E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: Kriza në dorë të opozitës, ti drejtohet Kushtetueses

Kryetari i Partisë Demokratike të Tiranës, njëkohësisht deputeti demokrat Aldo Bumçi, thekson se opozita duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur përfundimisht dilemën e hapjes së kutive të votimit në komision. Në një intervistë për “Shqip”, Bumçi flet edhe për dëmin që opozita po i bën elektoratit të saj, duke mos marrë pjesë rregullisht në seancat plenare. Nga ana tjetër, Bumçi flet për konfliktin mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, për sheshin “Skënderbej” dhe punën që PD e Tiranës po bën në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Ministria e Transporteve ka nisur punën për asfaltimin e sheshit “Skënderbej”, në kundërshtim me qëndrimin e Bashkisë së Tiranës. Mendoni se në këtë rast po shkelen kompetencat e pushtetit vendor dhe cili është qëndrimi juaj për këtë situatë?

A ka interes qeveria të shkelë kompetencat e pushtetit vendor në Tiranë dhe çfarë përfiton prej këtij akti? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë, qeveria nuk ka asnjë interes në shkeljen e kompetencës. Nuk e ka bërë një gjë të tillë as gjatë fushatës zgjedhore kur tensioni dhe interesi është shumë i lartë dhe zona të tëra të kryeqytetit janë lënë në harresë, për shkak se nuk votojnë z. Rama. Megjithatë, qeveria, edhe pse i kishte burimet financiare nuk ndërhyri të shtronte rrugë dhe rregullonte trotuare, çfarë padyshim do të na kishte shtuar shumë pikë në sytë e qytetarëve. Aq më pak ka interes të ndërhyjë tani. Këtu kemi të bëjmë me një çështje shumë konkrete dhe specifike, e cila është shumë e thjeshtë në vetvete. Qeveria ka mbështetur Bashkinë e Tiranës, pra z. Rama, kur kontraktoi me qeverinë e Kuvajtit dhe i vuri në dispozicion Bashkisë rreth 10 milionë dollarë për sheshin “Skënderbej”. Gjatë gjithë këtyre viteve, Bashkia nuk bëri asgjë në këtë drejtim. Gjithashtu, çdo projekt për rregullimin e sheshit “Skënderbej” duhet të kalojë në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Pra kërkon bashkëpunim ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj vendore. Gjendja në sheshin “Skënderbej” është e tmerrshme, skandaloze. Nuk besoj se ka qytetar të Tiranës dhe Shqipërisë, të cilët nuk ndihen të turpëruar, kur kalojnë në sheshin i cili është qendra e të gjithë Shqipërisë dhe fytyra e kryeqytetit. Për shkak të kësaj specifike, qeveria i kërkoi bashkisë që të bashkëpunojnë për të normalizuar gjendjen dhe jo për ta zgjidhur në mënyrë përfundimtare rindërtimin në sheshit. Ky është një moment shumë i rëndësishëm që duhet ta theksojmë, vetëm për të normalizuar situatën, derisa një projekt i plotë rindërtimi të japë një zgjidhje përfundimtare.

A e ka nisur punën dega e Partisë Demokratike në Tiranë, për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm? Nëse po, në çfarë elementesh po punohet?

Dega e Partisë Demokratike Tiranë po punon në mënyrë të rregullt për të kryer ato funksione që priten nga një strukturë partiake. Por kjo, si pjesë normale e punës së strukturave të PD-së dhe akoma jo në funksion të ngushtë të zgjedhjeve të ardhshme vendore. Një sfidë që ekziston përherë mbas çdo fushate zgjedhore është të vazhdosh të mbash lidhjet me strukturën dhe anëtarësim në një nivel cilësor, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndjesinë që interesimi për ta është vetëm në kohë fushatash. Ky nuk është një proces që ka një fund, por mund të them se këto 6 muaj nga fillimi i mandatit të dytë kemi arritur të ruajmë një ritëm pozitiv dhe të rregullt pune me strukturat. Pra në muajt e parë kemi qenë më shumë të përqendruar brenda vetes. Tani do të fillojmë një fazë të dytë, ku do të përqendrohemi në marrëdhëniet me qytetarët. Do të fillojmë një seri takimesh në çdo lagje të qytetit me qytetarët, për të diskutuar rreth çështjeve që i shqetësojnë ata më shumë, si dhe për t’i informuar për politikat që kjo qeveri ka ndërmarrë në këto 6 muaj qeverisje. Gjithashtu do të nisim dhe një serë tryezash tematike, për të nxitur një debat publik për çështjet që shqetësojnë më shumë qytetarët në të gjithë hapësirën që mbulon dega e PD-s Tiranë. Një fushë e re që nuk e kemi shfrytëzuar sa duhet është përdorimi i mënyrave të reja të komunikimit me qytetarët që ofron interneti. Kjo do të jetë një nga përparësitë e punës sonë gjatë muajve në vazhdim.

