E Diel, 1 Nëntor 2026

Interpoli kërkon 500.000 mjete të vjedhura, policia në aksion

DURRES Një listë e detajuar makinash e motorësh të vjedhur në vende të ndryshme të Europës, ka mbërritur pranë strukturave të policisë në Durrës. Ka qenë Interoli dërguesi i tyre. Këto lista disponohen nga sektori i luftës kundër krimit ekonomik-financiar, nga policia kufitare dhe migracionit si dhe nga policia e qarkullimit rrugor. Lista e freskuar ka mbërritur gjatë ditëve të fundit për shkak të fluksit të madh të automjeteve në këtë sezon veror ku mund të penetrojnë edhe automjetet e vjedhura. Një pjesë e këtyre mjeteve tashmë e kanë kaluar traun e doganës.
AKSIONI
Struktura kundër krimit financiar në policinë e Durrësit në bashkëpunim me homologët e sektorëve të tjerë, ditën e mërkurë kryen arrestimin e 38-vjeçarit Gentian Bilali, banues në qytetin e Durrësit. Arrestimi i tij u krye në lagjen nr. 11 të qytetit teksa po qarkullonte automjetin e tij të markës “Volswagen” me targë BK 388 NM. Nga kontrolli i kryer rezultoi se dokumentacioni i automjetit ishte i falsifikuar dhe targa i përkiste një mjeti tjetër. Ai akuzohet për falsifikim vulash, stampash e formularësh. Automjeti u bllokua nga forcat e policisë. Ndërkaq 2 persona të tjerë u proceduan se futën në territorin tonë mjete, të cilat rezultojnë të vjedhura jashtë vendit. Kështu filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të 47-vjeçares R.B., banuese ne fshatin Bukaq, Kavajë. Ajo, rreth orës 09:00 të ditës së mërkurë është paraqitur para kontrollorëve të policise kufitare të portit të Durresit pas zbarkimit nga një nga tragetet e ardhur nga Italia, me motorçikletën ´Kawasaki´ me targë AK-69254, mjet i cili nga verifikimet e kryera në bazën e të dhënave rezultoi i vjedhur ne Itali me datën 2 maj 2010. Po ashtu në gjendje të lirë u procedua edhe 27-vjecari M.M, banues në Spille të Kavajës. Ai, rreth orës 02:00, pas zbarkimit nga trageti i linjës Bari-Durrës, u paraqit për regjistrim pranë shërbimeve të policisë kufitare së bashku me mjetin që drejtonte, një “Benz 220 CDI” me targë BF551SD. Sipas verifikimeve të para ky automjet rezultoi i vjedhur në Itali më datën 2 tetor 2010. Lidhur me dy rastet e mësipërme u krye bllokimi i automjeteve dhe dokumentacionit të tyre dhe materialet e para hetimore për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike u kaluan për ndjekje prokurorisë së rrethit, Durrës.
INFORMACIONI
Burime nga policia bëjnë me dije se listat e mbërritura në Durrës nga Interpoli gjatë viteve të fundit bëjnë fjalë për disa mijëra automjete të vjedhura në vendet e Europës e që mendohet se gjenden në vendin tonë. Këto lista janë freskuar së fundmi me 150 automjete të tjera të vjedhura që mendohet se kanë hyrë në territorin tonë. Sipas statistikave të Interpolit rezulton se për çdo vit në Europë vodhën 500 mijë automjete prej të cilave 200 mijë nuk gjenden më. Listat e makinave të vjedhura janë të pasqyruara në sistemet e instaluara edhe në kompjuterat e policisë kufitare. 90 për qind e makinave që hyjnë në territorin e vendit tonë kalojnë nëpërmjet portit detar të Durrësit.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›