Biznesmeni Lulzim Koka i plagosur me kater plumba i mbijetoi atentatit

Biznesmeni i inerteve e betonit Lulzim Koka, me emrin e ndryshuar në Luan, duket se i ka mbijetuar atentatit të së martës, ku u godit nga 4 plumba pistolete.
Mjekët e Spitalit Ushtarak kanë bërë mrekullinë duke e mbajtur në jetë, ndërsa prej 2 ditësh është dërguar për ndërhyrje e kurim të specializuar në një klinikë në Turqi.
Plagosja e tij ka rihapur të paktën 2 dosje të tjera vrasjesh të pazbardhura. Viktimat janë të afërm e familjarë të një grupi të njohur pas vitit 1997 në zonën e Fierit.
Edhe pse familjarët në dëshmitë e tyre janë shprehur se nuk kanë dijeni për hasmëri të hapura mes 46-vjeçarit të plagosur mbrëmjen e të martës në Tiranë, policia i është rikthyer ngjarjeve që lidhen me vrasjen e Petrit, ose siç njihej në Berat, Tit Kokës.
Vrasja në vitin 1999 e vëllait të Lulzimit është pjesë e legjendave urbane të zonës.
Bën fjalë për një gangster në atë kohë, siç konsiderohej Tit Koka dhe një të riu anonim, të cilin fati 14 vjet më parë e çoi pranë Titit.
Ky e ka thirrur në rrugë dhe e ka urdhëruar t’i blinte një paketë cigare, urdhër të cilin i riu se ka pranuar. Për këtë fakt Titi e ka qëlluar me shpulla, po vetëm pak orë më pas i riu u kthye dhe e ekzekutoi me kallash.
Legjenda urbane tregon sesi dikush që u fuste frikën edhe gangsterëve më të mëdhenj të Beratit, u vra nga një i ri i panjohur.
Ky i fundit kërkoi strehim dhe mbrojtje te njerëzit e të ëmës, të cilët kishin lidhje të ngushta me pjesëtarë të një bande mjaft të fuqishme në atë kohë në Fier.
Sipas policisë të paktën 2 familjarë të të riut dhe me lidhje farefisnore me pjesëtarët e kësaj bande u më pas, ndërsa banda e Fierit për shkak të rivalitetit të fortë me grupet e Beratit, nuk u rikthye të merrte hak.
Policia ka rihapur dosjet e vrasjeve për të hetuar zinxhirin e krimeve që vijnë pas ekzekutimit të Tit Kokës, pasi është edhe pista kryesore e hetimit për plagosjen e të vëllait.
14 vjet më pas Lulzimi paraqitej si një biznesmen me të ardhura të mira që vinin nga biznesi i betonit dhe ndërtimeve në Tiranë, pasi drejtonte një nga kompanitë më të rëndësishme.