Prishtina, qendra shpirtërore e shqiptarëve
Prishtina ishte kryeqyteti kulturor, shpirtëror dhe kombëtar i shqiptarëve në ish-Jugosllavi që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Sidomos këtë rol e mori më fuqishëm pas vitit 1968. E para, Universiteti i Prishtinës dhe institucionet e tjera publike e kulturore të Kosovës, ku shumica ishin shqiptarë, ishin e vetmja mundësi realizimi e kërkesave të shqiptarëve jashtë kufijve administrativë të Kosovës, sepse vetëm këtu mund të studionin apo të punësoheshin. E dyta, Shkupi, qendra ku kishte më së shumti shqiptarë në gadishullin ilirik, bënte një diskriminim të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, ata bënin punë të dorës së dytë e të tretë, ndërsa ishte aksidentale kur punësoheshin në administratë a gjetiu me përgatitje superiore. E treta, Podgorica a qytetet e tjera të ish-Jugosllavisë nuk u ofronin asnjë mundësi të të qenit të barabartë me të tjerët apo mundësinë e komunikimit në gjuhën e tyre amtare. E katërta, në pamundësi që të realizoheshin diku tjetër, shqiptarët e të gjitha territoreve etnike jashtë Shqipërisë administrative u drejtuan në Prishtinë dhe në qendrat e tjera të Kosovës për të gjetur njëkohësisht ngrohtësinë e bashkëkombësve dhe të gjuhës së njëjtë. Dhe, inteligjenca humane e teknike e Kosovës, në pjesën më të madhe, gjatë gjithë kësaj kohe, luajti një rol konstruktiv e kombëtar, sepse bëri arsimimin e mijëra të rinjve shqiptarë, të cilët sikur mos të shkolloheshin në Prishtinë, do të mbeteshin punëtorë fizikë, bujq apo do të merrnin botën në sy, sikurse që bënë shumë bashkëkombës të tyre në pamundësi arsimimi. Pastaj, shumë nga ta patën edhe përparësi pikërisht sepse në mjediset ku jetonin e vepronin ishin të diskriminuar e të përbuzur: u strehuan dhe u akomoduan me subvencionet e taksapaguesve shqiptarë të Kosovës etj.
Qe nga Merdari deri në Livadhi të Strugës, që nga Juniku deri në Medvegjë dhe në fshatrat në kufi me Vrajën, u krijua një psikologji, një mendësi, gjakim e vetëdije se Prishtina është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Tirana, që do të duhej ta kishte këtë rol, sepse ishte kryeqyteti i shtetit amë, një kohë të gjatë u izolua, u tkurr dhe u rrudh si iriqi, kështu që shqiptarët më shumë e gjakonin si një qasje platonike sesa që e përjetonin kryeqytet real të tyre. Nuk mund të shkonin, nuk mund të studionin në të dhe as nuk mund të shijonin drejtpërdrejt vlerat kulturore si shfaqje teatrore, spektakle etj. Gjatë gjithë kësaj kohe, dhe më vonë, Prishtina me qendrën e vet universitare, me institucionet kulturore qendrore dhe me qasjen e vetëdijshme ndaj të gjithë shqiptarëve, bëri që shqiptarët të mos ndiheshin një, madje e harruan edhe përkatësinë krahinore gegë e toskë, sepse ishte presioni i madh shkombëtarizues i ish-republikave jugosllave dhe i qendrës së federatës, Beogradit, ai që i bëri të ndihen të rrezikuar dhe më të afërt sesa kurrë më parë. Këtë rol kombëtar apo një rol deri diku të vetëdijshëm të një Piemonti shqiptar, kryeqyteti i Kosovës – Prishtina, e luajti një kohë të gjatë, pas vitit 1974 me një intensitet të paparë, kurse po ashtu duke u përpjekur të krijojë mendësinë e zemërgjerësisë dhe të vetëdijes se shqiptarët e të gjitha krahinave shqiptare kanë të drejta të barabarta në qasje ndaj institucioneve qendrore publike, pranuan kuadro nga të gjitha territoret si në Universitet, ashtu dhe në "Rilindje", gazetën e vetme të përditshme, në televizionin e vetëm publik, por edhe në postë, doganë, hekurudhë etj. U krijua homogjenizimi, u kultivua krenaria kombëtare, u flak ndenja e inferioritetit të cilën ishin përpjekur ta rrënjosnin fqinjët agresivë e më të fortë disa dhjetëvjetësh.
