të nënshkruar marrëveshjen dhe të fillojmë punën”, u shpreh ai. Ndërkohë që Koleci ka deklaruar se minatorët nuk janë vënë në dijeni të asnjë plotësimi të kërkesave të tyre nga ana e firmës si dhe ka hedhur poshtë pretendimet e përfaqësuesve të “ACR”, për dhunim.
 

Ditën e sotme në ambientet e grevës së urisë, është rikthyer edhe minatori i cili dje ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grevistët shprehen të vendosur në vijimin e grevës dhe protestave deri në realizimin e kërkesave të tyre.
 

Minatorët kërkojnë uljen e moshës së pensionit, rritjen e pagës nga 20 deri në 40%, përmirësim të kushteve të punës si dhe largimin e administratorit të “ACR”.
 

Më herët edhe gratë kanë deklaruar se janë të gatshme për t`u futur në grevë urie, për t`u sensibilizuar me 16 minatorët e ngujuar në 1400 metra nën tokë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›