Bota përshëndet marrëveshjen SHBA-Rusi për armët bërthamore
Udhëheqësit e lartë botërorë kanë përshëndetur marrëveshjen mes Rusisë dhe SHBA-së, në lidhje me reduktimin armëve bërthamore që pritet të nënshkruhet në Pragë, në datën 8 prill. Kjo marrëveshje kishte kohë që pritej dhe do të zëvendësojë “Start”-in që skadoi në dhjetor. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki moon, që e ka mirëpritur këtë veprim mes dy shteteve, theksoi se marrëveshja paraqet moment historik dhe përpjekje të jashtëzakonshme në përpjekjet globale për eliminimin e armëve bërthamore.
Ai shprehu dëshirën se marrëveshja e re do të ratifikohet pa vonesë, në mënyrë që të mundësohet zbatimi i shpejtë i saj dhe shtoi se marrëveshja do t’i japë një nxitje konferencës “Për një botë pa armë bërthamore”, e cila do të zhvillohet në maj dhe do të kryesohet nga OKB-ja. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se pret ratifikimin e sinkronizuar të marrëveshjes së re në parlamentet e të dyja vendeve, pas nënshkrimit të saj.
“Të dyja vendet do të fillojnë procesin e ratifikimit menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes”, tha ai. Edhe shefat e forcave të armatosura të SHBA-së dhe Rusisë kanë shprehur kënaqësinë për shkak të marrëveshjes së arritur mes Obamës dhe Medvedevit. Nga ana tjetër, ministri i gjerman, Guido Westerwelle, theksoi se marrëveshja ofron mundësinë që në konferencën e ardhshme të OKB-së të gjitha shtetet të ndërmarrin përpjekje të përbashkëta, për të eliminuar kërcënimin bërthamor, që vjen nga Koreja e Veriut dhe Irani, ndërsa sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, deklaroi se marrëveshja e re me Rusinë i tregon vendeve, si Iranit dhe Koreja e Veriut, se kufizimi i armëve bërthamore është një nga prioritetet kryesore të Moskës dhe Uashingtonit.
#