Bundestagu gjerman: “Për integrimin duhen veprime konkrete”
“Veprime konkrete dhe jo vetëm fjalë, ndryshe Shqipëria nuk ka asnjë shans që të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian”. Kështu ka deklaruar zëvendëskryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate në Bundestagun gjerman, i cili zhvilloi një vizitë disa ditore në Tiranë. Në një komunikim të tij me median, anëtari i Bundestagut gjerman është shprehur se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm për të ardhmen Evropiane dhe se roli i partive politike duhet të kthehet në kontribut parlamentar, për integrimin e vendit.
“Gjatë vizitave të shkuara edhe në këtë të tanishmen, kam parë nga afër ngërçin politik në të cilin ndodhet Shqipëria. Tani që opozita është rikthyer në Parlament, pritshmëritë janë të larta. Qëllimi i vizitës time ishte ndihmesa në daljen nga ky ngërç, për të cilën kam folur gjatë takimeve me politikanët shqiptarë. Rikuperimi i kohës së humbur kërkon kohë së bashku me ndërtimin e besimit mes palëve”, u shpreh zëvendëskryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate në Bundestagun gjerman, duke shtuar se ka ardhur koha që të dy palët të jenë më fleksibël dhe bashkëpunues.
Sipas deputetit të Bundestagut gjerman Erler pa pasur progres në përmbushjen e 12 rekomandimeve nuk ka asnjë shans për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Ka ardhur koha që të dy palët të jenë më fleksibël dhe bashkëpunues. Kjo është e vetmja rrugë për Shqipërinë, pasi e presin shumë sfida të rëndësishme siç janë 12 rekomandimet tashmë të njohura nga të gjithë. Pa patur progres në këtë drejtim, atëherë nuk ka asnjë shans për marrjen e statusit të vendit kandidat që do ta afronte vendin tuaj në Europë”, tha deputeti Erler, ndërsa nuk la pa komentuar gjestin e shëmtuar të Edi Ramës, i cili refuzoi shtrëngimin e duarve me Kryeministrin Sali Berisha, pavarësisht përpjekjes së ambasadores gjermane.