E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjehrra ime në Amerikë



Albana LIFSCHIN

Kur dua të largoj stresin, shkoj për vizitë nga vjehrra. Ka marrë një apartament të këndshëm në bllokun e shtëpive dy katëshe ku banojmë ne. U bënë katër vjet që ka ardhur pranë nesh. Kur mbushi të nëntëdhjetat, vendosi të shiste shtëpinë e të blinte një apartament me dy dhoma e një kuzhinë. Shtëpia qe e bukur, dykatëshe por donte punë për ta mbajtur. Me mobiljet e saj të stilit të vjetër, kompletoi apartamentin që ka marrë një hije aristokratike. Dy abazhurë të mëdhenj vendosur mbi dy tavolina të larta katërkëndëshe me nje rimeso ku mund të shihesh në të, janë vendosur pranë kolltukëve. Një bufe e viteve 60-të është zbukuruar me pjatanca porcelani, që mund t’i shesësh shumë shtrenjtë në dyqanet e antikëve. Në tavolinën e mesit ka vënë një çentro të punuar shumë hollë me grep, dhuratë nga unë. Vjehrrës i mbetën sytë te kjo punë e imët dhe ua tregonte shoqeve.
Ato e vizitojnë katër herë në javë. Janë të gjitha më të reja. Më e reja është Lina, që ka njëzet vjet më pak se ime vjehërr. Vjehrra thotë se shoqërimi me to e mban të re. Nga ana tjetër, si më e vjetra, ato e respektojnë dhe i kërkojnë mendim kur kanë ndonjë problem. Zakonisht mblidhen e luajnë kanasta në shtëpinë e vjehrrës. Herë njera e herë tjetra vijnë e marrin për të ngrënë drekat jashtë. Nga restoranti kthehet gjithmonë me ushqimin e mbetur, të paketuar të cilin e fut në frigorifer dhe e alternon me atë të një dite më parë, apo ditës tjetër më pas. Kllozeta në korridor gjithashtu përdoret për ushqime. Eshtë e mbushur me radhë kavanozësh e kutish të ndryshme, sallata dimri, ullinj gjithfarë ngjyrash, të zinj, të kuq, kokërmëdhenj të gjelbër të mbushur me spec brenda, paketa me bukë të thekur, biskota, etj. Në frigo ka nga të gjitha llojet e akulloreve. Me një fjalë, është e siguruar për çdo të papritur dimërore a verore...

* * *
Më kujtohet takimi i parë me vjehrrën. Atë kohë ishte 82 vjeç. Kur mësova moshën e saj nga im shoq, ndjeva një lloj shqetësimi. Sipas mentalitetit shqiptar që kisha sjellë me vete, e gjykova si një moshë përgatitore për andej, çka do të thoshte se një dhimbje qe në rrugë e sipër. Shumë shpejt mësova se shqetësimi im ishte i parakohshëm. Sa herë nxitoja t’i gjendesha vjehrrën për ndonjë punë, ajo më ndalte: “Të lutem, nuk kam nevojë për ndihmë.” Një ditë im shoq më la të kuptoj me takt se mamaja është “ende e re dhe nuk i vjen mirë ta trajtojnë si grua plakë”. Dalëngadalë u çlirova nga shqetësimi se mos më vdiste vjehrra dhe u mora me jetën time. Që atëherë kanë kaluar 12 vjet dhe ime vjehërr nuk ka ndryshuar shumë. Kohët e fundit ka filluar të më sugjerojë që ta ngre zërin kur flas me të në telefon. Është e qartë se nuk dëgjon si më parë, por nuk e thotë.
Muaji gusht është muaji i ditëlindjes së saj. Këtë vit mbush 94. Ditëlindjet ia bëjmë jashtë shtëpisë; zakonisht shkojmë tek një restorant buzë oqeanit ose te “Kasa Pepe”. Ajo zgjedh gjithnjë llabster në menu. Vë grykashkën dhe e thyen lëvozhgën e kuqe të karkalecit me darë, ndërkohë që im shoq e vëren se mos ka nevojë për ndihmë, ndërsa unë ruhem se mos kërcen ndonjë copë karkaleci nga pjata e vjehrrës. Unë nuk porosis kurrë llabster, se nuk dua të ndotem. Kurse në pijet bashkohem me atë. Zakonisht të dyja porosisim “frozen margarita”. Në fund, si ëmbëlsirë, akullore me katër ngjyra të ndryshme. Vjehrra ime, me lakminë e një të reje, zgjat lugën që t’i provojë të katër llojet..“E di që jam nepsqare”, qesh, “po ç’të bëj? Eshtë zakon i mbetur.”
Kujdesem gjithnjë t’i blej dhuratë për ditëlindje. Asaj i bëhet qejfi shumë. I pëlqen të gjitha llojet, veshje apo bizhuteri qofshin. Kohët e fundit, u gëzua kur i bleva një të kuq buzësh që mban 24 orë. “Si nuk e paskam ditur që ekzistoka një i tillë?!”, tha. E sqarova që e kisha blerë tek Walgreens, farmacia që është në bllokun tonë. Ngriti sytë e habitur.

