E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumerangu i talljes së Ramës me “shenjtërimin” e votës së lirë!

11-06-2011 / Nga Luan Myftiu

“Kërcënimet tregojnë mendjemadhësí e marrëzí” - Lukiani

Fisnikëría njeh turpin, harbutëría - frikën. Ambicia e pakufizuar e Ramës për pushtet njeh kërcënimin. Të gjithë mashtruesit e nisin karrierën me “idealizma” dhe e mbyllin me mohim të tyre. Logjika e çdo të padrejti është imponími. Për prepotentët mëshira është hipokrizí, kurse toleranca-dobësí. Kush ka provuar hetuesítë komuniste, mund të kuptojë sot kërcënimet e Ramës, apo drejtësínë e “kopaçes”. Xhelatët e komunizmit nuk e pranonin idenë se dikush mund t’i urrente. Prandaj çuditeshin kur të pandehurit u kërkonin arsyen e arrestimit. Të privilegjuar të përjetshëm, ata e çmonin votimin si miratim legal, që viktima duhej t’u bënte xhelatëve. Por dhe ky nuk u mjaftonte, ndaj persekutonin gjithë zonën, nëse gjenin në kuti një votë kundër. Po cili numërues mund të guxonte t’u thoshte se qe gjetur një votë e tillë? Të gjithë duhej të votonin me entuziazëm për atë që do t’u merrte shpirtin. Prandaj Rama tërbohet kundër komisionerëve të vet. Ai trashëgon mentalitetin e asaj fryme në diktaturë, ku votími çmohej si një ritual borgjez, që sanksiononte të drejtën e qytetarit për t’u nënshtruar. Se e tërë jeta në socializëm ishte një hipokrizí, kurse servilizmi virtyt, që ndihmonte mbijetesën. Në atë kohë vullneti i çdo shtetasi ishte njësuar me atë të partísë. Kush mendonte me kokën e vet, merrte më qafë edhe të ardhmen e fëmijëve të tij. Ndërkohë privacionet hynin në mjetet e edukímit, ndaj për to nuk shfaqur kurrë pakënaqësí. Ndoshta prandaj Rama sot kërcënon si pa të keq edhe vetë Kolegjin Zgjedhor, që nuk i akordon këtij pinjolli të diktaturës fitoren e vetëshpallur.
A nuk u shtir Edvin hipokriti si avokati fanatik i vullnetit të lirë të çdo qytetari? A nuk u mburr ai si “misionar” i të drejtës së secilit për të vendosur mbi fatin e vet? Nuk qe Rama ai që e shpalli veten fitimtar, kur humbi zgjedhjet e qershorit? A s’u vetëshpall martir i flijimit për shenjtërímin e votës? A s’u përpoq të “justifikonte” me këtë përkushtim fals gjithë zallamahítë e tij antishqiptare? Nuk motivoi me këtë shenjtërím gjithë dëmet që i solli vendit? Ky nastradin e shpalosi alibinë e “krizës” artificiale dhe përligji rrugaçërítë e yshtura vetëm me shenjtërínë e votës. Kurse sot! Ah, sot! Sot po tenton të mos i njohë votës, jo më shenjtërínë, por as vlefshmërínë e saj, edhe kur vullneti i sovranit është shprehur në të fare qartë! Ta ketë nuhatur vallë sovrani këtë tallje cinike të Ramës ndaj votës, që e ndëshkoi sa të kuptonte se blasfemía ndaj çdo shenjtërie nuk falet?! Se ç’u bënë ato dhjetëra mijë vota, me të cilat Rama “fitoi” disa herë bashkinë? Duke u tallur me votën, Rama përqeshi dhe sovranin. Por e keqja e ka brenda vetes tharmin e ndëshkimit. Komunizmi tentoi ta bënte gjithë Shqipërínë spiune dhe me këtë degradim nuk krijoi veçse një mosbesim të frikshëm. Ishte ky dyshim i tmerrshëm, që shtoi terrorin. E ku njihte diktatura gabim njerëzor? Përkundrazi! Ajo që i detyronte viktimat të pranonin fajësi, që as i kishin imagjinuar? Le të guxonte kush të thoshte se kishte parë në ëndërr sikur kish vdekur Enver Hoxha! A do të kishte avokat ta mbronte se ëndrra ishte një veprim i pavetëdijshëm? Xhahílëve komunistë nuk u duheshin as prova, as fakte. Ata ishin specializuar të “bindnin” edhe  një shenjt se ishte një kriminel i lindur. Prandaj nuk duhet çuditur, kur Rama dhe neobllokmenët po i quajnë sot të pavlefshme votat, për shenjtërínë e të cilave shpallën se nuk i njihnin kufí vetëmohimit të tyre! Këta mashtrues profesionistë, që u shtirën si avokatë të votës së lirë, po kërcënojnë sot haptas KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor vetëm pse këto po guxojnë t’i çmojnë të vlefshme votat e rregullta, të hedhura në kutínë e gabuar (!) A ka mundësí që kjo hipokrizi groteske, ky kërcënim prej harbuti të mos pillte për autorët një bumerangun? 
Kur një gjyqtar guxoi të pyeste se mbi ç’baza duhej t’u ngrinte akuzën për pushkatim dhjetëra të pafajshmëve, përgjigjja e udhëheqjes komuniste qe: “Në emër të revolucionit!”. Si të mos thonë sot neo-bllokmenët që, në emër të “fitores” së Ramës, të gjitha votat e shenjta të sovranit duhen quajtur të pavlefshme? Që, kush i vlerëson ato, duhet akuzuar për “kanibalizëm zgjedhor”, për vjedhje në dritën e diellit, për shkatërrim të mundësíve për integrim? Prandaj akuzohen sot çertifikuesit e votave. Prandaj kërcënohen ata me shprehjet kriminale “në i kanë bërë mirë llogarítë me frikën!”. Prandaj akuzohen institucionet duke iu kujtuar nëse e shohin greminën, ku gjoja po flakin veten dhe Shqipërínë!? Njëlloj si hetuesit e diktaturës që porositnin të pandehurit të pranonin si faje edhe çdo fjalë të thënë pa dashje. Me këto mentalitete janë edukuar Rama, neobllokmenët dhe ata deputetë, që hipin mbi kokat e policëve për të arritur të poshtëronin anëtarët e KQZ-së, institucionit, që në fakt po mbronte “idealin” e Ramës për shenjtërímin e votës së lirë. Ndoshta prandaj Rama ka nisur të shihet prej popullit si shembulli i hipokritit, si etalon i dyfytyrësisë, si “misionari” që mohon pa turp nesër, atë që ka mbrojtur me “krenarí” sot. Por ai po shihet dhe si një “europian” finok, që po i vërteton çdo ditë qytetërímit se shqiptarët nuk janë të aftë për të realizuar zgjedhje me standarde. Ky “misionar”, që po shkatërron ekuilibrat socialë, me qëllim që të rëndohet gjendja ekonomike e vendit, nuk mund të ketë të ardhme politíke. Ky “demokrat” haxhiqamilist, që përbalt shtetin ligjor dhe nuk lë institucion të pavarur pa akuzuar, nuk ka sy e faqe të pretendojë për t’u bërë dikushi as në 2013-ën!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›