Fier, eksploziv banesës së të moshuarve
FIER - Një shpërthim i fuqishëm ka alarmuar banorët e lagjes “15 Tetori” në Fier. Rreth 30 minuta pas mesnate, në oborrin e një banese, në një zonë ku ndodhet dhe Partia Socialiste, është hedhur një sasi eksplozivi. Zhurma e shpërthimit ka qenë tepër e fortë, kjo dhe për shkak të orës në të cilën ndodhi. Sipas policisë, banesa u përket dy të moshuarve, ndërsa kryefamiljari Kozma Toska ka qenë mësues me profesion. Ai jeton vetëm me të shoqen në banesë, pasi dy fëmijët prej vitesh janë në emigracion. Nga shpërthimi i lëndës plasëse, ende e papërcaktuar, ata nuk janë lënduar, ndërsa ka pasur dëme materiale, si: thyerje xhamash dhe dëmtim të portës së jashtme. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke kryer veprimet e para, por pa arritur të nxjerrë një përfundim mbi motivet e saj. Çifti Toska nuk ka pranuar të ketë pasur ndonjë konflikt me persona të tjerë. Ndërsa po hetohet dhe pista e gabimit në shënjestër, ende nuk është dalë në një konkluzion të tillë, pasi dhe godinat pranë i përkisnin fisit Toska. Policia ka mbledhur materiale, në cilësinë e provës, duke pasur si synim kryesor identifikimin dhe kapjen e autorëve të vendosjes së eksplozivit. Gjatë ditës së djeshme, veç dëshmitarëve nuk ka pasur të shoqëruar të dyshuar për ngjarjen. m.r