* * *
Njëherë më la pa mend, teksa hapi bisedën e një shoqes së saj 85 vjeçe në Oregon, e cila kishte zënë një bojfrend. Ja, për pak e vura në thonjza fjalën ‘bojfrend’, sepse ende nuk mësohem ta shoqëroj dot këtë moshë me marrëdhënie dashurore. Biseda lindi krejt rastësisht, pikërisht në drekën e ditëlindjes së saj. Silvia, tha papritur, më ka ftuar në Oregon këtë fundjave. Im shoq dhe im kunat kthyen kokën nga ajo. Do shkosh në Oregon?, pyetën thuajse njëherësh. Po, këtë fundjavë. Ma ka prerë edhe biletën. Shko mama, pse jo, me pushime je, tha Xhefri. Vjehrra qeshi duke zbuluar dhëmbët e bardhë. Më ra në sy që dy dhëmbët e mesit e kishin humbur boshllëkun në mes tyre. I paska mbushur, thashë me vete. Më kishte thënë se nuk i kishte patur kurrë të ndarë. Ndaj i qe bërë merak. Ishte shumë e regullt për vizitat te doktorët e saj. Sigurohej që gjithnjë të ishte “xixë”.
Unë me pushime kam që 40 vjet, Xhefri, nëse të kujtohet, iu përgjigj ajo shakasë së të birit. Çfarë halli ka Silvia? pyeti im shoq. Unë ndërkohë po vrisja mendjen se kush do ta shoqëronte që nga Nju Jorku në Oregon. Duke patur parasysh edhe një ndalesë avioni në San Françisko m’u duk rrugë tepër e gjatë për një 90 vjeçare. Kush është Silvia? pyeta unë. Silvia është një shoqe e mamasë qysh në shkollën fillore, m’u përgjegj kunati, është pesë vjet më e re se mamaja. Kur ishin të vogla mamaja ishte komandante... Silvia ka një në hall, filloi të tregonte vjehrra. Kohët e fundit është njohur me një xhentelmen. Zotëria i vjen në shtëpi dhe e merr për dreka jashtë, shkojnë në koncert, në kinema. Mirëpo dikush ka filluar të bëhet xheloz, vazhdoi ajo
”Dashuri në kohën e kolerës”, më shkoi mua nëpër mend. Im kunat la për një çast pirunin mbi biftek. Kanë hall se mos martohet Silvia dhe e ndan trashëgimin me bojfrendin, kështu?, pyeti. Ndoshta, tha vjehrra. Sa vjeç është xhentëlmeni? pyeta unë. Ai është më i ri, tek të tetëdhjetat. E nget vetë makinën, ka shtëpinë e tij. Ka vetëm një vajzë. Xhentelmeni është nga Kanadaja, sqaroi ajo Po ku janë njohur, kështu? Në anije. Silvies i pëlqejnë shumë udhëtimet me anije. Shkon shpesh në kruz. Natyrisht vetëm.
Këtë radhë duket ”harrova” unë të ha. Vjehrra e kapi habinë time. Tani ju do të pyesni, tha, a janë në gjendje të bëjnë seks ata? Këtë unë nuk e di. E dashur, mos do pak llabstër nga i imi? Ka boll këtu, më duket se u fryva. Jo, mama, salmoni qënka shumë i shijshëm, fola me ndjesinë se fytyra ime ruante ende shprehjen habitore. Ta provoj pak? I afrova pjatën. Oh, jo, jo, më jep vetëm pakëz me pirunin tënd. Unë i preva një copë dhe ia vendosa në pjatë. Më falenderoi duke vënë buzën në gaz. Ti e di që kam neps, tha. Po, e dija që ajo kishte nepsin e një të reje dhe kjo më dëfrente.
- Mama, pa na trego, çfarë do të thotë Silvia për këtë punë herën tjetër, kur të mblidhemi përsëri, - tha im kunat duke kthyer gotën e verës.