Më vonë kjo ndjenjë e solidaritetit e homogjenizimit, e obligimit të qendrës ndaj periferisë dhe ndaj bashkëkombësve sikur ka filluar të zbehet, të zvetënohet dhe të marrë kahe të deformimit të pafalshëm. Ndërkaq, do të duhej të ishte e kundërta, sepse në Kosovë pas luftës së vitit 1999 u shporr okupatori, u shpall pavarësia dhe u krijuan institucionet më të mëvetësishme qendrore. Ashtu sikurse filloi rrezatimi shpirtëror nga Universiteti i Prishtinës dhe i institucioneve të tjera qendrore: publike e kulturore, ashtu ka filluar pikërisht zemërngushtësia nga institucionet e qendrës. Në vend se të pranohen sikurse në të kaluarën studentë më të shumtë, madje ndonjëherë duke lëshuar pe në dëm të cilësisë (megjithëse përfaqësuesit e shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi nuk kërkojnë kompromis në dëm të cilësisë), në mënyrë që të jetë sa më i shumtë brezi i ri që do të mbaronte arsimimin superior, institucionet tona qendrore kanë filluar të pranojnë me kuota apo me pikatore: kaq nga Presheva e Bujanovci apo Medvegja, kaq nga Shkupi a qytetet e tjera të Maqedonisë, edhe më pak nga territoret etnike të Malit të Zi. Dhe kjo po reflektohet edhe më keq në entuziazmin kombëtar, në homogjenizimin e natyrshëm kombëtar (sepse tash jemi më të fortë se kurrë më parë, jemi në përparësi më shumë se në të kaluarën), por edhe në arsimimin e shqiptarëve jashtë territorit shtetëror të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës Lindore nuk e kanë asnjë mundësi të studiojnë në gjuhën e tyre amtare, madje edhe po të duan të studiojnë në gjuhën e shtetit ku jetojnë me vullnetin e tyre, do të ndesheshin me diskriminimin e hapur dhe me reduktimin minimal të mundësisë së studimit. Shqiptarët e Malit të Zi janë po ashtu në të njëjtën gjendje: me një shkollë të mësuesisë, që është paraqitur si një e arritur e madhe e barazisë së shqiptarëve-shpërblim që të votojnë për pavarësinë e këtij shteti, ata mund të arrijnë të bëhen mësues nëpër katunde, ndërsa profesionet e tjera vetëm mund t'i ëndërrojnë. Shqiptarët e Maqedonisë janë në një pozitë pak më të mirë sa i përket arsimimit superior, mirëpo janë larg mundësisë të realizohen intelektualisht dhe profesionalisht ashtu si do të duhej dhe ashtu sikurse e proklamojnë këtë institucionet shtetërore të Maqedonisë. Në anën tjetër në mungesë të ndikimit të natyrshëm shpirtëror e kulturor të Kosovës, apo kur u zvetënua ky ndikim, atje pati një deformim: në vend të vazhdimit të kultivimit të ndjenjës dhe qenies kombëtare tepër të rrezikuar, të vazhdimit të arsimimit laik, u përhapën klerikët islamë (në të kaluarën e afërt ata ishin bashkëpunëtorë të zellshëm të shërbimit sekret maqedonas) dhe krijuan një frymë orientale të rrezikshme. Kështu, në vend të shkollave, që aq shumë mungonin dhe mungojnë edhe sot, u ndërtuan me qindra faltore islame të cilat u dyfishuan dhe u trefishuan. Partitë shqiptare fajin për këtë frymë islame në dëm të frymës kombëtare shqiptare ua hedhin shërbimeve të huaja sekrete antishqiptare, mirëpo ku e ku flirtojnë me këtë mundësi për të marrë më shumë vota, pastaj marrin edhe obligime, duke premtuar xhami e jo shkolla!
Prandaj, institucionet qendrore shtetërore të Kosovës duhet ta marrin seriozisht obligimin e rrezatimit shpirtëror të Prishtinës në tërë territorin e shqiptarëve etnikë jashtë kufijve shtetërorë, sepse ky është obligim yni. Obligim i përfaqësuesve të institucioneve është të bartin vullnetin e shqiptarëve, pra njëkohësisht edhe të menaxhojnë paranë e taksapaguesve të cilët jam i sigurt se nuk kanë asgjë kundër obligimit të shkollojnë shqiptarë nga Maqedonia, nga Mali i Zi dhe nga Kosova Lindore, aq sa kanë nevojë ata dhe aq sa i duhet kombit tonë. Shtetet e tjera bëjnë investime shumë më të mëdha ndaj bashkëkombësve, madje kombet e mëdha bëjnë investime edhe në përhapjen e kulturës së tyre jashtë kufijve shtetërorë e gjuhësorë.