E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bundesliga - java 10

Bajerni i Mynihut u rikthye në ecurinë normale të Bundesligës duke fituar fare lehtësisht një derbi në fushën e Hamburgut. Bëhej fjalë për një derbi Veri-Jug në futbollin gjerman, por bavarezët jugorë ishin tepër të fortë për ekipin vendas.
Pjesa e parë u duk se po shkonte drejt një barazimi 0-0, por pas një këmbënguljeje nga e djathta, Bastian Shvajnshtajger shënoi me saktësi dhe forcë golin e avantazhit.
Me të nisur pjesa e dytë, skuadra e Jup Hajnkesit përfundoi detyrën me dy gola të shpejtë. Fillimisht, 3 minuta pas pushimit Tomas Myler shënoi për 2-0, ndërsa pasi kaluan edhe 5 minuta të tjera, rezultati 3-0 u vulos nga Toni Kros.
Dortmundi u ndal në barazim 0-0 në fushën e tij nga Shtutgarti duke humbur një tjetër rast të madh për të luftuar në mbrojtje të titullit kampion që e mban prej dy sezonesh radhazi. Në “Signal Iduna Park”, miqtë nga Shtutgarti u treguan tepër të fortë për të pësuar gol, ndërsa skuadra e Jyrgen Klopit nuk po arrin të gjejë motivimin e viteve të kaluara.
Humbje ka pësuar edhe pretendentja për titull, Shalke, e cila u thye 2-3 në fushën e Hofenhajmit. Në një ndeshje me gola, vendasit ishin gjatë gjithë kohës në epërsi dhe skuadra nga Gelsenkirsheni thjesht arriti të barazonte dy herë, por Shiplok i dha fitoren Hofenhajmit në minutën e fundit.
Sukses të rëndësishëm arriti edhe Hanoveri në stadiumin e tij duke thyer 2-0 Augsburgun, po kështu, Nyrembergu i mori 3 pikët me një gol të shënuar nga Gebhart 14’ para fundit në portën e Volfsburgut.
Një ekip që u tregua i fortë sezonin e kaluar, si Mynshengladbah nuk arriti të fitonte, ndonëse luajti në shtëpi ndaj Frajburgut. Vendasit barazuan 1-1.
Bajerni ka tani 27 pikë pas 10 ndeshjeve të para të kampionatit, me 9 fitore e 1 humbje, duke qenë i shkëputur mme 7 pikë nga Shalke dhe Frankfurt. Dortmund mban vendin e katërt me 16 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›