* * *
Vjehrra shkoi në Oregon. Vetëm. Në mbrëmje vonë na bëri telefon prej andej. Na tha se kishte mbërritur në kohë e shumë mirë. Silvia e kishte pritur në aeroport. Dhe e merrni dot me mend se ku jemi tani? Nuk kishim si ta merrnim me mend, por koha atje është tri orë pas Nju Jorkut, pra duhej të ishte ende pasdite. Jam në stadium me Silvian, na tha me zë të gëzuar, nipi i saj po luan me skuadrën e tij dhe Silvia donte që ta shihte këtë ndeshje! Pas lojës do të shkojmë në shtëpi.
Im shoq vuri telefonin në vend e ra të flinte. Unë u ula ne divan për të vazhduar filimin që po ndiqja, por s’me hiqej nga mendja vjehrra ime 90 vjeçare në stadium, pas gati nëntë orë udhëtimi me avion.

* * *
Ajo doli nga kuzhina me një gotë ujë në dorë dhe i u afrua tavolinës në dhomën e ngrënies. Nxori gjashtë tableta të vogla me ngjyra të ndryshme. Vitamina?, pyeta. Jo, kjo këtu është gjysmë aspirine. E kam pirë tërë kohën. Këto të dyja janë kalçium për kockat, këtë si xhel e marr vetë se është për kujtesën. Këto dy të tjerat... hëm, hëm... eh, kush i mban mend?! Doktori m’i ka dhënë, puna ime është t’i pi, tha ajo duke vënë buzën në gaz.
Kisha shkuar te vjehrra atë mëngjes, pasi im shoq më kishte thënë se ajo nuk ndihej mirë pas kthimit nga Oregoni. Nuk kishte fjetur pothuajse fare një natë më parë nga dhimbja e krahut e ndoshta kishte nevojë për ndonjë ndihmë. Mua më ra në sy menjëherë që s’ishte mirë atë mëngjes, edhe pse më priti buzagaz si gjithmonë. Te shtrati i saj pashë një dorezë-këllëf, ku fuste dorën kur kishte dhimbje ndër gishtërinj. Ia pati dhënë mjeku.
Ra telefoni dhe unë nxitova ta kap, që të mos mundohej të zgjaste dorën në mur. Ishte shoqja e saj, Lina. I thoshte se do vinte për ta marrë, do ta hanin drekën jashtë. A do të jesh gati nga ora 12 e gjysmë?, e pyeti. Patjetër, u përgjigj ime vjehërr. Mama, i thashë pasi vura telefonin në vend, mua më duket se sot ke nevojë të pushosh. Natën s’ke fjetur mirë. Ajo vuri buzën në gaz. Nuk është problem i madh, do të pushoj kur të kthehem. Nuk është mirë të ankohesh. Nuk ka më të bezdisshëm se qaramanët, vazhdoi. Kur shoqja të merr në telefon, të merr për kënaqësi. Njeriu bën shoqëri me ata që ndihet mirë. Pastaj, Lina me siguri do të dijë për Silvian. Nuk i durohet.
Si ia kalove në Oregon?, s’mu durua as mua. E kaluam shumë mirë, u kënaqëm. Gjithnjë kënaqem kur shkoj tek ajo. Brenda territorit të shtëpisë së vet, e bija ka ndërtuar edhe një shtëpi të vogël për Silvian. Kanadezi kish ardhur disa herë në shtëpinë ë saj, tha vjehrra duke vënë pjatancën e frutave mbi tavolinë. Po fëmijët e Silvias ç’thonë? Çfarë mund të thonë fëmijët?! Ma ktheu përnjëherë. Ata duan ta shohin mamanë e tyre të lumtur. Nuk ishte asnjë problem për ta që ajo shoqërohej me atë zotëri. Problemi qëndronte me vajzën e kanadezit, Markut, së paku kështu mendonte Silvia. Ai është shumë i pasur dhe paratë ia administron e bija. Disa herë e kishte marrë në telefon të bijën për t’i dërguar para prej andej, ndërkohë që rrinte te Silvia. Ai ka një vëlla që ka avion të vetin. Ai e sillte Markun nga Kanadaja sa herë që donte të vizitonte Silvian.
Po s’i ndodhi që u prishën?, pyeta unë, ngaqë nuk kuptoja si mund të prisheshin dy të moshuar, që s’kishin asnjë preoukupim tjetër veçse të gjenin bashkëshortin e fundit… Vjehrra ia nisi: “Ai kishte festuar 80-vjetorin dhe natyrisht i kishte bërë ftesë edhe Silvias. Madje, i vëllai i tij shkoi për ta marrë, siç bënte zakonisht. Silvia nuk është shumë atraktive, por është grua me personalitet, shumë e zgjuar dhe bëhet tërheqëse ne bisedë. Kurse Marku ështe burrë i gjatë dhe i pashëm. Silvia më tregoi albumin me fotografitë që kishin bërë bashkë. Kështu, ajo shkoi në ditëlindjen e tij, mirëpo u kthye shumë e fyer. Marku e kishte injoruar komplet. Nuk e kishte prezantuar me miqtë e tij dhe nuk ishte marrë me të. Ajo qe ndier si jetime. Megjithatë, s’e kishte bërë veten. Përkundrazi, u shoqërua me të gjithë miqtë e ftuar dhe me shumë mirësjellje u largua prej andej. I vëllai i Markut e solli në shtëpi. Ajo u ul dhe i shkroi Markut një letër, ku e vinte përpara pasqyrës sjelljen e tij aspak prej xhentëlmeni dhe në fundi i thoshte ’Bye, bye’. Që atëherë nuk iu përgjigj asnjë përpjekje të tij për afrim.”
Nuk folëm një copë herë. Në përfytyrimin tim i kisha zbritur në moshë (nuk di pse) dhe më dhimbsej Silvia me dramën e saj dashurore. A ke foto të Silvias?, e pyeta. Si jo, ti nuk e mban mend, por ajo ka qënë në dasmën tuaj. Ja , shiko këtë foton e madhe të familjes të asaj dite. Është kjo gruaja e vogël këtu, pranë meje.
Qe një grua me flokë kapelon, me dy sy të thellë e një buzëqeshje të sinqertë. Do ketë qënë e bukur kur ka qënë e re, thashë unë. Dhe fola sinqerisht, sepse të dashuruarit nuk i kam menduar kurrë të shëmtuar. Ka qënë tërheqëse, ende është, ma ktheu vjehrra
“Mama, a të të bëj një pyetje?”, po përtypesha unë. “Për Silvian dhe atë kanadezin. Domethënë në atë moshë e besoj që njeriu ka nevojë për shok, për dikë me të cilin të komunikojë, të vrasë vetminë. Por... por...”
Vjehrra e kuptoi se ç’po përpiqesha të thoja e nuk më la të mundohesha gjatë:
“Çuditërisht, viagra kish punuar.”

