E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi Edi-torialet e Partisë

19-09-2011 / Nga Lavdrim Lita

Një milion të papunëve të supozuar në Shqipëri muajin e fundit i janë shtuar dhe qindra gazetarë, opinionistë, analistë, komentatorë dhe kolumnistë që janë gjendur të papunë dhe të dëshpëruar, pasi lideri kryetari i Partisë Socialiste dhe kreu i opozitës u ka marrë atributet duke i zëvendësuar hapësirat e pakta nëpër gazeta me ashtuquajturat Editoriale. Këto shkrime hipertrofike prekin gjithçka dhe asgjë, Bulqizën dhe Kol Nikollin, Libinë dhe Gedafin, ODIHR-in dhe Ristanin, 11 Shtatorin dhe Bin Laden, Ushtrinë, Mjekësinë, Drejtësinë dhe Ministrin Nishani, etj. Të habit fare me sferën e ndërhyrjeve jo kompetente. Si duket është një ves shqiptar të merresh me gjithçka pa thënë asgjë, pa pasur minimumin e kompetencave shkencore e studimore mbi çështjet.
Ndër të parat Editoriale ai foli për minatorët e Bulqizës nga shezlongu privat i një hoteli bregdetar në jug të vendit. Më tej ai u shpreh për ngjarjet gjeopolitike në Afrikën Veriore dhe Gedafin nga pushimet në ishulli italian të Sardenjës. Sapo doli raporti OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet lokale ai me një pafytyrësi sulmoi standardet, edhe pse vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësuan “transparencën” dhe “konkurrencën”. Dëshira për të qenë protagonist kohët e fundit e shpuri në një lapsus kalami, ku ngatërroi më qëllim 11 shtatorin 2001 me Gërdecin, sigurisht pa përmendur aferat e pallateve të e Deliorgjit apo dhënie atij për skrap të qindra tankeve. Për këtë arsye dhe shumë të tjera është bërë tejet e vështirë të dallosh qëndrimet personale të Ramës si Editorialist i shtypit dhe qëndrimet e frontit opozitar, të cilat formalisht duhet të ndryshojnë në qëllime morale dhe mjete të veprimi politik.
Megjithatë një konstante e gjithë prodhimtarisë publicistike të Ramës përqendrohet tek sulmin maniakal ndaj kryeministrit Sali Berisha. Si ujku që i kuis hënës së plotë, po ashtu ai i leh kryeministrit. Ai është obsesioni i tij që e nxit të krijojë mënyra të reja si shprehje urrejtje, e që brenda ka pak admirim. Jo të gjithë e dinë se Edi Rama ushqen një admirim të fshehur qysh në fillimet e demokracisë për kryetarin e Partisë Demokratike. Bile ai ka kërkuar anëtarësimin në PD duke u shtirur më anti-komunist se Azem Hajdari dhe Pjetër Arbnori. Në fillim viteve 90 ai shkroi “Refleksionet” një pamphlet alegorik anti-komunist 24 karat. Mirëpo kujt ia merrte mendja që ky tip radikal dukej si armik i papërkulur i Enverit, i komunizmit, i komunistëve, i Partisë së Punës do të ishte shumë vite më pas katalizatori dhe ngjitësi i gjeneratës së dytë të bllokut me gjeneratën e etërve.
Afërmendsh pushteti nuk merret me editoriale dhe konferenca për shtyp, por me programe, ide dhe vizion për të ardhmen, cka Rama e ka vështirë ta propozojë. Vetiu pushteti nuk merret duke qëndruar në zyrë dhe filozofuar mbi pamundësinë  dhe përse “opozita është e dobët”, por duke dalë e takuar qytetarët në çdo cep të vendit dhe duke dëgjuar hallet e problemet e tyre. Editorialet e liderit të opozitës dëftejnë mbi të gjitha mbi “dobësinë” strukturore të opozitës.  Ta themi PS-ja nuk është mësuar kurrë të bëjë opozitë.
Prandaj sot PS-ja është e dobët jo vetëm në numrat në parlament, por edhe jashtë saj ndër qytetarë. Zgjedhjet e fundit lokale, të cilat ishin konkurruese dhe transparente, dëftejnë se maxhoranca ka një bazë të gjerë mbështetje, që vlerësohet në 142 mijë vota më shumë. Pa harruar asnjë minutë se kjo shifër përkthehet në zgjedhje të mundshme parlamentare në një epërsi shtesë prej 7-8 deputetë për shumicën qeverisëse. opozita sot është e dobët sepse zëri i saj është konsumuar në opereta bajate, si melodi e kauzave të pasinqerta dhe absurde. Edi Rama dhe shtabi i luftës socialiste i ka kumbuar aq herë “popullit opozitar”, saqë ka humbur kredibilitetin ndër qytetarë dhe është identifikuar si bllokuese e reformave integruese.
Sidoqoftë e kanë thënë dhe të tjerë që është shqetësuese fakti ku kreu i Partisë më të madhe opozitare në vend që të bëjë opozitë politike e institucionale, domethënë të përfaqësojë ashtu siç është e natyrshme gjysmën e elektoratit që i ka dhënë votën, shkruan kinse “Editorial”, që në fakt janë variacione mbi të njëjtën temë: fajin e ka Saliu. Dhe nota për këto hartime është pakaluese për provimin e vjeshtës opozitare, që po i bien edhe gjethet me të cilat mbulonte paaftësinë e saj për të qenë sadopak serioze dhe konkurruese. I thartuar në shpirt e zhgënjyer nga karriera politike, Edi Rama i është kthyer një profesioni të ushtruar 15 vjet më parë. Dukshëm ka humbur intuitën dhe magjinë e fjalës duke u kthyer në një analist të rëndomtë, edhe pse është ende kreu i Opozitës me Letra ta Hapura. Editorialet e fundit për shtyp janë sinjalizuese për gjendjen jo normale në të cilën gjallon lideri i opozitës, që është kthyer në një publicist gazetash kur duhet të kundërshtojë qeverinë me propozimeve dhe alternativa nëpërmjet grupit Parlamentar socialist në Kuvend. Vetëm në kuvend i ka hije opozitës të përballet me kryeministrin Berisha me armë të barabarta, pasi në fusha të tjera ndeshje është e humbur

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›