E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Kristaq Rama vs Lulzim Xhelal Basha

Nga Bledi Mane

Mbaj mend që pas vitit 1997 shkonim shpesh me “mision” në ministrinë e Kulturës. Kati i katërt i pjesës perëndimore të ish-godinës së komitetit qendror të PPSH-së ishte konvertuar në fillim të viteve ’90 për ambiente të zyrave të dikasterit më të lartë qeverisës për kulturën. Kënaqesha aq shumë kur ngjitesha në atë godinë sepse më dukej vetja si udhëheqësit e rinj të rinisë komuniste që partia i sillte direkt nga stallat e blegtorisë së ndonjë province të harruar për të bërë karrierë në zemër të Tiranës. Por sapo përfundonte ngjitja e shkallëve, në të hyrë të korridorit gjigant me dyer të rënda, fillonte asfiksimi total i qenies njerëzore, pak nga lodhja e shkallëve dhe shumë nga era e rëndë e amoniakut që depërtonte nga wc-të e ministrisë. Ishte një përzierje shurre e ardhur nga epoka e komunizmit dhe kapitalizmit të brishtë shqiptar. Sa herë që shkonim për ndonjë notë verbale që na e kërkonin ambasadat nga kjo ministri, merrnim masa që të mos qëndronim shumë nëpër korridore sepse fillonte edhe bllokimi i frymëmarrjes edhe djegia e syve. Ngase udhëtoja shpesh në Perëndim atë kohë, vizitoja aeroporte, zyra, muzeume, qendra tregtare dhe galeri arti pa fund e çuditesha sesi ministria e Kulturës së një vendi evropian ishte katandisur në një oaz kutërbimi dhe ngrehinë që me muret e rrënuar krejt dukej sikur klithte:- SOS!

Por fatmirësisht situata ndryshoi. Ministria e asaj kohe ndërroi drejtues dhe ndryshimi u vu re menjëherë. Pëshpëritej nëpër Tiranë se djali i madh i skulptorit Kristaq Rama, Edi Rama i ardhur nga Parisi e kishte transformuar totalisht dikasterin ku administrohej kultura kombëtare. Munda të shkoja të shikoja ndryshimin. Qysh te hyrja të prisnin njerëz të rinj me uniformë dhe mirësjellje. Muret e larta ishin lyer me të kuqe të ndezur dhe në to qëndronin varur fotot gjigante bardh e zi të Marubëve. Administrata ishte bërë më racionale dhe mjaft praktike. Era e amoniakut ishte larguar dhe merrje frymë lirisht. Mbaroje punë, por nuk doje të largoheshe shpejt nga ato ambiente. Vetja të dukej si në një galeri arti ku kërkoje të qëmtoje çdo qoshe.

Ministri i kulturës Rama u zhvendos 1 kilometër nga godina ku shërbeu 2 vjet dhe fati kësaj here e çoi tek bashkia më e madhe e vendit. I votuar në vjeshtën e vitit 2000 si kryebashkiak i kryeqytetit, edhe aty gjeti katastrofë të njëjtë interiori dhe administratë që vegjetonte… Sërish e njëjta histori si e para, ndryshim total dhe mikpritje.

Tirana u bë edhe me parlamentin e qytetit ku këshilltarët lokalë si në Athinën e lashtë i japin vlerë vetes dhe votuesit. Kushdo që viziton ambientet e bashkisë së Tiranës ka prekur me dorë ndryshimin rrënjësor dhe ia vlen të mburresh me këtë bashki. Këtë fat do e kishte edhe selia e Partisë Socialiste në sheshin “Austria”. Ish komiteti i partisë së Tiranës vetëm me ardhjen e Edi Ramës në krye të PS-së do të ristrukturohej dhe përshtatej më së miri në zyra ku prodhohet politikë dhe qytetari.

2005. Lulzim Basha i KOP-it promovohet rëndshëm nga PD-ja dhe pas fitores si deputet bëhet edhe ministër Transporti. Në krye të dikasterit të Punëve Publike veç skandalit të autostradës së Kukësit nuk prodhoi asgjë. Madje as ndërtimi ilegal i hyrjes së pasme të kësaj ministrie nuk u shemb dhe as nuk u konceptua zëvendësimi i saj. Arkitektura italiane e ministrisë së Transporteve edhe sot stonon duke mos vënë dorë askush. Në ministri të tregojnë se Luli nuk ndryshoi as perdet, as kolltukun e tij, as ngjyrat e zyrës madje nuk vari as edhe një nga ato pikturat me tulipanë holandezë që ka për zemër. Dy vjet më vonë doktor Berisha e çon në vend të Besnik Mustafajt si ministër i Jashtëm, por edhe aty Luli nuk shkëlqeu. Nuk preku me dorë asgjë, nuk ndryshoi as tapetet e mykur të kohës së Reis Maliles… s’kishte kohë, duhej shitur deti te grekët. Le të mos flasim më mirë për Ministrinë e Brendshme. Një katastrofë e vërtetë, një godinë që po kalbet. Kushdo që shkon për të parë ndonjë shfaqje pranë Teatrit Kombëtar, vështron fare lehtë përballë teatrit sesi po vdes një nga godinat më të bukura dhe më të frikshme të bulevardit.

Pra Luli nuk na i mbush mendjen se nëse e shpallin fitues të jashtëligjshëm do e rregullojë dhe sistemojë më shumë Tiranën. Të gjithë njerëzit e medias e dinë se Luli nuk shkruan dot as edhe një fjalim të shkurtër për të përshëndetur zgjedhësit dhe vjedhësit e votave. Turi Zheji, Henri Naim Cili, Edi Lesi janë lodhur këto 2 muaj duke i diktuar pasazhe nga publicistika e tyre, por vetëm sa e kanë sforcuar artificialisht djalin plangprishës së PD-së. Profesionalisht Lul Basha klasifikohet si një politikan mediokër, aspak produktiv dhe pa vizion. Në semiotikën estetike ky personazh grotesk mund të krahasohet pa frikë me bijtë e liderëve kaukazianë ish bolshevikë. Kanë pushtet, kanë para por kanë defiçenca te shumta në përshtatjen apo thithjen e trendeve të kohës. Lulzim Basha nuk mund të zëvendësojë një kryebashkiak si Edi Rama, nuk mundet të menaxhojë një qytet milionësh, nuk ka fuqinë organike mashkullore për të vetëvendosur, nuk është estetikisht korrekt dhe mundet që prirjet e tij orientale demode ta rikthejnë Tiranën sërish pranë “gojës së krokodilit” në Parkun Rinia.

Në vend të epilogut po shkruaj mesazhin që mora para një muaji nga një shoqja ime që jeton në Cork të Irlandës: “Nuk e kuptoj si mund të zgjidhni në vend të Ramës një Bashë për kryebashkiak. Shiko me vëmendje sesi qethet, se çfarë modeli mban flokët, sesi zgërdhihet cinikisht pas 21 janarit, sesi artikulon fjalimet, sesi rri sus para Doktorit dhe Jozefinës… A ka ndonjë antropolog Shqipëria që ta studiojë këtë tip apo edhe këta të fundit i ka marrë Henri Çili te nisma për Tiranën?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›