* * *
Këto ditë im shoq kthehet vonë nga puna, pasi ndalet sëpari nga studentja e tij më e re, që do të thotë nga vjehrra. Ajo ka blerë kompjuter. Fillimisht menduam se mund t’i merrte “leksionet” edhe nëpërmjet telefonit, por s’qe e thënë.
“Mamaja, me sa duket, ka filluar të harrojë, - më tha duke qeshur im shoq një mbrëmje. - Duhet të shkoj të merrem ca pasdite me të. Një mesazh që e kish nisur për mua, kishte përfunduar tjetërkund. Gjithsesi, ta dish që është studente më e mirë se Skati, që është gjysma e moshës së saj.”
Ime vjehërr muajin tjetër mbush 94 vjeç, më saktë pikërisht sot një muaj ajo ka ditëlindjen. A do t'ia bëjmë të madhe ditëlindjen mamasë? pyes tim shoq. Është 94, them me vete, ku dihet se ç’ndodh deri vitin tjetër në këtë kohë. Jo, ma kthen ai, kur të bëjë 95-vjetorin. Të kujtohet? Herën e fundit që ia bëmë të madhe ditëlindjen, qe 85-vjetori…
Unë ndjej të skuqem.

Albana LIFSCHIN

ENGJËLLI dhe DJALLI

3Migena GJOKA (Metohu)
Pasdite, ora 5

Ora 5 e pasdites
Na hodhi nën rrezet e nxehta të plazhit.

Ora 5 e pasdites
Na mblodhi pranë flakëve të zjarrit.

