E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sjellja që presin qytetarët

Tashmë është e qartë se te lenovelës së shpalljes së fituesit të Tiranës po i vjen fundi. Kolegji Zgjedhor e dha vendimin e tij duke rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, si dhe duke lënë në fuqi rezultatin e miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas Kolegjit, që do të thotë sipas ligjit, Lulzim Basha është kryetar i Bashkisë së Tiranës. Përpjekjet ligjore që po ndjek Partia Socialiste janë një e drejtë legjitime e saj. Madje duhen falënderuar për rrugën institucionale që po ndjek. Kjo tregon se PS-ja ka filluar të edukohet me kulturën e institucioneve dhe të respektimit të tyre, domosdoshmërisht e kërkuar dhe e nevojshme, sidomos për një forcë politike e aq më tepër kur bëhet fjalë për një forcë që gëzon disa për qind më pak se gjysma e mbështetjes qytetare.  E, megjithatë, edhe vetë Rama e të vetët e kanë kuptuar se Tiranën e kanë humbur tashmë, ose më mirë kanë kuptuar që Tirana nuk i votoi mjaftueshëm për të fituar sërish, pavarësisht se është e kuptueshme që do të ndiqet çdo hap që mund tu sigurojë sadopak kohë për të përpunuar apo adaptuar strategjitë dhe orientimet që duhet të ndiqen në kushtet e humbjes. Ajo çka është më e rëndësishme, është fakti që kur hyn në një betejë institucionale e kur lufton dhe harxhon çdo mjet për të arritur fitoren në një betejë të tillë, morali i mospranimit të vendimeve të tyre është i sakatuar dhe deri diku pak më shumë se i papjekur. Ndoshta dikush mund të thotë që Tirana nuk e votoi projektin e ofruar nga opozita sepse puna e kryer në terren nga grupi i deputetëve socialistë linte për të dëshiruar. Dikush tjetër mund të mendojë se kandidati i ofruar nga PS dhe opozita, pra z. Rama, ishte kandidatura më e dobët për një sërë faktorësh, nga ata më të thjeshtët e deri te më kompleksët. Shumë mendojnë që performanca e z. Basha ishte e jashtëzakonshme. Të shumtë janë ata që e kanë bindje se këtë radhë z. Rama humbi për vetë faktin se nuk e kishte në krahë Ilir Metën, çelësin e suksesit të tij për tri mandatet e para, por të cilin ai me zell të madh e vuri në qendër të sulmeve nga më të egrat në politikën shqiptare. E, megjithatë, këto janë analiza që duhet ti bëjë vetë z. Rama, stafi dhe strukturat e tij. Ndoshta  janë dhe analiza që mund ti bëjë çdokush që merret me politikë, pse jo, analistët apo qoftë edhe studentët e Shkencave Politike. Por kjo, pak – për të mos thënë aspak – nuk i intereson publikut. Qytetarëve, pak ose aspak nuk u intereson pse fitoi dhe humbi njëra palë apo tjetra. Pse u fituan kaq e aq bashki e këshilltarë për njërën palë dhe kaq e aq për palën tjetër. Qytetarët e kanë parë rezultatin, e kanë dëgjuar dhe pa diskutim që gjithsecili, në mënyrën e tij, e kupton dhe e interpreton fare mirë çdo shifër e çdo përqindje. Publikut dhe qytetarëve, të ardhmes së tyre, i intereson, mbi të gjitha, qasja që do të kenë ndaj institucioneve dhe vendimeve të tyre palët direkte të interesuara. U intereson stabiliteti. U intereson që fituesi të sillet si fitues dhe humbësi si humbës, jo në konceptin arkaik që ne jemi mësuar vazhdimisht të shohim, por në formën më të thjeshtë të mundshme. Rëndësi për publikun tashmë ka fakti që z. Basha, si fitues i Bashkisë së Tiranës, tu qëndrojë rreptësisht besnik premtimeve të veta. Ai, së bashku me Këshillin Bashkiak, kanë detyrimin të përqendrohen në përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra për transformimin e Tiranës. Qytetarët e votuan projektin e tij, e shpallën fitues, dhe tani është detyrë e z. Basha dhe ekipit të tij të fillojnë implementimin e programit fitues. Ndërkohë që presin nga opozita, e cila tashmë nuk është vetëm opozitë në qeveri, por është edhe opozitë në kryeqytet, nisur edhe nga eksperienca e gjatë e drejtimit të Bashkisë së Tiranës, të kontrollojë e të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të kryeqytetit. Në të njëjtën kohë presin që qeveria shqiptare të vazhdojë reformat e nisura, ti thellojë ato, të përballet me vështirësitë, të jetë e papërtuar për ti zgjidhur dhe ta drejtojë vendin drejt zhvillimeve që do të përmirësojnë cilësinë e jetës për qytetarët. Dhe, sigurisht, që rezultati i këtyre zgjedhjeve tregon fare mirë që qytetarët shqiptarë presin një kurs krejt tjetër nga opozita. Presin që ajo të kontribuojë pozitivisht për reformat e rëndësishme që janë kusht i domosdoshëm për procedimin më tej për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për integrimin e plotë në Bashkimin Europian. Presin që të mos ketë më bllokim, bojkot, demonstratë apo qoftë edhe kapërcim kaluçi mbi kokat e oficerëve. Më pas do të jenë sërish qytetarët që do të flasin.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›