Topalli: “Seanca për Shkodrën u kërkua nga deputetët e PS-së”
Mblidhet Konferenca e Kryetarëve, përcakton kalendarin për të hënën
Eljona Ballhysa
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka mbledhur dje Konferencën e Kryetarëve gjatë së cilës është miratuar zhvillimi i seancës së jashtëzakonshme parlamentare me debat për situatën emergjente në Shkodër. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë mbledhje, Topalli ka bërë të ditur se kjo seancë mbahet pas kërkesës së bërë nga disa deputetë socialistë, veçanërisht ata të qarkut të Shkodrës. Topalli u është referuar deklaratave të bëra nga dy deputetë të Partisë Socialiste, Ilir Beqja dhe Eglantina Gjermeni, të cilët u shprehën të gatshëm të hyjnë në Kuvend në rast se zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme për situatën e përmbytjeve në Shkodër. Por kjo deklaratë e dy deputetëve është bërë para se të merrej vendimi nga ana e Konferencës së Kryetarëve. Një ditë më parë, fill pasi Topalli i ftoi deputetët e PS-së të ndjekin këtë seancë, reagoi kryetari i PS-së, Rama, i cili tha se nuk mund të hyjnë në një Kuvend që nuk guxon të hapë kutitë e votimit.
Seanca
“Ne miratojmë sot një ndryshim në draft-kalendarin që ishte përgatitur nga byroja juridike në plotësim të kërkesës së deputetëve të opozitës, të cilët kërkuan që ditën e hënë të jetë një seancë e jashtëzakonshme për qarkun e Shkodrës. Ju kërkoj të më mbështesni në plotësimin e kërkesës së deputetëve të opozitës për të modifikuar kalendarin, për të mos e bërë seancën ditën e enjte, siç ishte menduar, por për të bërë seancë plenare ditën e hënë”, - tha Topalli.
Një ditë më parë, kryetarja e Kuvendit i ftoi deputetët socialistë të hyjnë në Kuvend para datës 6 mars, ditë në të cilën, sipas saj, digjet mandati i 64 deputetëve socialistë që nuk kanë bërë betimin. Seanca e ditës së hënë, që do të zhvillohet në orën 17:00, do të ketë në rendin e ditës debat për situatën e përmbytjeve në Shkodër dhe masat që ka marrë qeveria për përballimin e saj dhe për t’u ardhur në ndihmë banorë të këtyre zonave.
Letra
Gjatë një prononcimi për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shpjegoi arsyet pse vendosi t’u dërgojë letër deputetëve të PS-së. “Komunikimi im përmes letrës ka qenë një komunikim institucional përderisa ka qenë për në Parlament. Nuk ka qenë ftesë as për Cirkun e Tiranës, as për në Klubin e Rrenave. Çështja e mandateve është çështje e deputetëve. Nuk është çështje e subjekteve politike. Betimi është individual, vota është individuale, mandati i deputetit është personal dhe detyrimi i tyre, duke qenë kushtetues, është që ta ushtrojnë këtë mandat. Unë kam qenë shumë korrekte dhe institucionale në letrën time, por kam qenë po aq e njerëzishme në aspektin njerëzor drejtuar secilit prej tyre, për respektin që u takon si deputetë, të cilëve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka dhënë mandatin”, - është shprehur Topalli. E pyetur për reagimin e PS-së që e cilësoi letrën si një kërcënim antikushtetues, kryetarja e Kuvendit u shpreh se letra e saj bazohej në Kushtetutë, që është një ligj i miratuar me konsensusin e PS-së. “E përsëris: Kushtetuta është e kthjellët, e qartë në lidhje me afatet, skadimin, mbarimin e mandatit apo të bërjes së mandateve të pavlefshme. Rregullat nuk i bëj unë. Unë zbatoj rregullat. Rregullat janë votuar me konsensus, të shkruara nga zoti Rama, nga deputetët e Partisë Socialiste dhe të votuara me një numër më të madh votash nga ai me të cilin u miratuan ndryshimet kushtetuese të propozuara përsëri nga deputetët e Partisë Socialiste”, - është shprehur Topalli.
18 Janar 2010