Akrepat e orës ranë mbi numrin 5,
Njëherë me ditë, njëherë me terr.

Ne rrinim në të njëjtin vend,
Njëherë nën hije, njëherë nën diell.

Ora 5 dimëronte e veronte si ne,
Akrepat takonte në të njëjtin shteg.

Trajektorja

Në trajektore lienare lëviz koha
Si fshikullim xhirongadaltë
E çuditshme e mistershme.

Trajektoren milionavjeçare
Askush s’e pa nga erdhi
Askush dot s’e ndali
Askush s’e di ku do të vejë.

Thanë se vetëm kur Krishtin ndeshi
Tri ditë rreth tij mbeti
E ato ditë i ktheu në legjendë.

Pastaj rrugëtimin përsëri mori
Drejt së panjohurës quajtur
Mijëvjeçar, shekuj e vjet.

Gjithçka lëvizi udhës së saj
Majtas e djathtas,
Trajektorja ndezi e fiku miliona jetë.

Me duar e prekëm trajektoren,
Kur përplasur trupat tanë përshkoi
E mospërfillëse u largua nga ne.

Aty na la në segmentin tonë
Të mijëvjeçarit të tretë
Fiksuar në foto albumesh e data kalendari.

Në udhëtimin hapsinor
Diellin pati udhërrëfyes busullor
E në tunelet hënore kurrë nuk fjeti.

Erdhi mistershëm në galaktikën tonë
Dhe po mistershëm do të iki prej nesh.
Kurrë s’do të ndalet,
Gjithmonë në kërkim galaktikash të reja.

Enigmatike trajektorja jonë
E rrufeshme si një ëndërr magjepse
Që vazhdon edhe pas zgjimit.

Na dha frymë,
na dha kohë të bollshme ndër duar,
Por nuk e dimë ç’mendoi për ne tokësorët?!

Disa mesazhe erdhën nga planeti i ri,
Thanë se e mahnitur kish mbetur trajektorja
Nga zhurmat e jetës. Të tilla zhurma
s’i kishte ndier në asnjë galaktikë tjetër.

Ishulli i Korfuzit

Nga plazhi i pemës së thatë në Ksamil,
Duken brigjet matanë.
Syri kap si me dorë horizonte dritash natën.

Dhe çatitë e shtëpive duken nga larg,
Një kanal detar na ndan.
Jemi shumë pranë, por ndihemi larg,
Tinguj këngësh e vallesh japin e marrin dallgët.

E quajnë “Pata me vezët e arta”
Parajsën ishullore joniane.
Korali i strëmadh nga palca detare dalë,
Mbi kolona shkëmbinjsh mbahet.

Në brigjet e gurëve shkumëbardhë,
Ndahen perëndimi e lindja,
Në brigjet e plazheve të kristaltë
Ka vend për të gjithë.

Ura

Dy brigjet larg,
Dy brigjet matanë,
Dy brigjet shaluar me kalë.
Dy brigjet e ndarë malluar u panë.
Sa afër, sa larg, kundruall përballë.

Mbi ujëra lëvizin dashuritë, urrejtjet,
Lidhur fort fije çeliku brigjesh.
Fijet kurrë s’u këputën, kurrë s’u tretën,
Pas thonjve shtrënguar i mbajtën njerëzit.

Xhungla ime e dashur

Në pyllin e dendur
mes kafshëve kalova.
I pashë më panë,
u mrekullova.
Në sytë e kristaltë
të tyre u çlodha.

* * *
Në rrugën e gjerë
mes njerëzve kalova.
I pashë më panë,
dhe s’i kuptova.
Të tjera mendonin,
të tjera dëgjoja.
Prej syve tradhtuar.

Tarantela

Tara – tarantela e diell,
Vajzat e bregut puliez kërcenin këmbëzbathur në pjacë.
I tundi, i shkundi si zekthi hedhur përpjetë,
E flokët e gjata ngjiti pas trupit nga avujt e djersës lagur.

Tara – tarantela e tamburel,
Pëllëmbët kërcisnin mbi lëkurën e regjur që s’çahej.
Nga goja e hapur oshëtinte shpirti i marrë
E gjuha dalldisur pas tij kërcente tarantelën.
Vetëm ajo e kuptonte si askush tjetër,
Shpirtin ngacmuar nga qejfi në ato çaste.

Tara – tarantela ndezi gjakra e zjarre,
Këputi tela violine e kitare.
Etjen shoi me verë anës bregut,
Rrokullisur u zgjua nga valët që deti shpërndau.