Sa kohë do ta presë mazhoranca opozitën për t’u bërë pjesë e komisionit hetimor për zgjedhjet e 2009-s dhe si do të veprohet nëse ajo nuk vendos të marrë pjesë?

Ngritja e komisionit hetimor ishte mënyra më e mirë për të zgjidhur këtë ngërç që është krijuar. Konsensusi midis palëve nuk mund të arrihet duke iu drejtuar njëri-tjetrit nga tribunat e partive apo në debatet teorike, të cilat, edhe pse të dobishme nuk krijojnë hapësirat për të punuar drejt një emëruesi të përbashkët. Puna në komisionin hetimor, duke i bërë gjërat konkrete, e bën konsensusin dhe më të lehtë. është pikërisht në komisionin hetimor, nëpërmjet kërkesave të ndryshme të palëve, që ne do të arrijmë të shikojmë se në ç’masë biem dakord për të hetuar në një fushë të caktuar dhe ku jo. Besoj se ne biem dakord për të hetuar pjesën më të madhe të çështjeve; nëse i është bërë presion administratës publike gjatë fushatës elektorale, financimin e partive politike, përdorimi i medias, lirimi i të burgosurve, elemente të ndryshëm të administrimit të procesit zgjedhor, procesverbalet e komisioneve dhe grupeve të numërimit si dhe shumë çështje të tjera. Në të njëjtën kohë për çështjet për të cilat nuk biem dakord, siç është rinumërimi i fletëve të votimit, palët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, e cila si në shumë raste të tjera, do t’i japë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje në favor apo kundër kërkesës. Ne besojmë se ngritja e komisionit ishte mënyra më e mirë për të lëvizur përpara. Padyshim që pa praninë e opozitës ka pak kuptim që ne të vazhdojmë punën tonë në mënyrë të njëanshme.

Si e shikoni qëndrimin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, i cili hyri në Parlament për të diskutuar për transparencën e zgjedhjeve dhe më pas doli duke mos u bërë pjesë e rendit normal të ditës?

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka ndërtuar në mënyrë të pakuptimtë një marrëdhënie komplekse me Kuvendin, kur Kuvendi është shtëpia e tyre po aq sa është dhe e jona. Mënyra e tyre e sjelljes të krijon përshtypjen se për ta, ardhja në Kuvend, shikohet si fitore e shumicës, kur në fakt nuk është kështu. Të vish në Kuvend dhe të përmbushësh detyrën tënde si opozitar nuk do të thotë se je duke ndihmuar shumicën. Përkundrazi, një opozitë që nuk e përdor Kuvendin i cili është forumi politik më i rëndësishëm në vend, i krijon një komoditet shumë të madh qeverisë. është shumë e habitshme se përse Partia Socialiste nuk e përdor forcën e saj në Kuvend. Kjo është opozita më e madhe që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Sa ndikon ky qëndrim në funksionimin normal të punës së Parlamentit, nisur edhe nga një sërë ligjesh, të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar? çfarë mund të bëjë mazhoranca për ta zgjidhur këtë ngërç?

