E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, minatorët pritet të rinisin sot protestat

Minatorët e Bulqizës pritet të rinisin sot protestat për t`i kërkuar kompanisë ACR të zgjidhë përfundimisht të gjitha pikat e kërkesave të tyre.
Ata kanë paralajmëruar sërish protesta dhe greva, në rast të mos mosmbajtjes së fjalës nga ana e kompanisë ACR, e cila ka pranuar plotësimin e pjesës më të madhe të kërkesave të tyre.
 

Pritet që protestat të rinisin përpara zyrave të firmës ACR dhe nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje minatorët kanë kërcënuar se do të vazhdojnë grevën jo më në galeri, por pikërisht përballë godinës së përfaqësuesve të kompanisë së huaj.
 

Ndërkohë ditën e djeshme, policia e Bulqizës ka bërë shoqërimin e 10 minatorëve në polici të cilët akuzohen për organizmin e grevës dhe protestave. Mes të ndaluarve kanë qënë edhe kreu i Sindikatës së minatorëve, Dilaver Përkoca si dhe kryetari i grevës Luan Nika.

Ditën e shtunë minatorët e Bulqizës i dhanë fund grevës 27- ditore pas negociatave mes tyre dhe forcave RENEA për të ndërprerë grevën dhe për të dalë në sipërfaqe ndërsa janë shprehur të vendosur për ta vijuar atë nëse nuk do të arrihet një marrëveshje.
 

Ndërkohë prej javësh, pritet një marrëveshje mes ACR-së dhe Sindikatës së Minatorëve të Bulqizës për të plotësuar kërkesat e minatorëve. Më parë, të dyja palët kanë arritur konsensus për rritjen e pagës me 20 për qind dhe kryerjen e investimeve në minierë ndërsa ka mbetur një pikë tjetër ende pa u zgjidhur, ajo e largimit të drejtorit të minierës Medat Zogu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›