E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bundeskushti

Gjermania nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Serbisë në BE, pa njohjen e Kosovës. Këtë porosi, të mërkurën, e dërguan në Beograd deputetë të Bundestagut. Mundësinë e kushtëzimit e paralajmëroi edhe Ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar, gjatë një vizite në kryeqytetin serb. Nga Faton Ismajli më 23 qershor 2011 në ora 08:16

Ajo që është pëshpëritur për shumë kohë kuloareve, u konfirmua haptas të premten në Beograd.

Anëtarësimi i Serbisë në BE do të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kjo porosi u dërgua në kryeqytetin serb nga një grup deputetësh të Bundestagut, të cilët gjatë dy ditëve të fundit kanë qëndruar në Serbi, ku kanë biseduar me përfaqësues të Qeverisë serbe dhe të partive opozitare atje, për të parë nëse ky vend është gati që të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Mesazhin për Beogradin, parlamentarët gjermanë e kanë shpalosur gjatë bisedave me gazetarë të mediave serbe.

Sipas tyre, nëse njohja e Kosovës nuk ndodh, Gjermania nuk do ta miratojë anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Në fund të negociatave për anëtarësim, njohja faktike duhet të jetë në tavolinë, e nëse kjo ngec, Parlamenti gjerman nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Serbisë në BE”, kanë thënë deputetët e Bundestagut, gjatë një takimi joformal me gazetarë serbë.

Ata kanë theksuar se fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE, që mund të ndodhë gjatë këtij viti, nuk do të rrezikohet me kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Serbia më 15 dhjetor do ta marrë statusin e vendit kandidat, por sipas të gjitha gjasave, jo edhe fillimin e bisedimeve”.

E, sipas tyre, procesi i anëtarësimit të Serbisë do të marrë kohë më së paku tetë vjet, aq sa i është dashur edhe Kroacisë.

Por deputetë gjermanë kanë theksuar se në fund të negociatave për anëtarësim në BE, në tavolinë do të duhet të jetë njohja faktike e pavarësisë së Kosovës.

Deputetët kanë elaboruar idenë e tyre duke thënë se megjithatë, negociatat për anëtarësim të Serbisë në BE do të fillojnë dhe do të përfundojnë pa njohjen de jure të pavarësisë së Kosovës, e cila është e dëshirueshme, por në çfarëdo rasti duhet të pranohen disa zgjidhje që do të nënkuptojnë njohjen faktike të pavarësisë së Kosovës.

Por njohja faktike, sipas gjermanëve, nënkupton pajtimin për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Njohja faktike do të nënkuptojë ndër të tjera edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat ndërkombëtare dhe kjo është ajo që Serbia duhet të përmbushë gjatë negociatave për anëtarësim në BE, kanë thënë deputetët gjermanë. Njohja e pavarësisë është çështje kyçe duke theksuar se vendet anëtare të BE’së i përmbahen vendimit të GJND’së në Hagë, vendimi i së cilës ka nxitur njohjet e pavarësisë së Kosovës”, kanë cituar deputetët gjermanë, mediat serbe.

E për negociatat Prishtinë –Beograd, deputetët gjermanë konsiderojnë se ato duhet të përfundojnë me njohje të Kosovës.

“Bisedimet (Prishtinë - Beograd) duhet të vazhdojnë dhe në fund të këtyre bisedave duhet të ketë edhe njohje. Kjo nënkuptohet”, kanë thënë deputetët gjermanë.

Sipas tyre, çështjet kontestuese nuk mund të zgjidhen brenda natës, por këtë duhen vite.

Këto qëndrime i ka konfirmuar deputeti gjerman dhe anëtari i Këshillit të Bundestagut për Punë të Jashtme, Roderik Kizeveter, i cili ka thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën gjatë ose në fund të negociatave për anëtarësim në BE.

Deputeti nga radhët e partisë gjermane në pushtet, CDU, ka thënë se është trimëruar nga vizita në Beograd.

“E shohim se Serbia po përpiqet që të tejkalojë rrugën qorre që me vite ka ekzistuar në raport me Kosovën dhe shohim një dëshirë që të përfundojë procesi i negociatave”, ka thënë Kizeveter.

Ai ka komentuar edhe rreth ndarjes së Kosovës duke thënë se Gjermania përkrah një zgjidhje të tillë vetëm nëse dy shtete pajtohen për një gjë të tillë.

“Kosovën e shohim si një ndërtesë gjithëpërfshirëse, që do të thotë se Gjermania dhe Parlamenti gjerman nuk do të pranojë shkëputjen e territorit në veri të Ibrit, në rast se ky është synimi i Serbisë. Kjo për ne është e papranueshme. Megjithëkëtë, nëse dy shtetet merren vesh, atëherë kjo është një çështje tjetër. Do të ishte një zgjidhje e pranueshme, pasi bëhet fjalë për marrëveshje mes dy shteteve”, ka thënë Kizeveter.

Ndryshe deputetët gjermanë kanë thënë se është reale që Serbia të marrë statusin e vendit kandidat, derisa për datën thuhet se është e rëndësishme që të arrestohet edhe i dyshuari tjetër për krime lufte, Goran Hadzic.

E për mundësinë e kushtëzimit të Serbisë ka komentuar edhe Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zbogar, i cili ka thënë se aktualisht nuk beson se njohja e Kosovës do të vendoset si parakusht ndaj Serbisë për integrimet europiane. Por, sipas tij, situata do të jetë ndryshe sa më shumë që Serbia t’i afrohet BE’së.

“Nuk shoh që Komisioni Europian tani do ta vendoste këtë kusht të fortë, të cilin Serbia do të duhej ta pranonte. Megjithatë, derisa bisedat për anëtarësimin e Serbisë në BE do t’i afrohen fundit, besoj se situata do të jetë më ndryshe”, ka thënë Zbogar duke komentuar rreth pyetjes se a do t’i vendoset Serbisë si kusht njohja e pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›