Pranimet në universitete, kuotat ngecin në qeveri
Kuotat e pranimit në universitete për vitin e ri akademik kanë ngecur në qeveri. Burime nga Ministria e Arsimit pohojnë se mbetet vetëm miratimi i Këshillit të Ministrave. Por ndërkaq, ashtu siç ishte premtuar, këtë vit pritet që në auditorë të ulen më shumë studentë. “Në propozimet që ne kemi bërë janë marrë parasysh të gjitha kërkesat që kanë ardhur nga shkollat e larta”, sqaruan burime nga MASH. Sakaq Universiteti i Tiranës, pas përcaktimit të rreth 7000 kuotave për sistemin me kohë të plotë, ka vendosur të rrisë edhe pranimet në Part-time. Kështu janë pikërisht 2360 kuota për maturantët, të cilët nuk do të kenë mundësi të fitojnë të drejtën e studimit ditën në universitet. Sa i përket kritereve të pranimit, do të jenë vetë fakultetet që do t’i vendosin. Në degë të caktuara do të këtë prioritet mesatarja, ndërsa aty ku kërkesat do të jenë më të ulëta se kuotat, kriteret nuk do të merren parasysh. Fakulteti i Ekonomikut do të shënojë rekordin më të lartë të pranimeve për sistemin part-time, përkatësisht me 1270. Ndërsa në fakultetin e Histori-Filologjisë do të akomodohen rreth 450 kandidatë. I treti në listë renditet Fakulteti i Drejtësisë, për të cilin janë propozuar si kuota të mundshme pranimi rreth 400 vende, ndërsa Fakulteti i Infermierisë do të ofrojë studime të pjesshme në degën e infermierisë së përgjithshme, për të cilën janë kërkuar rreth 300 kuota. Gjithashtu pranë Fakultetit të Shkencave Sociale do të akomodohen edhe 240 kandidate të tjerë. Ndjekja e studimeve të larta me kohë të pjesshme do të shoqërohet me rritje të faturës financiare, që aplikuesit do të duhet të paguajnë për vitin akademik. Ndonëse nuk janë përcaktuar ende tarifat përfundimtare për të gjitha programet e studimit, vetëm për degën e biologjisë, tarifa e studimit do të jetë rreth 1 milion lekë (të vjetra). Ndjekja e programit të dytë të studimit pranë Fakultetit të Shkencave Sociale do të kushtojë rreth 60 mijë lekë, ndërsa masteri i nivelit të parë një-vjeçar do të kushtojë rreth 360 mijë lekë. Gjithashtu edhe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës do të ofrohet masteri i nivelit të parë, i cili do të kushtojë rreth 50 mijë lekë. Njësoj si vitin e kaluar edhe në sistemin me kohë të pjesshme, një student duhet të grumbullojë 60 kredite për të kaluar nga një vit akademik tek tjetri. Vjet me rihapjen e këtij cikli studimesh u bënë ndërhyrjet përkatëse në kurrikula, në mënyrë që të kishte të njëjtën vlerë si sistemi me kohë të plotë. Kjo ndërhyrje erdhi pasi vetë drejtuesit e arsimi e panë jo të udhës që diploma të ishte e njëjtë, ndërkohë që kohëzgjatja e programeve ndryshonte.
Propozimet për Part-time
Universiteti i Tiranës
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë 450
Fakulteti i Ekonomisë 200
Fakulteti i Infermierisë 300
Fakulteti i Shkencave Sociale 240
Fakulteti i Drejtësisë 400
Kuotat për trojet
Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi,
Preshevë-Bujanovc 212