E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, miniera përpiu që nga diktatura 260 jetë

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Herë pas here, në vend të vagonëve me krom, minatorët e Bulqizës kanë nxjerrë nga galeria trupat e kolegëve të tyre.  Ky është kthyer në një ritual të frikshëm, aq sa miniera perceptohet nga bulqizakët se ajo po i vret ata një e nga një. Banorët janë të zhgënjyer nga degradimi, sipas tyre, i kësaj miniere. Dikur në të punonin 12 mijë minatorë. Fuqia punëtore, e motivuar edhe nga parullat e sistemit të kohës, kishte bërë që sasia e kromit të nxjerrë nga galeritë të ishte në shifra marramendëse. Por tashmë kjo galeri është kthyer në agoni. Koncensionarët, ndonëse me premtime e me projekte të skicuara në dhjetëra fletë, nuk garantojnë asnjë kusht sigurie për jetën e minatorëve. Nuk ka shifra zyrtare, por mendohet se nga dita e funksionimit të kësaj miniere, e cila daton në vitin 1948, të kenë vdekur 260 minatorë. Këtu përfshihen edhe të burgosurit politikë, që punonin në vitet e diktaturës në të. Në dy vitet e fundit në minierë kanë humbur jetën 16 minatorë. Ata kanë lënë pa bukë e jetimë fëmijët, për të cilët sot nuk kujdeset askush.
Në rreth 50 vite nga hapja e kësaj miniere, ajo dha rreth 14 milionë tonë krom. Megjithatë, vetë qyteti i Bulqizës nuk përfitoi asgjë nga guri i “çmuar” që u zbulua nga një banor i zonës në vitin 1940. Hamit Duriçi po kulloste bagëtinë kur gjeti një gur të zi, me shkëlqim, më i rëndë nga gurët e tjerë. Ai ia dorëzoi atë një oficeri italian, që vepronte në zonë. Italianët kërkuan që të mblidheshin këta gurë të veçantë. Banorët filluan ta mbledhin e ta transportonin me mushka në Qafën e Buallit. U grumbulluan 2 mijë tonë krom, por italianët nuk mundën ta merrnin atë në vendin e tyre. Në vitin 1948, një ekip inxhinierësh nga Tirana realizoi shpërthimet e para të minave. Puna nisi me 30 punëtorë nga Dibra, Mati dhe Mirdita. Minerali nxirrej në sipërfaqe me karroca dore. Pas 10 vitesh u vendos shfrytëzimi me galeri nënkati.
Por në vitet ’90, pamundësia e shtetit solli problemet e para. Nga 12 mijë punëtorë, ai ra në 7 mijë, më pas në 2500 e deri në 1200 minatorë në prag të privatizimit të saj. Në vitin 2001, miniera u privatizua, duke u marrë me koncesion për 30 vjet nga një firmë italiane. Numri i punëtorëve u ul në rreth 660, duke shkaktuar probleme të mëdha sociale për 12 mijë banorët e Bulqizës, pasi puna në minierë ishte i vetmi burim jetese për ta. Por edhe firma italiane u tërhoq, dhe aktualisht miniera administrohet me koncesion nga firma ruso-austriake “ACR”.
Tashmë në Bulqizë kanë mbetur dhjetëra fëmijë jetimë, gra të veshur me të zeza e nëna që ende nuk u janë tharë lotët. Ndonëse baballarët kanë mbetur në galeritë e thella të minierës, jetimët e mitur vijojnë të rrezikojnë në grumbujt e kromit. Ata e mbledhin atë për ta shitur pasi nuk kanë asnjë të ardhur tjetër në familje. Miniera vijon të marrë jetë, por megjithëkëtë, sindikalistët së fundmi janë “zbutur”. Thuhet se “pronarët” ua kanë gjetur anën. Nuk bëhet fjalë për protesta apo deklarata si më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›