Kushtetuta e përcakton shumë qartë hierarkinë e gjërave. Një seancë quhet e vlefshme vetëm kur 71 deputetë janë të pranishëm në sallën e Kuvendit. Qeveria miratohet me 71 vota, po aq vota kërkon dhe miratimi i buxhetit. Shumicë të thjeshtë kërkojnë mbi 90% e ligjeve që miraton Kuvendi. Ndërsa shumicë e cilësuar, 84 vota, kërkohet për kodet dhe ligjet që rregullojnë funksionimin e organeve kushtetuese. Siç e kemi venë re dhe në legjislaturën e kaluar, kur opozita ishte e pranishme në Kuvend, përsëri ishte shumë e vështirë deri dhe e pamundur të arrihej një konsensus për ligjet që kërkonin shumicë të cilësuar. Ligji për Gjykatën Administrative ishte një shembull shumë domethënës. Nuk ka nevojë të diskutohet që pjesëmarrja e opozitës në Kuvend është e nevojshme jo vetëm për ligjet që kërkojnë 84 vota, por dhe për rolin kritik, opozitar dhe alternativat që opozita duhet të shpalosë në Kuvend. Por ajo çfarë mund të bëjmë ne është e kufizuar brenda asaj që është fusha jonë e veprimit dhe mundësia jonë. Ne mund të bëjmë kompromis për gjithçka që është politike dhe varet nga vullneti i palëve. Kështu ne kemi bërë një koncesion shumë të rëndësishëm, i kemi dhënë të drejtën opozitës të formulojë të gjithë rekomandimet e bëra në raportin e OSBE-ODIHR, si dhe sugjerime të tjera për sistemin zgjedhor. Por ne nuk mund të negociojmë çështje të cilat shtrihen jashtë juridiksionit tonë dhe shkelin kufijtë e ndarjes së pushteteve dhe parimet e shtetit të së drejtës. Nëse ka një vendim gjykate, nëse Gjykata Kushtetuese është shprehur jo në një, por në disa vendime në mënyrë të qartë për kompetencën e komisioneve hetimore, atëherë ne nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të respektojmë këto vendime, ose t’i drejtohemi përsëri gjykatës. Dhe Partia Socialiste nuk ka hezituar t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për rreth 20 çështje, e cila në shumicën e këtyre rasteve ka vendosur në favor të PS dhe kundër nesh. Atëherë natyrshëm shtrohet pyetja se pse PS nuk i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e transparencës së kutive? Ngaqë e di se e drejta nuk është me të?! Lexuesit mund t’i përgjigjen vetë kësaj pyetjeje.

Një situatë jo normale politike, si kjo që është aktualisht në vend, a mund të ndikojë negativisht në proceset integruese të Shqipërisë, si liberalizimi i vizave dhe statusi i vendit kandidat në BE?

Kriteri politik përbën kushtin e parë të kërkesave të BE ndaj çdo vendi aspirant. Por në këtë pikë është e rëndësishme të bëjmë një sqarim. Partia Socialiste deklaron se shkaku i situatës së sotme janë zgjedhjet e 28 qershorit. Por a ka të njëjtin qëndrim BE-ja? Në prill të 2009-s, Kryeministri Berisha paraqiti aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. U pritën zgjedhjet dhe mbas vlerësimit të tyre nga OSBE-ODIHR në nëntor të 2009-s, Këshilli i Ministrave të BE-së i dha dritën jeshile aplikimit të Shqipërisë duke i kërkuar Komisionit Europian që të dërgojë pyetësorin. Ky vendim u mor mbas 4 muajsh bojkoti të Kuvendit dhe ashpërsimit të gjuhës së përdorur nga opozita në protesta. Po në nëntor kemi dy votime të Parlamentit Europian; një rezolutë që i kërkon PS të ndërpresë menjëherë bojkotin dhe të futet në Kuvend dhe votimi për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në listën e bardhë “Shengen” për liberalizimin e vizave. Si rrjedhim zgjedhjet e 28 qershorit, ndryshe nga çfarë deklaron PS, nuk e penguan, përkundrazi i hapën rrugë proceseve integruese të vendit. çfarë do të thotë së për BE-në dhe vendet anëtare nuk ekziston një problem i tillë. A dëmton bojkoti? Deri tani ne nuk kemi shembuj që bojkoti të ketë penguar marrëdhënien tonë me BE-në, por natyrisht një marrëdhënie normale ndërmjet shumicës dhe pakicës është një element i rëndësishëm në vlerësimin e situatës politike. Dhe në këtë drejtim është për të ardhur keq që Partia Socialiste po mundohet të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave për të fituar pikë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›