Bojkoti, LMN kërkon rishqyrtim qëndrimi
Pesë deputetët e asaj çka është cilësuar “Lëvizje për Mendimin Ndryshe” brenda Partisë Socialiste, pritet që të rikthejnë zyrtarisht çështjen e dhënies fund të bojkotit të Kuvendit. Selia rozë do të mbledhë ditën e diel Asamblenë Kombëtare, ku mendohet se grupi “rebel” do të kërkojë futjen në rendin e ditës të rishqyrtimit të vendimit për të bojkotuar punimet e Kuvendit. Rendi i ditës, siç është paralajmëruar, do të ketë në thelb çështjen e sistemit të demokracisë dhe reformat në sistemin e drejtësisë. Propozimi pritet të bëhet në fillim të mbledhjes dhe më pas mund të kalohet në diskutim të lirë mes anëtarëve të Asamblesë. Mbështetësit e idesë së thyerjes së bojkotit pritet të mbështesin qëndrimin e tyre tek situata e fundit e krijuar pas përmbytjeve në Veri të vendit. Ata nuk pritet të mbeten me kaq, pasi thyerja e bojkotit do të argumentohet me procesin integrues në të cilin ndodhet tanimë vendi. Shqipëria ka marrë në dhjetor 2009 pyetësorin e Bashkimit Europian dhe është duke plotësuar përgjigjet që kërkohen nga Brukseli. Gjatë këtyre muajve pritet që të ketë edhe një monitorim të thellë sa i takon çështjes së liberalizimit të regjimit të vizave. Të gjitha këto arsye pritet të kthehen në një objekt debati midis përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Sakaq, kryetari socialist, Edi Rama, nuk ka lëshuar pe, e madje ka qartësuar se nuk do të thyhet bojkoti as në datën 7 mars, kur është afati i fundit. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, disa ditë më parë, Rama tha se ditën kur skadojnë afatet, deputetët e Partisë Socialiste do jenë duke festuar 7 marsin. Kjo nuk i ka penguar deputetët që edhe indirekt të shprehin pakënaqësitë e tyre mbi qëndrimin e opozitës, të paktën për situatën e përmbytjeve. Një prej deputetëve të grupit parlamentar, në faqen e tij të rrjetit social “Facebook”, shprehu dy ditë më parë pakënaqësi në lidhje me qëndrimin e PS-së dhe gjithë opozitës në raport me përmbytjen, teksa kërkoi më shumë “agresivitet” të aksionit opozitar. Diçka që natyrisht duket se nuk bëhet dot jashtë dyerve të Parlamentit. Sakaq, në mungesën e mbledhjes së strukturave, askush nuk e ka hedhur hapin për të shprehur këtë mendim publikisht.
#