E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, minatorët grevistë ndërpresin kontaktet me jashtë

BULQIZE- Në ditën e 6-të të grevës së urisë minatorët grevistë të Bulqizës kanë vendosur të ndërpresin cdo lloj komunikimi me sipërfaqen. Çka do të thotë se në galeri, 1400 metra nën tokë, nuk mund të hyjë dot askush, as mjek, as gazetar dhe as kolegë të tjerë, raporton korrespondenti i NEWS24.

Gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e rëndohet ndërkohë që asnjë përfaqësues i ACR e as nga qeveria nuk kanë marrë kontakt me grevistët.

Ata shprehen të vendosur të vazhdojnë grevën. Dy prej tyre humbën dje ndjenjat. Pak orë pas mesditës, dy minatorët patën marrje mendsh, rënie të tensionit dhe komplikime të tjera me gjendje të fikëti.Sipas mjekëve përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të grevistëve shkaktohet nga mungesa e ajrit në galeri.
Po dje u rikthye në këtë ambjente grevisti, gjendja shëndetësore e të cilit dy ditë më parë ishte tepër e rëndë.

Ndërkohë, janë 100 minatorë e të afërm të tyre, që deklaruan dje se janë gati t’i bashkohen grevës së urisë në galeri.
Në kërkesat e minatorëve grevistë përfshihet rritja e pagave në masën 40 për qind, largimi i drejtorit të deritanishëm të minierës së Bulqizës, si dhe përmirësim të kushteve të sigurisë në punë për minatorët. Kompania ACR ka rënë dakord të plotësojë vetëm një pjesë të këtyre kërkesave.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›