E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krizë në dialogun Prishtinë-Beograd?

Nga Express më 22 qershor 2011 në ora 22:30

Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duket se ka rënë në krizë, sepse data e zhvillimit të raundit të radhës së bisedimeve ende nuk dihet, shkruajnë mediat serbe.

“Ende nuk dihet se kur do të takohen ekipet e Beogradit dhe Prishtinës. Presim që kjo të përcaktohet nga fundi i këtij muaji”, citohet të ketë thënë Maja Kociancic, zëdhënëse e Përfaqësues së Lartë, Catherine Ashton.

Sipas gazetës beogradase, “Vecernje novosti”, ekipet mund të takohen sërish, mbase vetëm në fillim të muajit korrik, sepse siç thuhet, Brukseli kërkon përgjigje konkrete.
Në qarqet diplomatike të BE’së, spekulohet se marrëveshjet e para kanë të bëjnë me kadastrën, librat amzë, por edhe me njohjen reciproke të dokumenteve.

Por, Brukseli zyrtar nuk dëshiron që të lëshohet në “spekulime”.

“U takon të dyja palëve që të njoftojnë se për çfarë janë marrë vesh. BE’ja është këtu vetëm për të lehtësuar dialogun”, thekson Kociancic.

Raundi i pestë i bisedimeve po vonohet në pritje të kësaj marrëveshjeje.

Duke iu referuar burimeve diplomatike në Bruksel, gazeta në fjalë mëson se të dyja palët kanë kërkuar më shumë kohë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›