E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faza e tretë, sot shpallen fituesit

Në të gjithë vendin do të dalin sot rezultatet e fituesve të fazës së tretë të regjistrimeve në universitete. Agjencia Kombëtare të Pranimeve, APRIAL, do të shpallë sot listat e fazës së fundit, pasi ka përfunduar përpunimin e të dhënave për fazën e tretë të pranimeve në universitetet publike. Drejtori i APRIAL-it, Frederik Shalësi, tha dje se formulari A3 është plotësuar nga rreth 3814 kandidatë për studentë. Gjithashtu, janë rreth 1600 studentë në rang vendi, që edhe pse kanë fituar një të drejtë studimi, kanë dorëzuar pranë APRIAL, kërkesa për ndërrimin e degës universitare, sipas rishpërndarjes së 4000 kuotave vakante në 11 universitetet shtetërore. Ndërsa në Tiranë kanë plotësuar formularin A3 rreth 650 kandidatë për studentë në kryeqytet, të cilët nuk kanë rezultuar fitues gjatë dy fazave të para. Sipas Shalësit, rezultatet e fituesve janë përcaktuar sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, provimeve të "Maturës Shtetërore", të disa programeve studimi, të konkursit si dhe vullnetit të kandidatëve, të shprehur në formularin A3. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës dorëzon në datën 6.11.2008, në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të kandidatëve fitues sipas programeve përkatëse të studimit, në Institucionet publike të Arsimit të Lartë dhe DAR/ZA. Këto institucione afishojnë menjëherë listat në vende të dukshme në mjediset e tyre”, – përcakton udhëzimi i Ministrit të Arsimit, z. Fatos Beja. Sipas këtij udhëzimi, regjistrimi i kandidatëve fitues bëhet pranë sekretarive mësimore të institucioneve publike të arsimit të lartë deri në datën 15.11.2008. Për t’u regjistruar, maturantëve u duhet të paraqesin një dëftesë pjekurie; certifikatë lindje me fotografi; 2 fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh, si edhe vërtetim të çregjistrimit nga programi i mëparshëm për ata që janë shpallur fitues në fazën e dytë, por kanë dëshirë të ndërrojnë degë. “Në rast se kandidatët fitues nuk kanë dëftesë pjekurie origjinale të kërkuar në pikën 14/a të mësipërme, të paraqesin dublikatën e dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse”, – shkruhet në udhëzimin e ministrit Beja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›