E Diel, 1 Nëntor 2026

E ardhmja pa të ardhme e një lideri politik

11-06-2011 / Nga Eden Babani

E ardhme pa të ardhme? Mos ngjan paksa absurde? A ka të ardhme pa të ardhme?
Le të zbres me të dyja këmbët përmbi tokë.
Pa një, pa dy, në kuptimin e rëndomtë, të drejtpërdrejtë të fjalës “e ardhme”, kemi të bëjmë me një absurditet. Në kuptimin filozofik, sikundër në atë praktik, e ardhmja nuk mund ta përjashtojë vetveten. Përkundrazi, duke qenë “vetvete”, pra një realitet, e parakupton vetveten. Çdo gjallesë në këtë botë e ka një të ardhme, në kohë dhe në hapësirë. Ajo, e ardhmja e pranuar me përkufizim, pushon së qeni e tillë, në çastin që edhe gjallesa pushon së qeni. Tamam në atë çast, e ardhmja merr fund, sepse s’ka bazë përkufizimi. Prej këtij ligji universal nuk përjashtohen as bakteret, as mikrobet, as molusqet, as qeniet e pështira si krimbat, insektet etj., madje as ato më të mëdhatë, si speciet ujore të tipit të peshkaqenëve, zvarranikët e helmatisur tokësorë, të kohëve historike a të atyre gjeologjike, egërsirat me katër këmbë a fluturakët grabitqarë.
Mbi bazën e asaj çka u përpoqa të arsyetoja, nuk më duhet të bëj ndonjë kapërcim nga bota lëndore, në atë të ideve, për të shtjelluar mendimin tim. S’po e kam fjalën te kategoria e moralit, e nderit a ku ta di unë se ku tjetër. As në botën e artit, ta zëmë, ku njeriu, ndonëse dështon, shpreson t’u rikthehet hobeve  të veta, të rehabilitohet dhe të projektojë një të ardhme, mbi bazën e mohimit të dështimeve të përparshme. Sepse, edhe dështimi, e ka ndonjë vlerë. Gjëra që kanë ndodhur dhe që do të ndodhin sa të jetë jeta. Por në politikë, dhe tamam në rastin specifik të ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës – le të themi kështu në kontekst me të pritshmen – e ardhmja e tij është pa të ardhme.
Si një “ish” qysh prej ca ditësh, e ardhmja politike për të s’ka asnjë kuptim kohor a hapësinor. Them kështu, sepse Edi Rama, ndonëse do të vazhdojë të ekzistojë si qenie që merr frymë, çka askush nuk ia dëshiron të kundërtën, s’mund të rikthehet më në politikë si lideri i besueshëm. Ai s’mund të rehabilitohet në një lëmë të jetës që kërkon domosdoshmërisht besueshmëri dhe vetëm besueshmëri. Fati i Ramës politikan i ngjan fatit të atij që i kishte mizat në dorë, por s’diti t’i mbante, i lëshoi me shpresë të mblidhte ca më shumë nga sa kishte... Sa mblodhi? Ai e di.
Sa ndjekës mund t’i mbeten një lideri politik pas disa humbjesh radhazi? Ndjekësit, edhe më optimistët, zor të besojnë se ndonjëherë mund të fitojnë me një lider që, të ardhmen e vet politike, e ka përjashtuar dhe po e përjashton sistematikisht me ndërgjegje të plotë. Tiranasit autoktonë ose të ardhur, tashmë e kanë braktisur të preferuarin  e dikurshëm, qoftë edhe me ato 81 votat, të cilat do të hyjnë në histori si votat e kthesës përfundimtare. Ndjekësit që jetojnë larg kryeqytetit, janë lodhur te s’mban më me ca përbetime për qiell e për dhé se votat ia kanë vjedhur dhe se, nga një palë zgjedhjesh, në palën tjetër, po i punohen padrejtësi që vetëm ai i sheh. Shqiptarët e tjerë, brenda a jashtë kufijve shtetërorë që na ndajnë, moskokëçarës për politikë, por të ndjeshëm për fatet e kombit, mjaft të kujtojnë se çelësat Kryeqytetit të shqiptarëve, ai që duhet t’i ruante, ia dorëzoi simbolikisht shovinizmit serb, përmes muzikantit antishqiptar, Goran Bregoviç.
Veprimi i Ramës këtu e ca vjet më parë, në kohën kur hiqej ekstravagant në kërkim të një identiteti njerëzor që nuk e gjeti kurrë, ishte një prej dalldisjeve të tij drejt një të ardhmeje pa të ardhme, vetëm se dëshironte të shfaqej në sytë antishqiptarëve, më antishqiptar seç ishte në të vërtetë.
Sot, një vit e ca përpara Njëqindvjetorit të Pavarësisë Kombëtare, kur, cilido që mendon shqip, që flet, këndon e vallëzon shqip, që vajton e ëndërron shqip, po i gëzohet anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, së ardhmes së saj në BE ose integrimit të Kosovës në institucionet euro-atlantike, simbolika e një të çarturi në politikë, po aq sa  edhe në fushën e artit, vjen e bëhet gjithnjë dhe më e neveritshme. Po t’i shtohet zinxhirit të absurdeve të tij hallka e kalitur rishmëzi, mosnjohja e zgjedhjeve të fundit, ndërsa s’mbeti institucion kushtetues a partner ndërkombëtar pa i njohur, gjithmonë e më qartë, po përvijohet e ardhmja pa të ardhme Edi Ramës si lider politik.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›