Bulqizë, përfundon takimi i këshilltarit me grevistët

Këshilltari i presidentit, Fatlum Nurja ka zhvilluar sot takimin me minatorët grevistë, të cilët ndodhen 1400 metra nën tokë. Ai ka dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre dhe ka parë gjendjen shëndetësore, e cila sa vjen e përkeqësohet. Pas këtij takimi, Nurja do t`i raportojë presidentit Bamir Topi për situatën, si dhe t`i përcjellë atij shqetësimet e minatorëve.
Biseda fillimisht ka nisur me përfaqësuesin e grevës, Baki Bajraktari, i cili i ka paraqitur gjendjen reale të minatorëve. Gjendja e tyre, për shkak të mungesës së ajrit po përkeqësohet.
Ndërkaq, njëri prej grevistëve i cili ka pasur kriza të forta zemre, refuzon ta braktisë atë. Minatori 42-vjeçar, Limon Isufi refuzon të dalë jashtë ambienteve ku po zhvillohet greva, edhe pse gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohet.