Bumçi: “Këshilltarët e PS-së në Bashkinë e Tiranës nuk miratuan fond për Shkodrën”
Kryetari i Partisë Demokratike të Tiranës, Aldo Bumçi, ka dënuar dje mosmiratimin e një fondi në ndihmë të banorëve të Shkodrës nga këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Gjatë një deklarate për mediat, Bumçi ka akuzuar për këtë kryetarin e Bashkisë, Edi Rama, i cili, sipas Bumçit, po manipulon fatkeqësinë natyrore të Shkodrës. Kjo deklaratë e Bumçit vjen një ditë para mbajtjes së Asamblesë së PS-së, ku Rama ka njoftuar se do të paraqesë prova që vërtetojnë se përmbytja në Shkodër nuk ishte fatkeqësi natyrore, por keqmenaxhim nga ana e qeverisë. “Edvin Kristaq Rama, që po manipulon në çdo orë dhe ditë fatkeqësinë natyrore në Shkodër, nxori dje lakuriq para shqiptarëve shpirtin e tij të zi dhe urrejtjen e trashëguar nga etërit e tij historikë dhe biologjikë për Shkodrën. Dje Edvin Kristaq Rama urdhëroi këshilltarët e tij në Këshillin e Bashkisë së Tiranës të mos votojnë për një ndihmë në emergjencë ndaj qytetit të Shkodrës dhetë komunave të përmbytura, ndërkohë që ndihmat për qytetin e Shkodrës dhe komunat e përmbytura kanë arritur nga qindra bashki dhe komuna të Shqipërisë, nga dhjetëra komuna nga Kosova dhe Maqedonia, por dhe nga Bashkia e Athinës. Ndërsa Bashkia e kryeqytetit të vendit, në kuadër të ndihmës për zonat e përmbytura, vendosi një arkë përpara Bashkisë, e cila po mbush xhepat e zyrtarëve bashkiakë”, - është shprehur Bumçi. “Si deputet dhe kryetar i Partisë Demokratike për Tiranën dënoj këtë qëndrim çnjerëzor të Edvin Kristaq Ramës dhe këshilltarëve të tij bashkiakë, të cilët, 4 ditë më parë, me urdhër të z. Rama bojkotuan mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku do të merrej vendimi për të ndihmuar zonat e përmbytura, kurse dje ata refuzuan të votonin pro ndihmës për Shkodrën dhe komunat e përmbytura që miratoi Këshilli Bashkiak i qytetit të Tiranës. Partia Demokratike përshëndet këshilltarët e kryeqytetit që votuan për dhënien e ndihmave duke vënë në vend dinjitetin e çdo qytetari të Tiranës”,- është shprehur Bumçi.
Muhedini e Idrizi nisin bashkëpunimin për kauzën çame
Dy përfaqësuesit politikë të komunitetit çam, Tahir Muhedini dhe Shpëtim Idrizi, kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e 19-vjetorit të krijimit të shoqatës patriotike “Çamëria”. Dy përfaqësuesit politikë të këtij komuniteti, Shpëtim Idrizi që drejton partinë për Drejtësi dhe Unitetit dhe Tahir Muhedini që drejton partinë për Drejtësi dhe Integrim, edhe pse përfaqësojnë dy parti të ndryshme, gjatë ceremonisë përkujtimore u shprehën me nota unifikuese për të ardhmen e çështjes çame. “Shoqata ‘Çamëria’ ka pasur ecejaket e veta, por nuk u përça. Mbeti e vetme. Këtë shembull duhet të ndjekë dhe forca politike. Duhet të jemi të gjithë bashkë. Çamëria do një zë. Po të bëhemi shumë zëra do ketë humbje rrugës”,- është shprehur Muhedini gjatë fjalës së tij. “Sot çështja çame është më e fortë se kurrë, më e gjallë se kurrë. Ne sot jemi 300 mijë që kërkojmë drejtësi dhe kemi me vete gjithë kombin shqiptar, prandaj e drejta jonë do të fitojë”, - është shprehur Idrizi gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni. Bashkësia çame, në 19-vjetorin e krijimit të shoqatës, ka përkujtuar jo vetëm historinë dhe mundimet, por edhe të kaluarën e afërt dhe sfidat që kanë kapërcyer për ta kthyer çështjen çame në një diskutim të ndjeshëm në arenën politike.
18 Janar 2010