E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kimi Raikonen fitoi mimin e Madh te Formula 1

Kimi Raikonen me Lotus ka fituar Çmimin e Madh në Abu Dabi, duke lënë në vendin e dytë Fernando Alonson e Ferrarit dhe Sebastian Fetelin e Red Bullit. Në vend të katërt doli Xhenson Baton i Meklaren Mercedesit.
Pas këtij rezultati, Fetel vazhdon të kryesojë kampionatin botëror në Formula 1, me 10 pikë më shumë sesa Alonso, 255 pikë ndaj 245. Kjo do të thotë se Alonso e ka zvogëluar diferencën me 3 pikë, ndërsa duhen edhe dy gara deri në përfundim.
Fetel u nis nga vendi i fundit, ndërsa Alonso nga i gjashti. Gara u ndalua dy herë për shkak të aksidenteve dhe hyrjes në pistë të makinës së sigurisë.
Ljuis Hamilton i Meklaren Mercedesit ishte i pari në nisje për shkak se fitoi provat zyrtare një ditë më parë, por u detyrua të tërhiqej për shkak të një problemi në makinë në xhiron e 20-të, pasi Meklareni nuk kishte më energji për të vazhduar përpara.
Kjo i dha mundësi Raikonenit të dilte i pari me Lotusin e tij dhe të përballonte sulmin e fundit të Alonsos, duke e mbyllur garën me diferencë shumë të vogël me Ferrarin.
Fetel u tregua i jashtëzakonshëm, jo vetëm sepse u nis nga vendi i fundit, por edhe sepse u detyrua të bënte një ndalesë në bokse në xhiron e 14-të për shkak se dëmtoi pjesën e përparme të makinës ndërsa në pistë ndodhej makina e parë e sigurisë.
Në xhiron e 16-të, gjermani parakaloi Groszhanin, pastaj e lejoi që ta parakalonte për të shmangur një ndëshkim dhe së fundi e kaloi përfundimisht duke fituar pozicionin.
Gjithsesi, kampioni i botës në fuqi doli më i fortë se çdo problem dhe fatkeqësi duke arritur një vend të tretë që dukej i pashpresë në nisje të garës.
Çmimi i Madh i ardhshëm është pas dy javësh në SHBA dhe e fundit në Brazil.
Renditja e pilotëve: Fetel 255, Alonso 245, Raikonen 198, Ueber 167, Hamilton 165, Baton 153, Masa 95.
Renditja e skuadrave: Red Bull 407, Ferrari 316, Meklaren Mercedes 306, Lotus 263, Mercedes 136.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›