Vallëzim me Tokën

Ta... tarara... ta..ta..ta..ta..ta,
Ta...tarara... ta..ta.......
Nuk janë tingujt alarm borizani
Që zgjuan ushtarët nga gjumi.
Nuk janë trokëllimat e trumbetës
Që hodhën sinjalet e sulmit.

Janë trokitjet më magjepse që toka ndjeu,
Atje ku këmbët e toka bashkë vallëzuan.

Ta... tarara...ta..ta..ta..ta..ta.
Ta... tarara... ta..ta......
Rrokjet bashkoj por jam larg,
Tingujt hedh dhe i afrohem pak.
Pastaj këmbët me tokën trokas
E flamengo thërras.

Kërcet toka nga këmbët e vajzës
Hedhur me vrull e pritur me afsh.
Pastaj vajza kurdisur në deje
S’di të ndalet nga cikloni i zjarrtë.

Nën ritmin e rrumbullakët
Fustani hap palat si trëndafili i kuq petalet.
Në flokët e vajzës çel përsëri trëndafili
E qindra trëndafilë të tjerë e ndjekin pas.

Që kur shpërthyen trokëllitur në rrugët e Spanjës,
Ajo tokë e ndezur magji të tillë s’kish ndier më parë.
Ndaj çmenden pas saj madrilenët
E me mburrje thonë: Nga Madridi në Parajsë.

Dosja 105

Ajo dosje kishte dyzet vjet që heshtte
Nuk digjte më si dikur.
Personazhet e saj të gjithë kishin vdekur,
Kthyer në pluhur mes territ dhe harresës.

Dosje e trashë, e çuditshme, ngjethëse,
Në çdo faqe të saj pleksej emri i një bjondeje.
Intriga, dashuri, joshje, seks,
Trajektore e njëjtë që nga kohë
Perandorësh e mbretërish.

Një yll kinemaje, një ikonë erosi,
Futur lehtësisht në zonën e nxehtë.
Ajo bjonde flokëbore siç e quanin
Hapte çdo portë e thyente të gjitha rregullat.

Kukulla e kristaltë nën ethe shtretërish
Kuptoi komplote drithëruese,
Presidentësh, mafiozësh e miliarderësh.

Shijoi vezullimin magjepës të arit.
Njohu intriga pa skrupuj pushtetesh
Dhe tjetërsimin poshtërues të vetes.

Vetëm hakmarrja gllabëroi gjithë qenien e saj.
Do t’i thoshte të gjitha, asgjë s’do të mbante.
Megjithëse në pasqyrën e dhomës së gjumit
Nuk shihte më bjonden Monroe, por vdekjen.

Dosja 105 kishte mbyllur epilogun,
Orët e agonisë dëgjuan gong-un.

Fajtorët pa faj

Ankohemi shpesh se bota është bër ibret,
Kalojmë kohë të ndyra për dreq.
E tillë ka qenë ngaherë,
Që nga kohë dinosaurësh,
Perandorësh, mbretërish...
Inkuizicioni, murtaja, kolera,
Gjithmonë kemi jetuar me tmerret,
Kot themi se ishte më mirë atëherë.

Kohë gijotinash, apokalipsesh vrastare,
Aushvice, Dakao, krematoriume llahtare.
Ambicje nukleare, injeksione letale,
Karrige fatale ku lidhëm të gjallët.

Nuk rrojmë dot pa horrorin, tmerrin,
Ne krijesat humane imunitet zbardhur.
Mërzitemi shpejt me paqen,
E luajmë rëndë me zjarret.

Nën lëkurën tonë engjëlli e djalli,
Vampirë jargavitur nga gjaku.
Si ujqër të uritur vërshojmë drejt vathës,
Bastisim, plaçkisim të pabarabartët,
Lakmojmë atë që kurrë s’e patëm.
Nga zilia shndërrohemi në ulkonja të natës.

Vramë të vrarët, varrosëm të gjallët,
E ç’nuk bëmë ne krijesat e parajsës.
Pastaj sikur mëkatarët në pendesë u falëm.
Por jo, krijuar nga zjarri nuk rrojmë dot pa flakët,
Në grykë të vullkanit u joshëm prej llavës.
Nga hiri rrokullisur drejt detit u ngjallëm,
E prapë nga zjarri frikë s’patëm.

13 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›