Bundesliga Bajerni e mbyll sezonin me fitore

Bajerni i Mynihut e mbylli me fitore sezonin në kampionatin gjerman duke triumfuar 4-3 në fushën e Mynshengladbahut. Pas këtij suksesi dhe pas humbjes së Dortmundit 2-1 në fushën e vet me Hofenhajmin, bavarezët përfunduan me 25 pikë larg vendit të dytë, një rekord për Bundesligën.
Mynshengladbah shënoi dy gola të shpejtë dhe u duk se skuadra e trajnerit Hajnkes e kishte mendjen tek finalja e Ligës së Kampionëve, veçse nuk ishte kështu.
Havi Martinez shkurtoi epërsinë e Borusias dhe, edhe pse vendasit shënuan golin e tretë, sërish Bajerni nuk mund të ndalej.
Frank Riberi realizoi dy herë, fillimisht në pjesën e parë dhe pastaj barazoi në të dytën. Madje, francezi ishte protagonist edhe në golin e katërt.
Ishte ai që shërbeu për Arjen Robenin që sigloi fitoren e radhës.
Pas javës së 34-ët, u vendos që në Champions sezonin e ardhshëm shkojnë Bajerni, Dortmundi, Leverkuseni dhe Shalke, kjo e fundit me një tur eleminator.
Frajburg, Frankfurt, Hamburg dhe Mynshengladbah shkojnë në Ligën e Europës, Dyseldorf dhe Grojter Fyrt zbresin nga kategoria, ndërsa Hofenhajm do të luajë plej aut për të qëndruar në Bundesligë.