E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumi shqiptar do të vazhdojë

Nuk e thonë thjesht ekonomistët vendas. Të huajt, madje studiues shumë të kualifikuar, po pohojnë atë që quhet “mrekullia shqiptare”. Një zhvillim ekonomik i fortë, i aftë të vijojë edhe në kushtet e një krize financiare ndërkombëtare. Po si kështu? Kjo, pse në një kohë kur investuesit në mbarë botën po tkurrin kapitalet e tyre dhe po minimizojnë rreziqet për të adresuar kapitalin gjetiu, Shqipëria shpall shitjen e aseteve të krahut shpërndarës të ndërmarrjes së saj shtetërore të energjisë për një vlerë prej 103 milionë eurosh. Mirëpo, ndoshta edhe parashikuesit më skeptikë ndër investitorët e huaj nuk ia vlen t’u referohemi. Ndërsa grupeve studimore që i njeh mbarë bota, tek ata nuk mund se si të mos mbështetemi për të vlerësuar ecurinë ekonomike të vendit tonë. Dhe bëhet fjalë për ndoshta grupin më të njohur studimor të ekonomive të mbarë globit, “Njësia e Inteligjencës Ekonomike” të grupit “The Economist” (Ekonomisti) që nxjerr revistën e mirënjohur ekonomike me të njëjtin emër dhe që shitet në glob në 20 milionë kopje çdo javë. Drejtori i programit të konferencave të kësaj njësie, Riçard Ims, ishte në Shqipëri në fund të tetorit dhe u intervistua nga mediat shqiptare. Ndoshta pak u kuptuan mesazhet e tij. Ai u shpreh se njësia e tij e kishte parashikuar (kuptohet që ky parashikim bazohet mbi të dhënat më objektive të mundshme) rritjen e ekonomisë shqiptare për vitin 2009 në nivelin gjashtë për qind. Ims tha se mund t’i ulë një përqindësh, për shkak të krizës financiare globale dhe ngadalësimit të mundshëm të zhvillimit ekonomik në tregjet e zonës së euros. Sërish një rritje prej pesë për qind, në një kohë kur vendet e rajonit mund ta kenë aty tek 2 dhe 3 për qind, është pa dyshim spektakolare. Sipas Imsit, lajmi i mirë për Shqipërinë është se ajo nuk është e integruar ngushtësisht me tregjet globale financiare, ndaj rreziku i infektimit direkt nga investitorët nervozë gjetkë është tepër i ulët. Për më tepër, sistemi financiar luan një rol më të vogël në Shqipëri sesa në shumë ekonomi të zhvilluara. Teprica e kredisë e huave bankare në Shqipëri është rreth 30 për qind të GDP-së (produkt bruto i brendshëm) krahasuar me më shumë se 200 për qind të GDP-së në Evropën Perëndimore. Me fjalë të tjera, Ims i siguroi shqiptarët kudo ku janë se kriza financiare dhe shtrëngesat ekonomike që sot kanë kapur SHBA-në, Britaninë e Madhe e shumë shtete të tjera perëndimore, në Shqipëri mund të ndihen maksimumi shtatë herë më pak. Një tjetër lajm i mirë për Shqipërinë, po sipas analistit të mirënjohur të “The Economist”, nga ana e importeve, është se në tregun ndërkombëtar çmimet e naftës po bien. Shqipëria është një vend që varet shumë nga nafta e importuar dhe lirimi i këtij presioni do të çlirojë kapitale për nisma të tjera, sikurse mund të rrisë konsumin për mallra të tjera. Ngelet të urohet që bosët shqiptarë të arit të zi të mos abuzojnë me uljen “me pikatore” të naftës në tregun shqiptar, kur në botë ajo ka arritur 61 dollarë fuçia ose dy të pestat më pak se tre muaj më parë. Për sa i përket sektorit më premtues të ekonomisë sonë, turizmit, Ims shprehet se “përpjekjet e Shqipërisë për ta marketuar veten si një destinacion më i gjerë turizmi do të përballen me vështirësi në 18 muajt apo dy vitet e ardhshme, nëse konsumatorët në Evropën Perëndimore do të përqendrohen në reduktimin e borxhit të tyre dhe do të vendosin të shpenzojnë më pak në pushime jashtë vendit në shtete të tilla si Shqipëria. Megjithatë, turizmi mund të vazhdojë të ketë një ecuri të kënaqshme, në rast se vendi përqendrohet më shumë në tërheqjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë, si dhe të banorëve të Evropës Juglindore”. Ims nuk është njeri i ditirambeve. Ai thjesht konstaton. Dhe për sa u përket vështirësive, ai shprehet qartë që një rrezik i hapur për vendin ngelet gjendja energjitike. Ai thotë: “Rreziku i kufizimeve të mëtejshme të furnizimit me energji elektrike në Shqipëri është një element tjetër pasigurie që i shtohet kësaj situate”. Ka tërësisht të drejtë. Ka rreth gjashtë muaj që s’bie shi në mënyrë domethënëse tek ne dhe gjysma e vjeshtës kaloi si një verë e dytë. Kufizimet energjitike mund t’i kemi pas derës dhe ngelet të shpresojmë tek koha, si dhe tek përpjekjet e qeverisë për të maksimalizuar importin e energjisë, kur të vijnë ditët e ftohta dhe të avitet dimri. Ndoshta një situatë e rënduar energjitike mund t’i heqë një tjetër përqindësh rritjes sonë ekonomike. Urojmë që kjo të mos ndodhë, të kemi pak ndihmë dhe nga koha e reshjet e bollshme dhe që bumi ekonomik shqiptar të vazhdojë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›